EKSKLUZIVE/ “Superiorja pa lojtarë në Europian se nuk ka akademi profesionale”, Vasil Ruci: Boshti i Kombëtares janë treshja…

Apr 19, 2024 | 8:32
SHPËRNDAJE

Nëse duhet të pyesim se si shënohet një gol, padyshim që një përgjigje mund ta japë mësë miri Vasil Ruci. Ish-sulmuesi legjendar i Flamurtarit kthehet të flasë në një intervistë për “Panorama Sport”.

RUCI

Vlonjati prek disa problematika të cilat kanë të bëjnë me menaxhimin që u bëhet të rinjve në akademitë e vendit, faktin që Superiorja nuk dërgon dot lojtarë në ekipin kombëtar, si edhe sa shanse ka Shqipëria që të bëjë një surprizë në kampionatin europian të Gjermanisë.

Kombëtarja ka arritur një sukses të madh me kualifikimin në Europian, por përse sot nuk ka një lojtar nga kampionati shqiptar, çfarë nuk shkon?
Ekipet e kampionatit shqiptar, ose akademitë e tyre nuk janë bërë ende profesionale. Çfarë do të thotë kjo? Që të hysh në një akademi profesionale duhet të kalosh shumë filtra. Të gjitha këto akademi duhet ta kenë numrin e kufizuar. Që të jesh në akademinë e një ekipi të mirë, duhet të kalosh disa kontrolle dhe detyrimisht këta fëmijë duhet të rriten me shumë trajnerë dhe jo vetëm me një. Gjendja ekonomike na vendos padyshim në vështirësi, por duhet të kemi futbollistë që të përfaqësohen në ekipin e tyre dhe në ekipin kombëtar. Unë kam parë edhe akademinë e Arsenalit. Një ekip 17 vjeçarësh e stërvisnin 4 trajnerë të ndryshëm çdo ditë, por filozofia mbetej e njëjtë.

Po mundoheni të thoni që ne kemi cilësi te moshat, po menaxhimi që u bëhet atyre nuk është ai i duhuri?
Arsyeja është e thjeshtë, është ekonomike. I bëjmë ekipet e vogla, më shumë që t’iu marrim lekët sesa t’i edukojmë në mënyrë profesionale që të dalin futbollistë në të ardhmen. Varet se çfarë objeksioni kanë ekipet. Nuk mund ta kthesh akademinë burim të ardhurash, por duhet të shpenzosh te moshat dhe të rritësh lojtarë që në të ardhmen do të sjellin edhe lekët. Ne kemi ekipe në Superiore që nuk kanë ekonomi të mirë dhe detyrohen që lekët t’i nxjerrin nga akademitë, jo të gjitha. Gjithsesi, e rëndësishme është filtrimi i fëmijëve që stërviten në një ekip profesionist. Sepse prindi thotë që unë do të çoj fëmijën të bëjë sport sepse më edukohet. Por, jo, nuk duhet të mendojmë më kështu. Talentet duhet të rrinë nëpër akademitë.

Për t’iu rikthyer, mos ndoshta Kombëtarja e ka rritur shumë nivelin dhe ka krijuar një diferencë të madhe me nivelin e kampionatit shqiptar?
Doja ta cilësoja kështu. Jam në dilemë për diçka. Të kem një kampionat shqiptar shumë të mirë dhe një Kombëtare pak më të dobët apo një Kombëtare të mirë dhe një kampionat shumë të dobët. Këtë dilemë nuk e zgjidh unë, por duhet ta zgjidhin ata që drejtojnë futbollin në Shqipëri.

Nëse do të ishte në dorën tuaj, cilin opsion do të zgjidhnit nga kjo dilemë?
Unë do të doja t’i kisha të dyja shumë të mira. Por, ekipi kombëtar është për t’u admiruar sepse ka ardhur një nga brezat më të mirë. Një ndër ekipet më të mira që kemi pasur në historinë tonë.

Për t’u futur konkretisht te lojtarët, cili është boshti i Shqipërisë sipas Vasil Rucit?
Në përgjithësi ekipet kombëtare që janë të mira, kanë një bosht të fortë. Unë pretendoj se boshti i Kombëtares sonë të jetë, Gjimshiti, Asllani dhe Broja. Këta dy të fundit do t’i fitojmë me kalimin e kohës, kur edhe ata të fitojnë më shumë eksperiencë sepse janë akoma të rinj dhe pastaj do bëhet si puna e gjalpit që rreshket, çdo gjë do të jetë më e lehtë.

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS “PANORAMA SPORT”

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura