Edi Hila: Prishja e Piramidës, mentalitet i sistemit të kaluar

Mar 30, 2011 | 10:50
SHPËRNDAJE

Njëra i përket tashmë së shkuarës, tjetra, me shumë gjasë do t’i përkasë.Një ngjyrë e ftohtë blu dhe mungesa e ndërtesave përreth i bën ato të duken të shkëputura nga çdo lloj konteksti. Shumë shpejt, edhe ish-muzeu i Enver Hoxhës, apo Piramida, nuk do të jetë më. Ndërsa jemi vetëm në mars, piktori Edi Hila thotë se kaq sa ka ndodhur mjafton për ta quajtur 2011-n një vit intensiv, të fuqishëm, me shumë ngjarje… “Disa momente duhen fiksuar”, thotë piktori, që dje hapi ekspozitën “Viti 2011” në galerinë “Zeta”. E në këtë vit intensiv ngacmimet kanë qenë të shumta. Një prej tyre ishte debati i prishjes së Piramidës dhe ndërtimit në vend të saj të godinës së Parlamentit shqiptar. Të prishim diçka për të ndërtuar një tjetër. Ky është mentaliteti që na ka ndjekur nga njëri sistem në tjetrin. Për të na thënë këtë, Hila na ofron një tjetër rast të ngjashëm, atë të shembjes së ndërtesës së Bashkisë së Tiranës, në vend të së cilës u ndërtua Muzeu Kombëtar. Për Hilën, as prishja e Piramidës nuk duhet të ndodhë. “Është shumë e dhunshme”, thotë ai, teksa shprehet se po e jep mendimin e tij përmes pikturës, tërësisht i shkëputur nga mendimet e njërës apo tjetrës parti politike. Veç dy godinave të mësipërme dhe një pamjeje të ndezur të sallës së Parlamentit, Hila na ofron ca pamje periferie, ku koha rrjedh ndryshe, ku gjerbet kafe në qetësi e njerëzit bëhen kuriozë për çdo të panjohur që kalon andej pari. Dhe në mes të qendrës dhe periferisë është një portret, i cili të kujton ngazëllimin dhe shpresën e gjithë atyre shqiptarëve që udhëtonin drejt Durrësit me tren, për të kapur të parin mjet lundrues që do t’i çonte në bregun matanë. Një përshkënditje, e cila nuk mund të përsëritet dy herë.
Nuk ka kaluar shumë nga ekspozita juaj e shkuar dhe ja ku ktheheni përsëri. Ishte kjo ekspozitë një domosdoshmëri për të komunikuar ca gjëra?
Së pari është mënyrë jetese. Unë punoj çdo ditë dhe nuk e kam ndarë ndonjëherë punën me ekspozitën dhe jashtë ekspozitës. Pastaj, kur bëhet një sasi punësh, ajo duhet të ekspozohet. Por kësaj here kishte një ngacmim më tepër. Deri tani, 2011-a ka qenë një vit shumë intensiv, shumë i ngopur me ngjarje. Një vit shumë i fuqishëm, ekspresiv. Kështu që shumë gjëra më kanë ngacmuar. Njeriu nuk mund të rrijë indiferent. Nuk mund të rrish jashtë kohës tënde dhe është normale ta kërkosh këtë me insistim te vetja. Aq më tepër kur bën artistin, piktorin, apo shkrimtarin.
Një seri punësh ia keni kushtuar periferisë. Çfarë ishte kjo ngasje?
Rastësisht u ndodha përpara motiveve që kishin të bënin me periferinë, duke lëvizur nëpër qytete të tjera, pak më larg nga Tirana. Atje ku periferia ndjehet më shumë. Periferia mbart shumë ekspresivitet, ka shumë mister brenda, ngjarje, për hatër të nivelit të kulturës, për hatër të nivelit ekonomik… Ka situata shumë komplekse. Atje edhe njerëzit janë shumë interesantë në mënyrën se si reagojnë. Prandaj mendova ta pikturoj atë, por u mundova ta paraqes pak me nota poetike, të mos ishte një periferi e rënduar, por ta kërkoj si diçka të bukur. Në fakt, periferia ka momente interesante. Ka një lokal ku pihet kafja, tre veta që rrinë atje, që shohin një të panjohur dhe janë të interesuar të dinë se kush është… Pra ka romantikën e vet. Është një zonë shumë frymëzuese…
Interesante në këto tablo të periferisë është edhe ngjyra e gjelbër, të cilën nuk e gjejmë tek ato të qendrës….
Në fakt është një mënyrë për të lidhur tablotë me njëra-tjetrën. Por është një jeshile intensive dhe një blu, të cilën sot e gjen dhe në mënyrën se si lyhen shtëpitë. Është pjesë e shijes sonë në Shqipëri.
Nga pamjet idilike të periferisë vini më në qendër dhe sillni pamje ndërtesash që nuk janë apo nuk do të jenë më. Mos vallë është nxitje nga debatet më të fundit për prishjen e Piramidës?
E kam ndjekur historinë Piramidës: do të prishet, nuk do të prishet… dhe e kam lidhur me historinë e ndërtesës së ish-Bashkisë së Tiranës, e cila i përket një periudhe tjetër, por për të njëjtën arsye, për të ngritur në vend të saj Muzeun Kombëtar, u prish. Ajo ishte pjesë e arkitekturës, një dëshmi shumë e vyer e arkitekturës moderne në Shqipëri, e cila vinte nga bulevardi te Universiteti, deri poshtë te Materniteti. Fatkeqësisht vazhdon të jetë i njëjti mentalitet. Të prishim Piramidën për të ndërtuar Parlamentin. Unë nuk jam dakord për këtë, pasi më duket një mënyrë e dhunshme mohimi. Duan të na mbushin mendjen me rastin e Parisit, që u prish i vjetri për të ndërtuar të riun… Nuk është e njëjta situatë. Janë të tjera dimensione, aq më tepër që në rastin tonë kushtëzohen nga politika. Kështu që krahasimet nuk janë me vend. Për mendimin tim, kjo nuk duhet të ndodhte, është e dhunshme. Por s’ke ç’i bën. Mua më takon ta them mendimin tim, më tepër nuk kam në dorë.
Nga ngjyra blu e dy ndërtesave të mësipërme, të cilat duken si të shkëputura nga konteksti, kalojmë në një sallë Parlamenti me ngjyra të ndezura..
Nga salla e Parlamentit çfarë nuk kemi parë dhe çfarë nuk kemi dëgjuar dhe mendoj se disa momente të tilla duhen fiksuar, duhen shënuar. Pavarësisht se janë kamerat aty, por edhe artistët nuk mund të qëndrojnë jashtë. Kur zgjohemi në mëngjes dëgjojmë lajmet, kur kthehemi nga puna po kështu, para se të flemë dëgjojmë lajmet, nga njëri kanal në tjetrin. Jemi të ngopur me informacion, i cili, me thënë të drejtën, krijon një stres të madh në jetën tonë dhe nuk mund të rrish indiferent. Vetvetiu angazhohesh, nuk e bën me tendencë, për të bërë politikë, por ndodh natyrshëm një diskutim i tillë.
Kur thoni që nuk jeni dakord me prishjen e Piramidës, në një farë mënyre ju jeni pozicionuar, nuk do të “paragjykoheni” për këtë nga njëra, apo tjetra palë e politikës?
Nuk mund të më paragjykojë njeri për këtë. Nuk jemi më në diktaturë, jemi në demokraci dhe nuk kanë pse të ndodhin më gjëra të kësaj natyre. Kemi lirinë e fjalës dhe unë besoj tek ajo. Unë jam artist dhe nuk influencohem nga interesat e njërës apo tjetrës parti. Kam pozicionin tim me jetën, realitetin, politikën. Sot është e vështirë të mbyllesh në studio e të vizatosh një vazo me lule.
Arti i angazhuar duket si një tendencë së fundi, shohim shumë pak… vazo me lule, p.sh…
Një piktor i oborrit të mbretit pikturonte familjen e mbretit. Sot s’ke pse e bën një gjë të tillë… Në pikturojmë jetët tona. Dhe kjo është rruga më e drejtë dhe përcakton të qenit i kohës për artistin. Ti ke për detyrë dhe në art që të thuash diçka, të bësh një propozim se si gjërat të bëhen më mirë. Në këtë kontekst jam përpjekur që përmes kësaj ekspozite të jem sa më i vërtetë, të mos jem artificial, mos të jem zbukurues. Pas pikturës nuk ka asnjë lojë interpretimi, janë ashtu si janë.
Do të vazhdoni më tej me këtë cikël?
Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Për mua është e rëndësishme që t’i shoh punët të vendosura në një hapësirë tjetër që nuk është studioja, për të parë se ku jam. Është e rëndësishme të zbulohet raporti mes punëve dhe vetë artistin. Dhe pa dyshim në raport me të tërën.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura