EKSKLUZIVE/ Zhani Ziçishti tregon ‘sekretet’: Si u pushkatua ministri që bëri ekspertizën e Mehmet Shehut, na tha se …

Feb 4, 2019 | 7:57
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Kush e ka parë këto kohë me flokë të lyer, do ketë menduar me siguri se dëshiron të mbulojë moshën. Por në të vërtetë, Zhani Ziçishti nuk e ka as fare problem moshën, madje e thotë me mburrje se është 79 vjeç.

Me Zhani Ziçishtin zhvilluam një bisedë të gjatë. Folëm për kohërat e rinisë kur i hyri rrugës së aktrimit, për role të dashura, për prapaskena, për puthje e shpulla, për kolegë, për kohë të bukura e të vështira. Ndër këto të fundit ishin edhe katër vjet, që iu dukën sa një jetë, kur nuk i dhanë asnjë rol në teatër dhe kinematografi.

Kjo për shkak se dy kushërinjtë e tij të parë, funksionarë të lartë të shtetit komunist u shpallën “armiq të partisë e të popullit”. Mihallaq Ziçishti, ish-zv/ministër i Brendshëm u dënua me 25 vjet heqje lirie, nga të cilat kreu 8, kurse Llambi Ziçishti, ish-ministër Shëndetësie u dënua me pushkatim.

Në numrin e kaluar ai rrëfeu për këto vite të vështira, ndërsa sot vijon rrëfimi i tij për të tjera episode, të cilat i ka dëgjuar nga goja e Mihallaq Ziçishtit pas daljes së tij nga burgu, që nga dënimi i Llambi Ziçishtit për aktekspertizën e vrasjes së Mehmet Shehut te plani i “shpëtimit” të Enver Hoxhës pas mbledhjes së 81 partive në Moskë.

Zhani zIçISHTI

Nuk ka shqiptar të mos merret ndopak me politikë, ju e ndiqni?

Nuk merrem me politikë dhe nuk jam me asnjë parti. Që kur më dha urdhër Mihallaqi atëherë, nuk u mora asnjëherë me politikë. Ishte këshillë me mend dhe shumë serioze. “Në asnjë mënyrë, më tha, nuk të lejoj! U thuaj, nuk e bëj dot, do merrem me artin”.

Ju na treguat për Mihallaqin, po vëllai i tij, Llambi, ish-ministër i Shëndetësisë, përse u dënua?

Ai u dënua se tha për vrasjen e Mehmet Shehut që “një njeri me dy plumba nuk mund të vetëvritet”. “Bobo,- i tha Mihallaqi,- ç’na bëre!” Mehmetin e kishin goditur me snajper nga dritarja dhe më pas i kishin futur dhe një plumb tjetër.

Mehmet Shehu në shtratin e vdekjes

Si jeni në dijeni të këtij fakti?

Na e ka treguar Mihallaqi, kur doli nga burgu, se çfarë ndodhi. Llambi ishte ministër Shëndetësie dhe vajti të inspektonte se çfarë kishte ndodhur. Ishte ai që i pa plagët, që bëri ekspertizën mjeko-ligjore.

Nuk është folur ndonjëherë për një variant të tillë?

Këto nuk i dinte njeri. Gjithçka ka qenë e fshehtë. Ne na i ka thënë Mihallaqi. Gjithçka ishte e kurdisur. Mendoni, a mund ta vrasë veten njeriu e ta lërë vetë revolen mbi jorgan?! Pastaj, Mehmeti nuk ishte nga ata njerëz që vriste veten. Gjithçka ishte e komanduar nga Ramizi dhe Nexhmija. Të gjithë e dinin që në atë kohë Enveri kishte mbaruar dhe nuk ishte në gjendje të shëndoshë mendore, kështu që ata do mbronin veten. Pasardhësi ishte paracaktuar dhe ata kishin frikë se çfarë do t’u ndodhte më pas. Asokohe u morën më qafë edhe shumë ushtarakë. Na tregonte Mihallaqi, që kur bëheshin mbledhje të Komitetit Qendror të Partisë, secili mendonte se cili kishte radhën..

VIJON

Ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

Gjithashtu mund të lexoni edhe numrat e kaluar duke klikuar me titujt e mëposhtëm

  1. EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Zhani Ziçishtit, mjeshtrit të roleve “negative”: Pse luaja spiunë e ballistë, incidenti me policinë
  2. EKSKLUZIVE/ Zhani Ziçishti tregon si u ndalua drama që nuk e pëlqeu Enveri: E pa me Mehmetin dhe Ramizin, por në fund …
  3. EKSKLUZIVE/ “Prisja të më arrestonin”, Zhani Ziçishti flet për dënimin e kushëririt, ish-zv.ministër
  4. EKSKLUZIVE/ Zhani Ziçishti rrëfen skenat e sikletshme: Puthja që na kushtoi 10 dubla, gjimnazistja simpatike vinte me gjyshin dhe…
  5. EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Zhani Ziçishtit: Arratisja në Greqi me djalin, meraku pas pritjes në ambasadë dhe doganë. Më shkallmuan…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura