EKSKLUZIVE/ Lojtarët e Vllaznisë presin dy rroga, reagon Lici: Ja pse nuk i bëjmë dot pagesat

Mar 27, 2020 | 9:02
SHPËRNDAJE

Përplasjet në Këshillin Bashkiak të Shkodrës po mbajnë peng likuidimin e rrogave të futbollistëve të Vllaznisë, por gjithashtu zyrtarëve të tjerë në klubin shkodran. Dje bashkia reagoi publikisht, si kurrë më parë për çështjen e pagave te Vllaznia.

Jonuz Vllaznia

“Bashkia Shkodër po ndjek me shqetësim situatën e krijuar pranë KF Vllaznia, për shkak të mos miratimit të pasqyrave financiare nga ana e Këshillit dhe dështimit disa herë të mbledhjes së Asamblesë së KF Vllaznia. Të gjendur në këtë situatë dhe në mungesë të një vendimmarrje nga Këshilli, ka ngelur pezull edhe procesi i likuidimit të pagesave për punonjësit e KF Vllaznia.

Stafi që administron KF Vllaznia sh.a, është i gatshëm të likuidojë të gjitha paratë menjëherë, sapo të ketë vendimmarrjen për tabelat financiare. Bashkia Shkodër shpreh publikisht shqetësimin që kjo procedurë po vonon duke vështirësuar punën e KF Vllaznia sh.a”, citohej në qëndrimin bashkisë në faqen zyrtare në “Facebook”. Ndërkohë, “Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta pranë klubit, se aktualisht lojtarët dhe stafi nuk kanë marrë pagat e muajit janar dhe shkurt, ndërkohë që jemi në fund të marsit dhe nëse nuk do të ketë një shlyerje edhe këto katër ditë, atëherë bëhen në total tre rroga.

ADMINISTRATORI

“Panorama Sport” kontaktoi me adiministratorin e klubit shkodran, Suad Lici, për të mësuar më tepër rreth ngërçit që po trazon situatën te Vllaznia, për më tepër në një moment ku nuk mund të flitet për futboll, për vetë faktin se vendi është i izoluar pas përhapjes së koronavirusit.

suad-lici-foto

“E vërteta është që mosmiratimi i bilanceve financiare nga ana e Këshillit Bashkiak, që njëherësh është Asambleja e klubit Vllaznia, ka sjellë këtë situatë të pakëndshme. Pa u miratuar bilancet, ne si shoqëri nuk mund të bëjmë likuidime. Fondet i kemi, por në këtë moment nuk mund të veprojmë pa miratimin e pasqyrës financiare nga Këshilli Bashkiak”, ka thënë fillimisht Lici. I pyetur nëse gjatë orëve të fundit do të shikohet ndonjë mundësi për zgjidhjen e këtij problemi, administratori Lici u shpreh:

“Nuk mund të them asgjë, pasi nuk e di se kur mund të mblidhet Asambleja, për më tepër në këtë situatë dhe vetë kushtet ku jemi”. Kësisoji, lojtarët e Vllaznisë dhe zyrtarët e tjerë të klubit, duhet të presin kur të mblidhet Këshilli Bashkiak, në mënyrë që ata të marrin më pas rrogat.

Mbledhja ka dështuar fillimisht më 5 mars, ndërsa u shty për më 15 mars. Mirëpo, si për ironi të fatit koicindoi që edhe kjo datë të dështonte për mbledhjen e Këshillit, pasi ishin fillimet e ditëve kur në Shqipëri u bllokua gjithçka pas përhapjes së koronavirusit. Kjo nuk është hera e parë që te Vllaznia ka probleme të tilla, me futbollistët që tashmë janë mësuar me zvarritjen e pagave.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura