Emigrimi për punësim, ja kush ka prioritet në Kanada

Jul 24, 2012 | 11:07
SHPËRNDAJE
Toronto, Kanada

Qysh prej 4 korrikut 2012, qeveria kanadeze po pranon aplikime kryesisht nga kandidatë me kontrata të aprovuara pune dhe ka ndaluar deri në janar 2013 aplikimet e kandidateve pa kontratë pune. Kjo në pritje të një ligji krejt të ri të imigracionit, i cili do t’i japë rëndësi përzgjedhjes së emigrantëve drejtpërsëdrejti nga vetë kompanitë kanadeze, sipas nevojave aktuale të ekonomisë lokale. Gjithashtu pritet që provinca të caktuara, të cilat kanë mungesa punëtorësh të kualifikuar, të kenë kuota më të larta vjetore në përzgjedhjen e emigrantëve. Bëhet fjalë për Saskatchewan dhe Alberta, provincat me papunësinë më të ulët në Kanada. Për muajin qershor 2012, papunësia na Kanada ishte 7.2%, ndërsa në Saskatchewan 4.9% dhe në Alberta 4.6%. Të dyja provincat kanë mungesë punëtorësh të kualifikuar, siç janë teknikët e ndërtimit, mekanikët, saldatorët dhe kuzhinierët. Rezervat e provuara të naftës në këto dy provinca janë të dytat pas Arabisë Saudite, por me kosto më të lartë. Vetëm Alberta pritet të dyfishojë numrin e punëtorëve të naftës me rreth 120 mijë punëtorë të rinj për 8 vitet e ardhshme. Ndryshe nga Alberta, provinca e Saskatchwan është në fillimet e zhvillimit të industrisë së naftës dhe të mineraleve dhe ka një bum ndërtimesh. Saskachewan ka pasur rritjen ekonomike më të lartë në të gjithë Amerikën e Veriut këto pesë vitet e fundit. Dikur ka qenë një province tipike bujqësore me imazhin e fushave të grurit pa fund. Çdo gjë ka ndryshuar 10 vitet e fundit me rritjen e çmimeve të lëndëve të para dhe mineraleve me të cilat është e pasur. Pagat janë nga më të lartat në vend. Është krejt normale për një teknik ndërtimi të paguhet me $30 në orë, një mekanik me $30-35, një saldator me $25-30. Kompanitë kanadeze janë të detyruara të rekrutojnë jashtë vendit për të plotësuar shumicën e nevojave të tyre. Mekanikët, saldatorët, teknikët e ndërtimit, kuzhinierët shqiptarë që kërkojnë diçka më tepër në jetë se e ardhmja që u ofron Shqipëria dhe që dinë pak anglisht, ia vlen ta marrin seriozisht emigrimin në këto provinca kanadeze.

Nga John Prifti

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura