EKSKLUZIVE/ “Sulmin e fashistëve e printe Qazim Mulleti!”- I mbijetuari i katërt i ‘Kodrës së Kuqe’ tregon momentet e betejës ku u vra Sadik Stavaleci dhe Xhorxhi Martini: Plagët e Vojo Kushit i mjekova me baltë dhe…

Sep 3, 2021 | 19:36
SHPËRNDAJE

Vojo Kushi-XHorxhi-Martini-Sadik_stavaleci-Muharrem-LLanaj-Deshmitari-Kodra-KueqAFRIM IMAJ/ Gazeta Panorama.al publikon në numrin e sotëm dëshminë e të mbijetuarit të betejës së Kodrës së Kuqe, ai është Muharrem Llanaj, i cili është ‘zhdukur’ nga beteja historike, ku Vojo Kushi u hodh mbi tankun e fashistëve. Në këtë betejë veç “Tarzanit”, mbetën të vrarë dhe Sadik Stavaleci dhe Xhorxhi Martini, ndërkohë që Muharrem Llanaj gjatë kësaj beteje ka mbetur i plagosur nën rrënoja.

Në numrin e kaluar u botua dëshmia e Muharrem Llanajt, i cili ka treguar në një interviste për Gazetën Panorama.al kur ishte ende gjallë, detajet e betejës historike dhe manipulimin që iu bë asaj ngjarje nga komunistët. Sipas tij “në Kodrën e Kuqe ishin katër, jo tre sa thoshte Enver Hoxha”.

I katërti i Kodrës së Kuqe, Muharrem Llanaj u gjend në shtëpinë e Ije Farkës mëngjesin e 6 tetorit, me porosi të Miladin Popoviçit dhe Ramadan Çitakut për të vendosur kontakte me Enverin e për të marrë një radio komunikimi për teqenë e Martaneshit, ku ishte komanda e tre njësiteve të Veriut. Të parët që takoi aty ishin Sadik Straveleci, Xhorxhi Martini e Vojo Kushi, tre luftëtarët që pak çaste më vonë nënshkruan atë që u fut në histori si epopeja e Kodrës së Kuqe. Në pasdite u shfaq në bazë Gogo Nushi e Enver Hoxha. Në komunikim me ta i njohu me porositë e Popoviçit, mori udhëzimet e tyre, bashkë me 200 napolona për eprorët e zonës së Martaneshit. “Gjysmë ore pas largimit të Enverit, kujton i mbijetuari, -nisi sulmi i rrufeshëm”.

Çastet e para të rrethimit të bazës dhe reagimet e vrullshme nën komandën e Vojo Kushit ishin preludi i betejës së përgjakshme që zgjati gjashtë orë. Pjesa në vijim e kujtimeve të Muharrem Llanajt zbulon detaje të tjera të panjohura nga beteja e 7 tetorit 1942. I katërti i Kodrës së Kuqe dëshmon për herë të parë se në krye të sulmit te Kodra e Kuqe printe prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti dhe një tabor me oficerë shqiptarë të rekrutuar nga italianët.

(Vijon nga numri i kaluar)

Në fund të arrës ishte një pus, i cili kishte ujë. Me urdhër të Vojos hodhëm aty dokumentet pasi i bëmë copë-copë. Pastaj afrohemi pranë njëri-tjetrit dhe duke u përqafuar betohemi për të luftuar dhe për të mos rënë gjallë në duart e armikut. Vojua pa përpara një barangë prej dërrase me vegla bujqësore, mbrapa së cilës ishin disa gropa të hapura nga tiranasit për prodhimin e tullave të dheut dhe u drejtua nga ne: “Këtu do ta bëjmë rezistencën”.

Pastaj na caktoi gropat ku do pozicionohej çdonjëri. Në dy gropat e thella, që arrinin 70 cm, vendosi Sadikun dhe Xhorxhin. Mua më caktoi një gropë nën Xhorxhin dhe vet u ul në një tjetër që ishte më pak e thellë se të tjerat. Fashistët na kërkonin nëpër bahçe, sepse pasi kishin kapur Haxhiun dhe pas informimit që i kishte bërë italiania për numrin tonë, na zbuluan që ishim vendosur nëpër gropa. Filloi menjëherë lufta.

Dikush nga krahu tjetër thirri me zë të lartë: Dorëzohuni! Rrufeshëm Vojua hodhi granatën në drejtim të turmës së tyre. Për çaste të tëra vazhdoi shkëmbimi i zjarrit. Kur kishin kaluar 20 minuta, Vojua i afrohet Xhorxhit dhe i thotë: “Kujdes fishekët, mos shtir kot” e më pas na drejtohet ne “Çdo plumb në shenjë, ndryshe do të kemi probleme”. Kudo u bë tym dhe re e zezë nga granatat dhe plumbat. Në fillim komandanti i tyre u thoshte para, ndërsa tani u thoshte fashistëve tërhiquni, merrni të vrarët e të plagosurit dhe largohuni. Zëra të tjerë thoshin “Janë shumë!”, “Është udhëheqja e Partisë!” “Kanë mitraloza!”. Diçka më vonë u dëgjua britma e një fashisti tjetër: “Kaloni nga e djathta, rrëzë mureve të shtëpive dhe u merrni krahët!”.

Si përgjigje e saj u dëgjua zëri i Vojos, luftoni nga krahu i majtë. Beteja sa vinte e bëhej edhe më e ashpër. Navata e Vojos, dhjetëshja e Xhorxhit, bereta ime dhe e Sadikut, villnin zjarr. Nga jashtë vinin zërat e tmerruar të të plagosurve që kërkonin ndihmë për t’u tërhequr. Rezistenca i detyron fashistët të kthehen mbrapsht, duke tërhequr të vrarët. Në tërheqjen e dytë rrëze mureve të shtëpive, ata përdorën me shumicë bombat e dorës, por nuk mungoi edhe përgjigja jonë duke hedhur të katërt njëkohësisht disa bomba që e bënë vendin flakë e zjarr.

Mali i tymit mbuloi çdo gjë përqark, ndërsa në fushë dukeshin vetëm kërcejtë e lakrave, sepse gjethet u ishin përzhitur nga baruti. Situata e krijuar i detyroi fashistët të pozicionoheshin diku më larg. Pas 10 minutash, përveç automatikëve e mitralozave, ata nxorën edhe një mitraloz të rëndë mbi çatinë e një shtëpie dykatëshe dhe filluan të qëllojnë pa ndërprerë. Gropa ku kishte zënë pozicion Vojua dhe ajo ku isha pozicionuar unë ishin më të rrezikuara, pasi ishin më të cekëta se dy të tjerat, ku qëndronte Sadiku me Xhorxhin.

I gjendur në këto rrethana Vojua u çua dhe u nis përmes predhave. Po kështu bëra dhe unë. U nisa mbrapa tij. Pas 30 metrash kaluam murin e oborrit dhe u futëm në shtëpinë e një baxhevani. Gjatë kësaj kohe Vojua u plagos në kofshë, ndërsa mua më zuri një predhë shkarazi në kokë. Gjaku më mbuloi fytyrën. Me të rënë në oborr, i zoti i shtëpisë iu drejtua Vojos: “Jeni në rrezik. Shtëpinë time italianët nuk e kanë kontrolluar akoma. Ata i nxjerrin të gjithë jashtë dhe kontrollojnë shtëpitë në çdo skutë. Vetëm në mbrëmje na lënë të futemi brenda.”Vojua, pa e lënë bahçevanin ta çonte deri në fund ligjëratën, i kërkoi të na ndihmonte për të na fshehur në tavanin e shtëpisë.

Muharrem Llanaj me bashkeshorten

Nuk ka mundësi, u përgjigj ai, me përjashtim të këtij fshatarit këtu, i tha për mua, duke i shpjeguar se mund të më justifikonte para italianëve si punëtorin e bahçes së tij. –Si thua, do qëndrosh? M’u kthye Vojua aty për aty. -Në asnjë mënyrë, i thashë, unë jam ilegal prej kohësh dhe italianët më kërkojnë. Pas një pauze të shkurtër, i zoti i shtëpisë, i zënë ngushtë, na u drejtua: “Kaloni në këtë murin e shtëpisë ngjitur me tim. Aty banon një rojtar pyjesh që nuk ndodhet në shtëpi, sepse ka shkuar në Korçë”. Ashtu bëmë. Kaluam murin e avllisë së bahçevanit dhe ramë në një oborr të ngushtë e nëpërmjet një dere të vogël u futëm brenda në depo.

Depoja kishte një derë tjetër që të çonte në një korridor çimentoje, në dy anët e të cilit ishin dy dhoma përdhese. Pasi i kaluam të gjitha këto, dolëm në një oborr të gjerë duke iu drejtuar portës kryesore, e cila ishte e mbyllur me bravë. Në këtë kohë u zbuluam nga fashistët që ishin para portës në rrugën kryesore. Rruga fund e krye ishte plot e përplot me italianë që thërrisnin: Dorëzohuni! Dorëzohuni! Një moment Vojua u përgjigj me zë të lartë: “Nuk dorëzohemi! Dhe menjëherë na bëri me shenjë të ktheheshim mbrapsht. Në nxitim e sipër hapi penxheret e dy dhomave dhe filloi të kërkojë automatikun e rojtarit të pyllit. E gjeti poshtë dyshekut të një krevati, e hodhi krahaqafë dhe vazhdoi të kërkojë dhomë më dhomë për municion. Nga jashtë vinin zëra në formë porosish “Mos dilni se vjen kontrolli i karabinierisë të gjejë komunistët e fshehur”.

Vojua doli me automatik në dorë dhe bashkë u futëm në depo. “Rezistencën do ta bëjmë këtu!”, më tha duke u kthyer nga unë. Filluam të bëjmë llogore me thasë, me blloqe çimentoje, me tulla qerpiçi që i gjenim rreth e qark.  Te dy portat nisëm të bëjmë gërmime dheu. Vojua më caktoi portën e vogël që të çonte në oborrin e ngushtë nga ishim futur në fillim. Për vete mori derën e madhe që lidhej me korridorin e me dy dhomat që komunikonin me portën kryesore. Breshëritë nga jashtë sa vinin e shtoheshin. Një çast Vojua afrohet pranë meje dhe më thotë: Hape derën se do të shikoj shokët tanë!

Gjeti një govatë dhe e mbështeti pas murit. Hypi mbi të dhe duke u zgjatur u mundua të shikonte për Xhorxhin e Sadikun që kishim lënë në pozicion pak më tej. Zbriti më ngadalë për mos t’u diktuar nga italianët që ishin rreth 35 metra larg. Kur u kthye më thotë se Sadiku lufton para, ndërsa Xhorxhi mbrapa. Sakaq nxori këpucën e këmbës së majtë që ishte e mbushur me gjak dhe më tha se kishte filluar t’i digjte plaga.

U kthye nga unë që ta ndihmoja për ta mjekuar, por kur më pa të gjakosur në fytyrë, ndërroi mendje. Mori shpejt e shpejt xhaketën ushtarake, i hoqi astarin, e bëri rripa-rripa me thikë, dërmoi një plitharë me këmbë dhe pasi urinoi në të më fashoi rreth e qark kokën. Pastaj më erdhi radha mua ta mjekoja. I bllokova gjakun me balt dhe urinë, duke ia shtrënguar fashaturën në rrëze të kofshës. Në këtë moment dëgjohet zëri i Xhorxhit: “Të vranë Sadik!

Më pas dëgjohet hedhja e fundit e granatës së Xhorxhit, i cili goditet në të njëjtën kohë nga mitralozi i rëndë i pullazit të shtëpisë. Sakaq gjëmon britma e tij e fundit: “Të rrojë Partia Komuniste!” dhe fjala “vdekje fashizmit” që iu ndërpre në mes. Zjarri i fashistëve vazhdoi mbi kufoma edhe 5 minuta të tjera, sepse nuk siguroheshin se kishin vdekur. Më kujtohet Vojua në llogoren e tij, me fytyrën e zbehur e të zverdhur nga gjaku i shumtë që i kish rrjedhur nga kofsha duke m’u drejtuar: “Shiko se në oborrin e vogël të derës tënde, në murin e avllisë është një kamare e vogël me vegla bujqësore si sqepar etj. Ajo do hapur se na vlen si penxhere për të luftuar kundër fashistëve kur të zbulohemi, vetëm me kujdes se aty afër avllisë janë fashistët dhe mos na zbulojnë.

Hoqa veglat nga kamarja dhe me thikën me dy presa që mbaja, munda të thërmoj tullën e fundit të plitharit, duke sajuar një dritare të vogël nga ku dallohej lëvizja e fashistëve. Teksa njoftova Vojon për këtë, ai më tha: “Vëri rrezen derës dhe lufto në llogore”. Në kohën që po mbyllja portën, armët kishin pushuar, forcat armike ishin shpërndarë në bahçe dhe dëgjoheshin zërat e tyre që bisedonin. Përballë me ne, diku larg, ishin dy shtëpi dykatëshe, në njërën prej të cilave dallova një mace që u hodh nga njëri pullaz në tjetrin.

Ndërkohë filluan automatikët e italianëve të qëllonin mbi çatitë e shtëpive duke rrëzuar tjegulla, që shkaktuan rrëmujë dhe alarm të zhurmshëm. Në zhurmë e sipër dëgjova zërin e prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti: “Allahu ju shkreftë, çka ndodhi?”. Një italian solli macen e vrarë që e mbante në dorë, ndërsa një marshall tha se menduam se po dilnin komunistët nga çatitë e shtëpive prandaj qëlluam, por ajo paska qenë mace. Ja tregova këtë ndodhi Vojos, i cili kur e dëgjoi filloi të qeshte. Pastaj u ngrit dhe shkoi përsëri në dy dhomat për të kërkuar fishekë për automatikun, por kur e pa që nuk kishte u kthye i mërzitur dhe i vrenjtur.

U futëm në llogore. Deri aty vinte me shkëputje zëri i prefektit të Tiranës që thërriste me një ton autoritar: Kontrolloni të gjithë, burra e gra, kontrolloni mirë nëpër mure, tavane, depo etj. Bashkë me zërin e tij dëgjohej britma e karabinerëve “Hapeni portën!” dhe zhurma që krijonte përplasja e tabanëve të pushkëve mbi dyert e shtëpive. Pastaj një grup i madh me ushtarë e policë u hodh nga avllia e portës së madhe, shkatërruan bravën dhe u futën në oborr.

VOJO Kushi

Midis tyre kishte dhe shqiptarë. Pasi kontrolluan të dyja dhomat, dëgjuam zërat e tyre që pohonin se këtu nuk paska njeri. Një oficer shqiptar nga Veriu, i rekrutuar nga fashistët, provoi të hapte derën e Vojos dhe kur pa se ishte e mbyllur, u tha shokëve të largoheshin. Vet u mat të qëllonte derën me shkelm. Vojua që e kontrollonte mirë situatën, duke vëzhguar lëvizjet nga të çarat e derës, nxorri paksa pistoletën përskaj dhe e qëlloi brinjë më brinjë. “Of, of, më vranë shokët e mi!” u dëgjua rënkimi i tij i mbytur. “Tërhiquni!” urdhëroi dikush nga jashtë kur pa fashistin shqiptar të rrëzuar përdhe. Urdhërdhënësi filloi të pyeste të tjerët duke kërkuar njeriun që kishte qëlluar pas shpine oficerin. Mënyra si ishte goditur ky i fundit nga Vojua, të krijonte përshtypjen se dikush e kishte qëlluar pas shpine.

Kjo i terrorizonte edhe më shumë. Në makinën e parë që u afrua, fashistët hipën të plagosurin, por pa u larguar as 10 metra ai dha shpirt. U rikthyen sërish me tërbim. Këtë radhë sulmi i tyre u drejtua drejtpërdrejt nga porta e derës ku ishte Vojua. Një rreshter shqiptar iu afrua asaj dhe me pistoletë në dorë thërriste “Dorëzohu! Nuk ke ku shkon!” Në të njëjtën kohë naganta e Vojos hapi zjarr mbi trupin e tradhtarit, i cili u kthye mbrapa dhe i tha shokut në krahë: “Pse jemi zënë, për një palë këpucë më vrave? Dhe përplaset përtokë i vdekur. Përsëri e njëjta pamje, të njëjta veprime. Dëgjohet urdhri largohuni, dhe tërheqin të vrarin.

VIJON NESER

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura