Ekstradimi i Nezar Seitit, merren në pyetje avokati dhe prokurorët e çështjes

Feb 22, 2018 | 12:52
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Prokuroria e Durrësit ka marrë në pyetje avokatin e Nezar Seitit, Detar Hysin, në kuadër të hetimeve për ekstradimin e klientit të tij.

Nezar-Seiti

“Panorama” mëson se veç Hysit, në pyetje janë marrë edhe prokurorët e çështjes së Nezar Seitit, si ata të Krimeve të Rënda dhe ai i Prokurorisë së Tiranës, që ndiqte çështjen e ekstradimit.

Gjithashtu, në pyetje është marrë edhe drejtori i burgut ku qëndronte Seiti për procedurat e ndjekura në lidhje me ekstradimin e të konsideruarit si “financieri” i Habilajve. Hetimet zhvillohen në Durrës, me urdhër të Kryeprokurores Arta Marku, që pas skandalit të ekstradimit të Seitit, në kushtet kur ndaj tij kishte hetime edhe në Shqipëri.

I kontaktuar nga “Panorama”, avokati Hysi nuk dha shumë detaje për atë që kishte thënë në Prokurorinë e Durrësit, por tha se dëshmoi për t’i ardhur në ndihmë hetimit. “Jam njoftuar ditën e ekstradimit, kur Nezari po dërgohej për në aeroport. Më ka njoftuar vetë klienti, teksa unë isha në Prokurorinë e Krimeve të Rënda duke firmosur zgjatjen e hetimit edhe për tre muaj për procedimin në Shqipëri. Është e vërtetë që ka qenë në vullnetin tonë ekstradimi në Itali, por nuk mund të kryhej kur ndaj tij kishte procedim penal në Shqipëri. Shpresoj shumë që nga hetimi të nxirren përgjegjësit”, ka thënë Hysi për “Panoramën”.

Përveç avokatit, në Prokurorinë e Durrësit kanë dëshmuar edhe dy prokurorët që kishin dosjen e Seitit te Krimet e Rënda, Vladimir Mara dhe Dritan Premçi, si edhe prokurorja e Tiranës, Arminda Moçka.

Ekstradimi i Seitit bëri bujë në një kohë kur ligji parashikon se ai nuk duhej të ekstradohej në kushtet kur në Shqipëri kishte hetime ndaj tij. Për këtë skandal, Kryeprokurorja Marku urdhëroi nisjen e hetimeve në Prokurorinë e Durrësit dhe i kërkoi KLD-së hetim disiplinor për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Kastriot Gramshin.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë është i vetmi institucion që nuk pranon ende se ka pasur shkelje në ekstradimin e Seitit, dosja e të cilit ishte bashkua me atë të Tahirit te Krimet e Rënda.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura