Dy ditë simpozium mbi dialogun ndërfetar

Mar 25, 2011 | 9:22
SHPËRNDAJE

Dialogu ndërfetar ka mbledhur në Tiranë akademikë nga vende të ndryshme të botës. Universiteti i Tiranës, Universiteti “Fatih” në Stamboll, Turqi dhe Qendra e Dialogut “Prizmi”, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë, organizojnë Simpoziumin Ndërkombëtar me temë: “Këndvështrim i diversitetit fetar, kulturor dhe shoqëror në Ballkan nga perspektiva globale” (Përvoja e Fethullah Gylenit si Model dhe Harmonia Ndërfetare në Shqipëri). Simpoziumi përqendrohet në modelin e harmonisë ndërfetare në Shqipëri, si vlerë e veçantë e popullit shqiptar, në rëndësinë e dialogut ndërfetar, ndëretnik dhe ndërkulturor në rajonin e Ballkanit, si mënyra e vetme për një të ardhme më të mirë si dhe në opinionet dhe perspektivat e mendimtarit dhe teologut të shquar turk Fethullah Gylen. Fethullah Gylen është një nga autorët më të njohur ndërkombëtar dhe aktivist i shquar në çështjet e arsimit, me një kontribut të çmuar në dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor si faktor për arritjen e paqes globale, pranimin e të tjerëve si kontribut themelor për bashkekzistencën njerëzore, edukimin e vlerave, si dhe në përballimin e sfidave që rrjedhin nga globalizimi. Referues në simpozium janë 36 akademikë të mirënjohur nga 18 shtete të ndryshme, si nga Shtetet e Bashkuara, Australia, Anglia, Franca, Turqia, Kosova, Bullgaria, Gjermania dhe sigurisht edhe nga Shqipëria. Akademikët dhe studiuesit e ndryshëm, referojnë gjatë punimeve rreth temave të ndryshme të përqendruar tek dialogu ndërfetar, arsimi dhe perspektivat e së ardhmes.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura