Efektet e pandemisë, ekonomia larg pragut të kolapsit/ Zv.guvernatorja Minxhozi: Me rëndësi lehtësimi i masave

Oct 30, 2020 | 8:29
SHPËRNDAJE

Lehtësimi i masave anti-Covid çliroi ekonominë, duke i dhënë frymëmarrjen e munguar. Sipas zëvendësguvernatores së Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, vendosja e kufizimeve të domosdoshme shtroi rrugën drejt një recesioni global të sinkronizuar, megjithatë, lehtësimi i masave dhe zbatimi i politikave monetare dhe fiskale në nivel kombëtar kanë filluar ta mbajnë ekonominë globale larg pragut të kolapsit.

Luljeta Minxhozi

“Në vendin tonë, shkalla e dy paketave kryesore të masave mbështetëse të ndërmarra në nivel kombëtar – fiskale dhe monetare – arriti në nivele të pashënuara më parë në shumë ekonomi, madje që nuk janë hasur as gjatë krizës së fundit globale të vitit 2008”, vuri në dukje Minaxhozi gjatë konferencës së organizuar dje në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës (London School of Economics and Political Science – LSE.

Në përgjigje të situatës së krijuar, Banka e Shqipërisë ka përdorur një tërësi instrumentesh për të mbështetur veprimtarinë financiare. Masat e ndërmarra në kohën e duhur dhe të mirëkoordinuara, patën për qëllim kontrollin e ndikimit të rënduar ekonomik dhe ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar, si parakusht për rimëkëmbjen e ardhshme të ekonomisë. Sipas zëvendësguvernatores së Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare zotëron parakushte të mjaftueshme për një rigjallërim gradual.

Sipas saj, qëndrimi i përgjithshëm i politikës monetare duhet të mbetet lehtësues edhe gjatë periudhës në vijim. “Megjithatë, politikëbërësit duhet të jenë të kujdesshëm në kombinimin e drejtë të politikave, në mënyrë të tillë që kostot potenciale afatgjata të mos tejkalojnë përfitimet afatshkurtra”, theksoi Minxhozi. Ndikimit të COVID-19 në ekonominë reale, si në vendet me ekonomi të zhvilluar, ashtu edhe në ato me ekonomi në zhvillim; përshtatja e politikave të bankave qendrore në përgjigje të sfidave që lindën si rrjedhim i gjendjes së krijuar nga pandemia, me fokus rajonin e Europës Juglindore, dhe në veçanti Shqipërinë, ishin në fokus të konferencës virtuale të mbajtur dje. Ndër të tjera, konferenca trajtoi mënyrën se si vendet me ekonomi në zhvillim zbatuan politika ekspansioniste njëlloj si ato në vendet me ekonomi të zhvilluar; zgjerimin e paketës së politikave ekonomike, ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si edhe rolin e bankave qendrore kryesore si Banka Qendrore Europiane dhe Rezerva Federale.

Ky është viti i tretë që Banka e Shqipërisë organizon konferencën e saj vjetore në bashkëpunim me Shkollën Ekonomike dhe të Shkencave Politike të Londrës, një ndër 10 universitetet më të mira në botë në fushat e studimeve sociale, ekonomike, politike, shoqërore e ndërkombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura