EKSKLUZIVE/ Rrëfehet presidenti Llupa: Më parë bëja tifo për Tiranën, Elbasanit i premtoj titullin kampion

May 8, 2024 | 9:44
SHPËRNDAJE

Ekipi i Elbasanit do të ngrejë nesër trofeun e Kategorisë së Parë, duke kurorëzuar kështu një sezon të suksesshëm. Meritë për këtë gjë ka edhe presidenti i ekipit, Kujtim Llupa, i cili mori guximin dhe investoi në futboll, pikërisht në një qytet si ai i Elbasanit, duke ngritur një skuadër me lojtarë cilësorë dhe të mirëpaguar.

presidenti llupa i elbasanit

Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, Llupa rrëfehet për këtë sipërmarrje të re në jetën e tij, duke premtuar se vitin e ardhshëm do të synojnë “Final 4”, me objektivin parësor që sa më shpejt të arrihet edhe te titulli kampion. “Problemi” i tij i vetëm është se dikur ka qenë tifoz i Tiranës, duke ditur rivalitetin e atyre të Elbasanit me bardheblutë, por ndihet i vlerësuar për mikpritjen që i kanë bërë në këtë qytet. Presidenti ka një model që dëshiron të ndjekë në futboll, dhe është ai i Florentino Perez të Realit të Madridit. Në fund, ai pohon se vetëm një gjë mund ta largojë nga investimi në futboll dhe varet nga vetë ai.

Llupa, cila ishte shtysa që të investonit në futboll dhe pikërisht tek Elbasani. Ju lidh diçka me këtë qytet? 

Me këtë qytet më lidh një marrëdhënie që kam këtu me një mikun tim prej më se 20 vjetësh, administratorin e AF Elbasanit, Marenglen Çoku. Më shpalosi projektin për klubin, të cilin bashkërisht më pas e vumë në zbatim.

Çfarë të ka bërë përshtypje në këtë qytet përgjatë këtyre muajve që jeni pjesë e futbollit? 

Qyteti i Elbasanit shquhet për mikpritjen, si gjithë Shqipëria në fakt, por ka një tifozëri të veçantë. Mua në Elbasan tifozët më kanë pritur shumë mirë, më kanë respektuar shumë dhe unë ua kthej me të njëjtën monedhë. I vlerësoj shumë për kontributin që japin për ekipin e zemrës dhe qytetin.

Si do ta përkufizoje rrugëtimin në këtë kategori këtë edicion dhe cilin do falënderoje? 

Mund të them se ka qenë një rrugëtim i bukur dhe skuadra ka treguar vlerat e saj dhe jo më kot jemi kampionë. Kam falënderime për të gjithë këtë sezon që sapo lamë pas, me trajnerin Dede, administratorin, drejtorin, lojtarët dhe të gjithë me radhë, pa diskutim edhe tifozët. Pa harruar sigurisht kryetarin e bashkisë, një njeri që e do futbollin dhe na ka përkrahur në çdo moment dhe vazhdon ta bëjë. Personalisht më pas, kam edhe një falënderim për familjen time që më ka qëndruar pranë, sepse mbi të gjitha futbolli të merr edhe kohë, duke i hyrë në “hak” familjes.

Çfarë synimesh keni me këtë klub futbolli. Janë plane afatgjata? 

Investimi është afatgjatë, nuk bëhet fjalë për kohë të shkurtër. Për rezultatet dhe objektivat që kemi, mos na pyesni sot. Sot na lini të festojmë arritjen në Superiore dhe titullin kampion (qesh). Megjithatë, sa i përket vazhdimësisë, mendoj që do të synojmë “Final 4”. Ndoshta vitin e ardhshëm edhe mesi i tabelës nuk do të ishte keq, por kuptohet që synimet janë gjithnjë për lart.

Çfarë drejtuesi jeni ju? Ai që pëlqen të kërkojë vazhdimisht llogari te skuadra apo t’i lini gjërat të rrjedhin dhe në fund të shihni se ku arritët? 

Nuk bëj pjesë te tipat impulsivë. Edhe nëse ndodh ndonjë humbje apo situatë jo e mirë, jam nga ata persona që e lë situatën të qetësohet dhe më pas ulem edhe e diskutoj, me administratorin, drejtorin sportiv, si edhe trajnerin Dede, të cilin dua ta falënderoj për punën që ka bërë në krye të kësaj skuadre.

Ju vetë me kë ishit tifozë, para se të merrnit drejtimin e Elbasanit?

Te kjo përgjigje do të kem përplasje me tifozët e mi, me “Tigrat”. Unë kam qenë tifoz me Tiranën. Nuk mund të gënjej, sepse nuk jam nga ata që e bëj, sidomos tek kjo pjesë (qesh).

Keni një model që doni të ndiqni në futboll? 

Brenda vendit nuk mund ta them dot, sepse i kam pa përjashtim të gjithë presidentët e Superiores dhe Kategorisë së Parë miq dhe nuk i ndaj dot. Por, do të zgjidhja modelin e Florentino Perez.

Si president, çfarë këshille do t’i jepnit ekipit për të shkuar përtej këtij suksesi që ka arritur? 

Do t’i thosha që të punojnë çdo ditë për të arritur rezultatet më të mira për ekipin dhe qytetin. Me punë mund të bëjmë shumë gjëra të mira të gjithë bashkë.

A do të festojë sërish qyteti një titull kampion?

Ta them shkurt. E premtoj këtë gjë.

Cili ka qenë pengu i këtij viti që po lëmë pas, nëse ka pasur? 

Peng? I vetmi peng është dënimi i tifozëve që nuk e meritonin katër javë jashtë stadiumit. Por, do t’i bëja edhe një apel tifozëve të mi. Nuk do të dëshiroja vetëm fyerje personale nga ata ndaj çdo individi dhe të mos hedhin sende në fushë. Po nuk bënë këto të dyja, me ata do të jem deri në fund të jetës.

Ndoshta është herët, por cila do të jetë ajo gjë që mund t’ju detyrojë të mos investoni më në futboll? 

Vetëm nëse do të gaboj vetë. Do të jetë diçka që varet nga unë dhe miku im, administratori.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura