“Epërsia europiane” ekstreme e Greqisë, trysnia ndaj Shqipërisë dhe akuzat për Republikën e Turqisë

Mar 21, 2024 | 8:31
SHPËRNDAJE

NGA MYSLIM PASHA 03_06_2016_6145097_myslim_pasha1

1. “ÇËSHTJA ‘BELERI’ ZBRET! RINDIZET ‘DETI’!

Ndër marrëdhëniet e fqinjësisë,me Greqinë, dukshëm del në pah se fqinji ynë jugor ka shfaqur gjithëherë një superego të epërme, e cila i ka dëmtuar popujt tanë të arrijnë një përkim miqësor dhe human aq të të kërkuar në Ballkanin Perëndimor. ¨shtë fjala për të kapërcyer problemet aq të njohura historike, që ende nuk janë zgjidhur. Në hullitë e së nesërmes dalin dhe po me të njëjtën prirje këto marrëdhënie acarohen duke mos dhënë shpresë përmirësimi.

Kohët e fundit çështja “Beleri”, me gjithë rëndësinë e saj nuk mund ta kapërcente dot çështjen e Detit për nga dimensionet e saj, si edhe për këtë stërzgjatje 15-vjeçare. Tani ‘Deti’ del prapë në dukje, kur shikohen dhe analizohen mënyrat e trajtimit të tyre. Kohët e fundit pas ftohjes së çështjes ‘Beleri’, po ridel në pah mosmarrëveshja lidhur lidhur çështjen e Detit me 15 vjet në dallgëzim “që ka të bëjë me përcaktimin e zonave detare mes dy vendeve, të cilat u rishfaqën pasi Tirana u tërhoq nga marrëveshja e nënshkruar në 2009…”2 siç thonë analistët dhe diplomatët grekë.

2.MARËVESHJA DETARE E VITIT 2009 RIZGJOHET

‘Deti i 2009-s’, në të vërtetë ishte një dhuratë që iu blatua Greqisë, për atë projekt të përgatitur prej saj, të firmosur dhe të festuar aq pabesueshëm nga Sali Berisha dhe qeveria e tij. Sot e kësaj dite nuk thuhet shkoqur se Shqipëria do të përmendet në një rast unikal, kur në të Drejtën Detare Ndërkombëtare, kjo Marrëveshje, e nismua nga të dyja palët dhe u festua në një stinë mirëkuptimi. Kjo ishte, sa hap dhe mbyll sytë, se gënjeshtra dhe mashtrimi i kanë këmbët e shkurtra, çka solli skandalin, kur oponenca ligjore e pavarur shqiptare zbuloi brenda një nate se çfarë fshihej në atë dokument delimitimi.

Komponenti shkencor i pavarur kish hasur një “pushtim” hapësinor detar në detin Jon të veriut, në një gjatësi rreth 114 km, dhe tërthore, si Det Territorial dhe Hapësirë Ekonomike Ekskluzive në Ngushticën e Otrantos, në një sipërfaqe prej 350 km2. Kjo që ndodhi, në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe është përgjegjësi e Republikës së Shqipërisë, kur opozita politike e saj nuk kish arritur të përcillte në marrëveshje një realitet tekniko ligjor të vërtetuar e provuar sipas UNCLOS-82 (The United Nations Convention on the Law of the Sea)e vitit 1982.

Republika e Greqisë përfitoi një dokument të firmosur nga qeveria shqiptare, por të pakaluar në Parlament, çka e ka bërë që ecuria zyrtare të bartë një rast unik. Pala greke ka luajtur me këtë rast të rrallë, ndaj edhe pas 15 vjetësh e përdorin atë marrëveshje si të mirëqenë në krahun e tyre, çka nuk është normale. Ky dokument delimitimi ka brenda tij gjithë shkeljet e Ligjit të Detit, të cilat u vërtetuan nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë që e hodhi poshtë si Antikushtetuese. Në negociatat e bëra midis të dy ekipeve teknike dhe diplomatike nga pala greke, ky dokument nuk ruhet vetëm si në arkiv, por si një referim ndaj qëndrimit të Shqipërisë.

Prandaj edhe nga ana e analistëve, studiuesve, nëpër mediume greke, sulmohet pala shqiptare, se, “Tirana është tërhequr nga Marrëveshja e vitit 2009”. Kjo terminologji dhe qëndrim përdoret kohët e fundit edhe në ‘Ekathimerini’*) Çdo tërheqje që është bërë, bart në vete vërtetësinë ligjore sipas Ligjit të Detit, pranuar nga të dyja palët. Mbështetja në dokumentin e 2009-s është e pavërteta, që ia heq të drejtën përdorimit të lojës së padrejtë dhe antiligjore. Kjo është baza dhe mbështetja kur përdoret referimi ndaj këtij dokumenti, që nuk bën gjë tjetër veçse sjell zvarritjet e njohura.

3. “EPËRSIA EUROPIANE” EKSTREME E GREQISË DHE TRYSNIA NDAJ SHQIPËRISË!

Akuzat e padrejta që i bëhen Republikës së Turqisë! Prej këtu Greqia, po aq padrejtësisht sulmon Republikën e Turqisë, sikur ajo qëndron pas kësaj “tërheqjeje të Tiranës*) “si një ndikim, duke e ndërlikuar sigurinë ballkanike dhe mesdhetare të Shqipërisë dhe Greqisë. Dihet që Turqia ka me Greqinë një çështje të ngjashme, për brigjet detare kundruall njëri-tjetrit, kur krahu verilindor është me ishuj dhe platforma shkëmbore detare, ndaj dhe historikisht nga Turqia njihet një Casus Belli (akt dhe situatë provokimi, për gjendje lufte).

E vërteta shkencore dhe ligjore ndërkombëtare diblikohet në mënyrë të paskrupullt pas termave dhe dredhive. Analistë dhe politikanë grekë të sërës së lartë kohët e fundit e trajtojnë se “Me shfaqje të vazhdueshme të “epërsisë europiane” ekstreme*), ne kemi pranuar të gjitha llojet e tërheqjeve e lëshimeve, sepse i kemi siguruar interesat tona në çështje të tjera. Prej vitesh kemi supozuar se ishim vetëm disa hapa nga arritja e një lloj marrëveshjeje për zonat detare, duke e lënë çështjen të zvarritet. Madje ne e mbajtëm marrëveshjen e 2009 që të mos ratifikohej nga Parlamenti i Greqisë për hir të kësaj perspektive, etj., e etj.) duke iu larguar të vërtetës ligjore ndërkombëtare.

Mund të zbulohet po aq dukshëm, se gjatë viteve 2018, 2019 janë bërë negociata midis të dy ekipeve teknike e diplomatike, të cilat nuk kanë qënë të tejdukshme për opinionin e dyanshëm, por ku dallohet fshehja pas ngefosjes greke “të epërsisë europiane ekstreme”*) të saj për trysninë e Greqisë aq megalomane, duke diktuar dhe paralajmëruar për pasojat në integrimet eurpiane të Shqipërisë, të cilat nuk kanë vend në trajtime të tilla tekniko ligjore shkencore, e ndaj nuk mund të pranohen. Ja se si ata po i rikthehen edhe një herë marrëveshjes së 2009—s*) “duke bërë sikur kishin mashtruar disi shqiptarët dhe se kishin nevojë për një marrëveshje të re…” (cituar nga i njëjti shkrim).

4. CILI ISHTE MODELI I PËRVIJIMIT DETAR? TRYSNI SERIOZE NDAJ TIRANËS!

Flitet për një ‘paradigmë’ që në themel dhe dukje do t’i sillte Greqisë një përfitim të padrejtë e të pavërtetë, në ‘pushtimin’ e sipërfaqeve detare, çka është kundër UNCLOS-82 …” duke afruar kufirin midis brigjeve të të dyja vendeve, e duke dhënë ndikim të plotë mbi ishujt në çdo juridiksion. Kjo paradigmë sipas autorit*) buroka nga… vet Ligji i Detit, i cili nuk mund të konceptohet jashtë atij modeli dhe paradigme. Kësilloj, ishujt grekë, platformat shkëmbore detare, si Othoni, Erikuza, Pleshti (shkëmbi Barketa) Serpa etj., dhe vetë Gjiri i Sarandës do të kishin po ashtu një peshë vlerësimore, të barabartë me Dheun Kontinental shqiptar që është Antikushtetues.

“Ky është konfirmim i qëndrimeve të vjetra të Greqisë në zonat detare” drejt një absurdi të superegos së Greqisë. Kuptohet qartë se, sipas tyre, kudo që të shkojë marrëveshja detare, tej edhe Gjykatës së Drejtësisë në Hagë, ajo u dashka që të plotësojë synimet e Greqisë… dhe për këtë “duhet të ushtrohet presion serioz mbi Tiranën”*).

Analistët grekë dhe porositësit e vonuar të veprimit dhe diktimit ndaj Shqipërisë për këtë problem janë zbuluar që natën e parë të firmës së tradhtisë, në vitin e largët 2009. Greqia, sërish, edhe pse çështja e Detit midis të dyja vendeve është duke shkuar në Gjykatën e Drejtësisë në Hagë, ora e fqinjve tanë të padrejtë dhe të pavërtetë, ka ngelur te një pazar anakronik i shënjuar në vitin 2009, që nuk mund të përsëritet. Sa të mbrapshtë kanë mbetur, me këtë logjikë, sa të padrejtë, në skenën ballkanike e po kështu me trazim, në gjeohapësirat detare mesdhetare. Akuzohet Republika e Turqisë, sikur ajo qëndron pas Shqipërisë dhe se të dy shtetet, anëtarë të NATO-s, ndërtokan situata me intriga, ndaj shteteve dhe kombeve të tjera, kjo mbetet vetëm një fantazmë e rrezikshme, jo vetëm në gjeohapësirën ballkanike.

Është shumë anakronike, por edhe me një regjisurë groteske si të nxjerrësh dhjamë nga pleshti… duke bërë pretendime qesharake se “për Greqinë është detyrimi ynë të nxjerrim në pah dimensionin Europian…*)”, duke kërkuar hapësira të paqena vlerash, të cilat në radhë të parë duken në marrëdhëniet bazë të fqinjësisë. Studiuesit grekë e kanë një mbyllje edhe për këtë shkrim, kur propozojnë një vështrim të ri të marrëdhënieve me Shqipërinë “siç është shkundja e pluhurit nga marrëveshja e nënëshkruar e 2009-ës. Ç’do të dalë prej asaj shkundjeje? ‘Pluhur’ vetëm ‘pluhur i harrimit’

1-Angelos Syrigos është një deputet i Demokracia e Re, Greqi “Ekathimerini”

2- Marrë nga ‘Tema’. Mediat greke. Rama është bërë si Erdogan.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura