Dy TEC-et lundruese në Vlorë, energji përmes naftës/ Sa do të jetë sasia e prodhuar dhe pagesat nga qeveria për megavat/orë. Ambientalistët rendisin dëmet

Sep 10, 2022 | 7:36
SHPËRNDAJE

Dy platforma lundruese që prodhojnë energji elektrike mbërritën të premten në gjirin e Vlorës. Platformat që prodhojnë energji duke përdorur naftë janë nën zotërim të kompanisë amerikane “Excelerate Energy”, e cila pritet të vërë në funksion edhe TECin e Vlorës.

Ndërsa çmimet e energjisë në tregun ndërkombëtare kanë kapur rekorde, por kanë pësuar ulje gjatë javës së fundit, qeveria shqiptare pretendon se nëpërmjet platformave lundruese do të prodhojë energji me çmim më të lirë dhe kështu do të sigurojë një pjesë të korrentit për konsum të brendshëm.

Çmimi për megavat/orë parashikohet të luhatet mes 170 dhe 200 euro, që për autoritetet shqiptare vlerësohet si mjaft i leverdishëm për shkak të çmimeve të larta të energjisë në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi kapi javën e kaluar 1047 euro për MWh, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë.

LIDHJA ME RRJETIN

Pasi kanë mbërritur në bregdetin e Vlorës, dy platformat lundruese do të lidhen brenda pak javësh me rrjetin shqiptar të energjisë për të mundësuar transmetimin e prodhimit nëpërmjet nënstacionit të TEC-it të Vlorës dhe Nënstacionin 220KV në Babicë. Anijet do të qëndrojnë përreth dy vjet në vendin tonë deri në vënien në punë të termocentralit të Vlorës, i cili do të përdorë gaz për prodhimin e energjisë elektrike.

Marrëveshja për marrjen me qira të anijeve u bë publike në fillim të muajit prill të këtij viti dhe thuhet se ato të vinin në Shqipëri brenda tre muajve, ku do të ankoroheshin në triport të Vlorës. Ministrja Belinda Balluku deklaronte në atë kohë që marrëveshja me kompaninë amerikane ishte ndërmjetësuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

MARRËVESHJA PËR TEC-IN

Më 12 mars të vitit të shkuar, qeveria e Shqipërisë nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë amerikane “ExxonMobil” dhe “Excelerate Energy” për termocentralin e Vlorës, marrëveshje e cila synon përdorimin e gazit të lëngshëm për prodhimin e energjisë elektrike.

E nënshkruar në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Shqipërisë dhe SHBAsë për bashkëpunim ekonomik, marrëveshja synon që Vlora të kthehet në një qendër rajonale për shpërndarjen e gazit të lëngshëm të importuar nga SHBA-ja.

Termocentrali i Vlorës në projekt ishte parashikuar që të punonte me dy lloj lënde djegëse të alternueshme, naftë dhe gaz natyror. Por, projekti i ri përfshin konvertimin e TEC-it të Vlorës me LNG.

Krahas kësaj, do të ndërtohet edhe një terminal i ri i gazifikimit dhe shpërndarjes së gazit të lëngshëm, duke e shndërruar Vlorën në një qendër rajonale për shpërndarjen e gazit të importuar nga SHBA-ja.

FASHA PËR ENERGJINË

Ndërsa Shqipëria mbështet kryesisht nga hidrocentralet e saj për prodhimin energjisë elektrike me një kosto të ulët, ky prodhim varet nga kushtet meteorologjike të vendit.

Dy ditë më parë, qeveria prezantoi planin e masa për energjinë, duke vendosur fashën mbi 800 kilovat/orë me një çmim prej 42 lekësh ndryshe çmimi për konsumatorët familjarë që paguajnë 9.5 lekë për kilovat/orë. Nga janari deri më tani, Shqipëria ka shpenzuar 350 milionë euro për importin e energjisë krahas prodhimit masiv në vend.

Ambientalistët rendisin dëmet

Dhjetëra banorë të Vlorës, kryesisht ambientalistë, protestuan gjatë ditës së djeshme për ardhjen e dy anijeve lundruese për prodhimin e energjisë.

Ata thanë se në dy anijet që do të ankorohen në portin e peshkatarëve në Vlorë, do të harxhohet rreth 600 ton naftë e papërpunuar në ditë nga dy gjeneratorë gjigantë.

“Kjo anije që erdhi ka të inkorporuar dy platforma mbrapa saj që do të instalohen tek porti i peshkatarëve, që në vetvete është e papranueshme. Aty ku është porti i peshkimit do jenë dy platforma super gjigante, super gjeneratorë që do të djegin 600 tonë naftë në ditë, naftë të rëndë. Kjo është një katastrofë për këdo që e kupton se çfarë është djegia e naftës. Kjo sasi nafte që do të digjet pikërisht këtu 600 ton është e barabartë sikur në Vlorë sot 100 mijë makina të bëjnë 100 km brenda Vlorës, brenda ditës. Kjo është katastrofa që pritet të ndodhë këtu me këto dy anije. Ne jemi sot këtu për të filluar një betejë të madhe kundra oligarkisë botërore të naftës, kundra rrezikut të madh që kërcënohet Shqipëria, i zgjedhur si vend ku zgjasin kthetrat lobet e fuqishme të naftës. Kjo po ndodh këtu, nuk është vetëm katastrofë mjedisore por edhe një katastrofë ekonomike, sidomos për turizmin. Sidomos këtu në Vlorë që po rritet dita ditës, por kjo do jetë për pak kohë”, tha ambientalisti i njohur Lavdosh Ferruni.

Ambientalistët pretendojnë se kjo djegie masive e naftës bruto do ta bëjë Vlorën tejet të ndotur, duke theksuar se termocentralet lundruese janë një dëm i madh jo vetëm për ambientin, por edhe për ekonominë.

Ferruni tha pak ditë më parë se qeveria shqiptare do të paguajë 100 mijë euro në ditë për këtë termocentral, i cili deri më tani ka punuar në Bangladesh prej rreth 20 vitesh. Nëse këto para sipas tij do t’u jepeshin rreth 50 mijë familjeve shqiptare për të instaluar panele diellore do prodhohej afërsisht sasia e energjisë që do prodhojnë këto 2 TEC-e, por me zero ndotje.

Në këtë mënyrë sipas tij, familjet do ta përfitonin falas energjinë për 30 vite. Dëmet pretendojnë ambientalistët, janë katastrofike edhe në turizëm, peshkim dhe bujqësi. TEC-et lundruese përdorin ujin e detit për të kryer ftohje e motorëve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura