EKSKLUZIVE/ Fondet e FIFA-s për COVID, zhgënjim në Kategorinë e Parë: Nuk kemi marrë asnjë kacidhe

Jan 23, 2022 | 20:23
SHPËRNDAJE

Ka zhgënjim edhe në Kategorinë e Parë. Shumica e klubeve nuk kanë kurrfarë informacioni për fondin e akorduar nga FIFA dhe aq më pak për shumën që shkon në 2.1 milionë dollarë. Pranojnë se kanë marrë nga ana e FSHF-së dy paga lufte në formë ndihme në kohën e pandemisë, por vetëm kaq.

fshf

“Panorama Sport” ka kontaktuar me drejtuesit e 16 klubeve pjesëmarrëse në këtë ligë, për t’i pyetur dhe mësuar diçka më tepër për këtë çështje. Ka nga ata që zgjedhin të heshtin, por edhe nga ata që e thonë troç: “S’na kanë dhënë asnjë kacidhe”.

ERZENI
Altin Keçi nuk ka dijeni për këtë fond. Aktualisht ai mban detyrën e drejtorit të shumësportëshit pranë Bashkisë së Shijakut, por në periudhën e shpërndarjes së fondit ishte shef klubi tek Erzeni.

“Në atë periudhë kam qenë shef klubi. Me sa unë mbaj mend, nuk na ka ardhur asnjë ndihmë nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit! E kam dëgjuar që u shpërndanë në atë periudhë, por unë s’di të kemi përfituar. Kaq mund të them për këtë çështje”, tha ai.

TOMORI
Petro Sinjari është emëruar rishtas si administrator te Tomori dhe për këtë histori deklaron:

“Unë jam i ri në këtë detyrë dhe nuk jam në dijeni. Në vazhdim do hap letrat dhe do shikoj nëse ka ardhur ndonjë ndihmë nga FSHF. Nuk mund të them më shumë, derisa s’e njoh këtë rast”.

BYLISI
Gazeta kontaktoi edhe me shefin e klubit të Bylisit, por Arbër Sino nuk preferoi të fliste. Tentuam të flisnim edhe me presidentin Besnik Kapllanaj, por nuk u prononcua.

BESËLIDHJA
Nga klubi Besëlidhja kanë zgjedhur që të mos komentojnë këtë çështje, ndërsa hapur thanë: “Nuk dëshirojmë që të flasim”.

APOLONIA
Olsi Bregu në periudhën kur është dhënë ndihma nga ana e FSHF-së për klubet ka mbajtur detyrën e administratorit tek Apolonia dhe më mirë se askush, është ai që mund të ketë informacion.

“Po, kemi marrë dhe madje dy herë. Shuma ka qenë 30,000 të reja, por me sa di ka pasur edhe 15,000 lekë për persona që kanë qenë në punë të tjera të deklaruara. Ne i kemi shprehur mirënjohjen FSHF-së në atë periudhë sepse ka qenë vërtet një ndihmë. Me sa mbaj mend, na janë dhënë diçka afro rreth dy vite më parë, ndoshta mars apo prill-maj”.

BURRELI
Nga Burreli gjithashtu nuk foli kush. Edhe pse telefonuam drejtorin teknik, Klevis Gjoka nuk u përgjigj.

BESA
Nexhat Bizhdili pranon se kanë marrë ndihmë, por vetëm dy paga lufte. “Po, jam në dijeni të fondit të FIFA-s, por jo për shumën që kanë akorduar. Besa ka përfituar 2 paga COVID-i të akorduara nga FSHF”, tha presidenti i Besës.

TËRBUNI
Nga Tërbuni janë të qartë se nuk kanë marrë asgjë dhe këtë e konfirmoi klubi: “Nuk kemi përfituar asgjë gjatë kësaj kohe”.

SHKUMBINI
Edhe në Peqin situata është e njëjtë, ndërsa zyrtarisht klubi pohoi: “Shkumbini nuk ka dijeni për këtë fond dhe nuk ka përfituar prej tij”.

KORABI
Administratori Fehmi Mëziu deklaron se Korabi nuk ka përfituar asgjë dhe shkaku, sipas tij, është ky: “Ne nuk kemi përfituar asgjë nga FSHF, pasi siç na kanë thënë, përfituese janë vetëm ekipet që nuk financohen nga bashkitë. Ndërsa ne kemi përfituar fond solidariteti vetëm nga Bashkia Peshkopi”.

POGRADECI
Kopi Gusho “dribloi” që të fliste për këtë rast. Administratori i Pogradecit tha: “Flisni me drejtorin teknik të Pogradecit më mirë”. Kontaktuam edhe Ylli Çekiçin, por ai nuk u përgjigj në telefon.

VORA
Administratori i Vorës, Emiljano Gega: “Jo vetëm që nuk kemi marrë asnjë kacidhe nga ana e FSHF-së, por ne kemi paguar të gjitha detyrimet si klub, si për pjesëmarrjen dhe federimet”.

TURBINA
Presidenti i Turbinës, Gentjan Gjoka: “Nuk kam dijeni për këtë gjë. Klubi i Turbinës nuk ka marrë as një mijë lekë të vjetër nga kjo shumë”.

LUSHNJA
Kryebashkiakja e Lushnjës, Ersileda Sefa: “Nuk jam në dijeni”.

MALIQI
Administratori i Maliqit, Egli Malësija: “Nuk kemi përfituar asnjë fond nga FSHF në periudhën e pandemisë. Në sezonet e mëparshme klubi ynë militonte në Kategorinë e Dytë dhe asokohe bënim pjesë te klubet amatore”.

BUTRINTI
Shefi i klubit të Butrintit, Albert Çakuli, theksoi: “Nuk jam marrë me financat se ka persona përgjegjës, por në dijeninë time nuk di të kemi përfituar ndonjë fond në këto dy vitet e fundit nga FSHF-ja”.

Bashkëpunuan: E.Saliu, H.Saliu, E.Spahiu, P.Gjikola, D.Kurti, F.Ferizaj, D.Pema, F.Ahmeti, F.Zhuzhi, R.Dandallaku, M.Miraka, A.Alushi, A.Dushku, I.Merolli.

EXO EDHE:  EKSKLUZIVE/ Fondi i FIFA-s për COVID, klubet e Superiores nuk dinë shpërndarjen

Censura në konferencën e FSHF-së dhe pyetjet që s’morën përgjigje

“Loja” me shifrat dhe paratë e FIFA-s, tërhiqen 1,6 milionë dollarë dhe FSHF deklaron vetëm… 72 mln lekë (DOKUMENTI)

EKSKLUZIVE/ Investigimi, si u zhdukën 2,1 milionë dollarë të FIFA-s për klubet shqiptare (DOKUMENTET)

Skandali i FSHF-së me fondin e solidaritetit/ Investigimi i “Panorama Sport” nxori blof federatën

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura