Eksodi biblik, Porti i Durrësit para 25 vitesh në fotografi

Feb 29, 2016 | 13:00
SHPËRNDAJE

“Porti i Durrësit – 25 vjet pas eksodit 1991”. Kështu titullohet ekspozita fotografike që do të hapet në Durrës, nga 2-7 mars, me rastin e 25-vjetorit të eksodit biblik të shqiptarëve.

Ky aktivitet që organizohet nga Autoriteti Portual Durrës, APD, në bashkëpunim me Agjencinë Zyrtare të Shtypit, ATSH, dhe Bashkinë e qytetit, rikthen në vëmendje një nga episodet më të rëndësishme në historinë e re të Durrësit dhe të gjithë vendit, eksodin masiv me anije në mars 1991.

eksodi durres

Ngjarjet e marsit 1991, njëlloj si ato të korrikut 1990 dhe gushtit 1991, u fokusuan në portin më të madh të vendit, nga ku u nisën dhjetëra anije dhe motopeshkatore me qytetarë shqiptarë kryesisht drejt brigjeve italiane. Ekspozita do të sjellë për herë të parë foto të panjohura që fotografët e ATSH-së, Gani Xhengo dhe Arben Çela, kanë fiksuar në celuloid në mars dhe në gusht të vitit 1991. Vizitorët e galerisë “Nikolet Vasia”, në Durrës, ku do të hapet ekspozita, përmes fotove bardhezi mund t’u rikthehen emocioneve të 25 viteve më parë, kur ndryshonte e ardhmja e vendit.

Pamjet filmike të portit në vitin 1991 do të shfaqen në një monitor, ndërsa në pjesën e dytë do të ekspozohen edhe fotot, me pamje aktuale të portit më të madh të vendit. Kjo veprimtari është tregues i ndjeshmërisë dhe i bashkëpunimit të tre prej institucioneve publike me rëndësi të veçantë në jetën e vendit tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura