EKSKLUZIVE/ Rrëfimi i Zhani Ziçishtit, mjeshtrit të roleve “negative”: Pse luaja spiunë e ballistë, incidenti me policinë

Jan 23, 2019 | 12:28
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Portretin e tij është e vështirë ta harrosh. Tipare të spikatura. Një vetull që ngrihej vrikthi, shikim i ngulët që thoshte më shumë se çdo batutë filmike…

Në kohëra të vështira, Zhani Ziçishti arriti të krijonte një portret tërësisht të veçantë në teatrin dhe kinematografinë shqiptare. Edhe pse numëron 87 role në teatër, ato që e bënë të njohur ishin rolet në filmat artistikë të ishKinostudios. Çuditërisht ka interpretuar më së shumti role negative, spiunë, fashistë, gjermanë…

Madje, edhe atëherë kur nuk ishte ndonjë syresh, do të ishte ose një komunist i lëkundur e me paragjykime si te filmi “Përballimi” apo bashkëpunëtor i Sigurimit si te “Fijet që priten”. Veçse aktori i zgjidhte vetë këto role.

280px-Filmi_Nga_mesi_i_errësirës1

“Këto role ke mundësi t’i mbushësh me mish, kurse ato pozitive ishin shumë skematike”, thotë ai. Tashmë u bë vite që Zhani Ziçishtin nuk e shohim më me role të reja. Kohët kanë ndërruar dhe teatri e kinemaja nuk janë më ato të kohës së tij. Sot është 79 vjeç, por vitet janë treguar bujare me të. Përpiqet ta mbajë veten në aktivitet të vazhdueshëm dhe të mos lëshohet në “hallet” e moshës. Është i angazhuar në aktivitete bamirësie dhe vazhdimisht merr pjesë në aktivitete në ndihmë të njerëzve në nevojë apo të fëmijëve jetimë, në bashkëpunim me Ilir Çumanin, kreun e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë.

Madje, ky i fundit do të ishte i pranishëm gjatë një bisede me aktorin, duke e ngacmuar për histori pikante, të cilat i kishte dëgjuar më herët. E po ashtu, Zhani Ziçishti apo Petra siç e njohin, nuk ka hequr asnjëherë dorë nga një prej profesioneve të tij, inxhinieria elektronike. Sa i takon artit, vazhdon të jetë shumë i vëmendshëm. Nëse do t’i propozonin një rol të mirë, ai nuk do t’i thoshte jo. Në një intervistë për gazetën “Panorama” aktori Zhani Ziçishti, i nderuar “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Republikës, na tregon për jetën e tij, vitet e shkollës, rolet në film e teatër, kolegët, vështirësitë, momentet e vështira që kanë lënë gjurmë në jetën e tij dhe për artin sot. Një rrëfim plot nota humori, por edhe tragjike, që gjithsesi nuk është i njëjti pa theksin korçar…

x1080-aPr

Le të kthehemi pak pas në kohë, si jeni lidhur me artin?

Mamaja ishte shumë e dhënë pas artit, kurse babai ishte inxhinier politeknik, që kishte studiuar në Athinë. Kam përfituar shumë nga ai, çka më shërbeu gjithë jetën, madje edhe kur shkova në Greqi kam punuar pranë firmës gjermane “Siemens”. Ai më ka mbajtur shumë afër dhe më dha edukatën e punës, nuk më linte të kaloja kohë nëpër kafenera me pije e duhan. Ai kishte një ofiçinë moderne dhe më mbante pranë. Për t’u bërë qefin të dyve, i ndoqa paralelisht edhe inxhinierinë, edhe artet. Që në fëmijëri më pëlqente të merresha me art. Dëgjoja radio me kufje deri sa më zinte gjumi e gjyshja m’i hiqte nga veshët. Më jepej për pikturë, luaja në kitarë.. Të gjithë në shtëpi jemi muzikantë. Gruaja violiniste e pedagoge, djali violinist, vajza këngëtare. E kemi kënduar serenata në shtëpi, ç’të të them…

download

Po mund të ishit bërë piktor ose muzikant, ç’ju hodhi drejt aktrimit?

Regjisorin Mihallaq Luarasi mamaja e kishte kushëri të parë dhe kur ai erdhi në Korçë, më pa që diksionin e kisha të pastër, fizikisht nuk isha keq, po ashtu edhe nga ana plastike. Ime më i kërkoi të më merrte në provë. Ai më dha një tekst, më dëgjoi, u bind dhe kur mbarova gjimnazin, më orientoi për në Institutin e Lartë të Arteve. Fitova konkursin dhe vazhdova shkollën. Paralelisht vazhdova edhe inxhinierinë.

Si e kujtoni kohën e Institutit?

Kanë qenë vite të jashtëzakonshme, studionim, punonim, por nuk mungonin edhe situatat plot humor. Gjatë kohës që ishim studentë bëra një film me Jani Rizën. Jani kishte një fizik të fuqishëm. Ishte 98 kg, vinte më këmbë nga fshati në Korçë e mbante me vete dhe një shpatë po t’i dilte ujku. “S’më del dot ndonjë,- thoshte,- ta çaj në mes”. Kur ishim në konvikt, ngaqë kishim ftohtë, ngroheshim me rezistencë. Jani flinte sipër meje. Me sustat e krevatit dhe një tub eterniti kisha sajuar një rezistencë, që kur e vinim ulte gjithë dritat e konviktit. Një natë kishim fjetur vonë dhe duhet të shkonim në mëngjes herët në Kinostudio. Shoh orën, ishim vonë. “Ngrehu hajvan,- i thashë,- se kush e di ç’do na bëjnë”. Ashtu si ishte, vetëm në të mbathura, u hodh nga krevati, po këmbët i zunë në korrent. Ca korrenti, ca suspansioni, kërceu sërish mbi krevat. Ai s’po kuptonte gjë. “Ç’më bëre kështu o buçko, gozhdë më ke vënë në këmbë”,- tha. Kur i shoh thembrat, i kishte gjak nga korrenti. U tmerruam! Por kur e kujtonim më vonë, shkriheshim gazit. Jani Riza ka qenë djalë shumë i mirë dhe me shumë humor. Më kujtohet kur shkonim nëpër turne me Teatrin e Korçës, ia ngatërronte tekstin Pandi Raidhit, i cili harronte tekstin. Gjithnjë kishte sufler, ose ia shkruanim nëpër copa të mëdha kartoni. Jani ia ngatërronte kartonët dhe ia jepte tekstin tjetër për tjetër.

Cilët kanë qenë pedagogët tuaj apo ata aktorë që do të ndikonin më shumë te ju?

Gjatë kohës që bënim shkollën angazhoheshim edhe në teatër. Kam luajtur edhe në Teatrin Popullor. Kanë qenë katër vite të jashtëzakonshme, pasi kam punuar me aktorët më të mirë. Kam pasur pedagogë Kadri Roshin, Lazër Filipin, Pandi Stillun, që ishte regjisori më i madh i kohës, Andrea Malon etj.. Asokohe ka pasur regjisorë, dramaturgë, skenaristë të shkëlqyer. Edhe pse kanë qenë role të vogla, kam përfituar mjaft. Ajo kohë nuk kthehet më. Nga ç’po shohim, është shumë larg. Teatrot dhe filmat e asaj periudhe nuk përsëriten më. Ndaj dhe kur kam shkuar në Teatrin e Korçës isha i përgatitur.

Teatri i Korçës ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga më të mirët në Shqipëri…

Ka qenë ndër teatrot më të mirë, madje ne shkonim rrotë më rrotë me Teatrin Popullor, madje edhe i kemi mundur…

Ç’role kujtoni nga ajo skenë?

Kam pasur shumë role të bukura. Duke qenë edhe regjisor dhe aktor, dija si të kapja rolin. Madje, në veprën “Shtëpia në rrugicë” e Teodor Laços, regjisori Dhimitër Orgocka ia kishte dhënë rolin e piktorit Jani Rizës. Më dukej pak e çuditshme sepse fiziku i Janit nuk i përshtatej, ndaj i them Taqkës: Sikur ta dubloj unë këtë?! Shihe njëherë, po dola mirë, mund ta luajmë të dy. Ai pranoi dhe unë jam përgatitur vetë në skenë. E mendova se çfarë tipi duhej krijuar dhe kur ai e pa, më thotë: Si t’i them tani Janit? Më në fund i thotë se do të donte që të dy ta luanim këtë rol. Kur Jani pa një fragment, i thotë: “Taqkë, lërmë mua mënjanë…” Ishte një rol ku unë spikata dhe karriera ime mori rritje. Kam realizuar 65 role në kinematografi dhe 87 role në teatër

Cilët janë aktorët apo regjisorët që ju kanë mbështetur në fillimet tuaja?

Më ka ndihmuar shumë Kadri Roshi, të cilin e kisha edhe pedagog. Po ashtu edhe Pandi Stillu, i cili kishte bërë shkollën rumune. Madje, rolin e Janit në filmin “Nga mesi i errësirës” (se kështu më thërrasin tani me emrat e personazheve, kudo që shkoj), ia kishin dhënë Kadriut. Ai më donte shumë, më mbante pranë. Ishte shumë i zgjuar, shkollë më vete. “Dëgjo sqap,- më tha,- do të të jap një rol, se nuk është për mua. Duhet të më nderosh, ndryshe ta hoqa fillin”,- më tha. “Do mundohem, profesor”,- i thashë. Më dha skenarin, e lexova. “Mund ta bëj”,- i thashë. Ai më ofroi ndihmën e tij dhe të them të drejtën më ka ndjekur gjatë xhirimeve. Aq sa pa i pëlqeu dhe më tha: “Ruaj këtë natyrë, unë nuk të them më asgjë”. Ishte një rol që më evidentoi edhe më tej për të vijuar me të tjerë filma, si “Vajzat me kordele të kuqe”, “Përballimi” etj., kam luajtur edhe role pozitivë unë, si shoqëruesi i turistëve në filmin “Fijet që priten”, po spiun jam edhe aty. Po jam spiun i Partisë, isha spiun pozitiv.

Shumë role negative keni luajtur… spiunë, fashistë…

O po të tëra. Kam luajtur shumë role negative: ballistë, spiunë, italianë, gjermanë… Dhe tani që dalim për kafe më identifikojnë me rolet.

Përse ju jepnin vetëm role negative?

Jo, i zgjidhja vetë. Komunikoja shumë me regjisorët. Rolet negative mund t’i mbushësh me mish, kurse për rolet pozitive mjaftonte një kapelë me yll në ballë, një pushkë në krah, ca fjalë për Partinë dhe kaq qe. Kurse roli negativ të jep mundësinë të krijosh tipa, karaktere… Dhe jam munduar që roli nga roli të mos jetë i njëjtë. Të ndryshojë nga Zhani. Zhani në jetë, është ky që është, ama në kinematografi duhet t’i përshtatet rolit. I kam shërbyer punës sime dhe jam pëlqyer. Deri te fëmijët e vegjël më njohin nga filmat.

Si ndikonin rolet që luanit në jetën tuaj? Ju thatë se ju identifikonin me rolet…

Posi jo, madje edhe policia më ndalonte. Nuk më linin të dilja nga hoteli. Mora një letër nga Ministria e Brendshme me firmë dhe me vulë, se nuk dilja dot nga policia. Kur luaja te “Mysafiri” dhe më duhej të lija mjekër, vajta në Korçë. Më thërret Sekretari i Partisë, Enver Halili, dhe më thotë: “Ore i ke mendtë, ç’më del me këtë mjekër?!” “Po ç’të bëj i thashë, njeri jam dhe unë, të mos dal nga shtëpia për një kafe deri sa të mbarojë filmi?”. “A i di ti rregullat e Partisë?” “Ju i dini më mirë,- i thashë,- po unë e kam një letër”. Kur pa letrën nga Ministria, u tërhoq. “Epo mirë,- tha,- kur e lejojnë ata…”

Ju konsideronin si të dyshimtë?

Njerëzit e partisë më shikonin shtremtë asokohe, u dukesha i dyshimtë. Kishte nga ata që më thoshin: “Ore, ç’i ke këto role negative ti? Pse nuk bën një rol pozitiv?” Bëja edhe unë humor me ata. Kurse tani më flasin, më buzëqeshin, më qerasin.

Ku ndiheshit më mirë, në teatër apo film?

Teatri është shumë i vështirë, pasi duhet të mësoje faqe të tëra dhe jo vetëm tekstin tënd, por edhe të partnerëve. Më komod isha në kinema, pasi kam pasur edhe një natyrshmëri të lindur para kamerës, por fitova shumë edhe nga Mihallaq Luarasi dhe Piro Mani. Mihallaqi ishte marrë edhe me kinematografi.

Për herë të parë, në filmin “Kur xhirohej një film” trajtohej një temë sociale, ç’kujtoni nga ajo kohë?

Ishte një temë shumë e mprehtë sociale, e cila nuk ishte e rrahur asokohe. Aq më tepër roli im ishte i tillë që duhet të isha edhe baba, edhe regjisor. Ishte shumë e vështirë të luaje me fëmijët. Ata ishin shumë të natyrshëm. Duheshe të përshtateshe me ta, të futeshe në botën e tyre. Fillimisht e pata të vështirë, sepse duhet të silleshe si një baba i tyre, jo si një regjisor, të dije si duhet të bisedoje me ta. Në film duhet të të flasin sytë, vetulla, buza. Kur merren plan-portret, një lëvizje mimike flet më shumë se fjalët. Dhe unë të gjitha këto i kam mbajtur gjithnjë parasysh.

A kujtoni ndonjë incident që ju ka ndodhur në sheshxhirim?

E dini ç’më ka ndodhur? Kur luaja rolin e një gjermani te filmi “Tre ditë nga një jetë”, donin të më zbardhnin flokët me ujë oksigjeni e ma dogjën, ma bënë fulltakë. Po ashtu, kur xhiroja për filmin “Vitet e para”, unë isha ndihmësmitraljer. Piro Mani ishte mitraljer, ndërsa unë i mbaja fishekët. Për të krijuar situatat, këta fusnin stroçka në dhe. Ishte një lloj dinamiti që vinte nga Rusia, që po të futej thellë në tokë, ngrinte përpjetë gurë, dhe… Ç’të të them!! Kishim bërë një si kodrinë dhe që aty shtinim ndaj italianëve. Për të realizuar efektin e mortajës që na qëlloi, këta komanduan stroçkat. Po i kishin futur aq thellë, saqë u ngritën përpjetë gurë e plisa. Më ka rënë një gur në stomak, që më la pa frymë. Një javë të tërë kam ndenjur shtrirë. Po në të njëjtin film ishte ndërtuar një kapanon me krevate marinari prej druri. Kishim marrë ca pleq si figurantë. Më të shemben dhe zunë njëri-tjetrin. Na u plagos një plak.. Asokohe kishte vështirësi të mëdha në xhirime dhe të tilla incidente kanë ndodhur, veçse ne punonim me shumë pasion, pavarësisht kushteve.

Kë do veçonit nga aktorët?

Do të veçoja Sulejman Pitarkën. Ka qenë aktor i jashtëzakonshëm. Më ka dashur shumë. I kam shkuar edhe në shtëpi, i kam rregulluar televizorin dhe më dha një makinë shkrimi. Margarita Xhepa po ashtu, ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë e mirë.

Ju vjen keq që qëlloi të punonit në një periudhë izolimi? Mendoni se do kishit bërë karrierë jashtë vendit?

Po të ishte hapur Shqipëria, do kishim dalë jashtë. Madje, kemi pasur skena që duheshin xhiruar jashtë. Për shembull te filmi “Fijet që priten” duhet të xhironim në ishJugosllavi, por nuk na lanë. Pati një incident me varkat në Shëngjin dhe na ndaluan, edhe pse e kishim marrë lejen më parë. Me moshën që kishim dhe filmat që bënim, do kishim spikatur edhe në Europë.

*Ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

vijon…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura