Durrësi, Porti i Jahteve dhe historia

Nov 22, 2022 | 7:31
SHPËRNDAJE

xhevair lleshiXHEVAIR LLESHI

1

Dita e 179-të e luftës Rusi-Ukrainë u shpall si dita ndërkombëtare për portet e jahteve… U sajua edhe një ditë përkujtimore ndërkombëtare. Atëherë do ta lëmë në sfond luftën dhe do të merremi me dëshirën e zjarrtë për asgjësimin e kulturës. Po, luftën ndaj historisë së lashtë! Po pse luftë? Po ja, a s’do të qe më mirë që të shpallnim Durrësin si muze lashtësie ku përplasen historikisht kulturat? Po, si?! Duket e pabesueshme, por mjafton që muzeumet tona, para se të fantazojmë zhvillime moderne, t’i themi qeverisë se ne po bëjmë një dhuratë të çmuar Durrësit (Dyrrahut, Epidamnit!). Unë për vete jam dakord dhe që nesër, me gjithë zemër e dashuri, ta shpallim Durrësin muzeumin më të madh të lashtësisë në botë… Nëndheu i Durrësit është një muze i gjallë që gëlon kulturë dhe histori. Fundja, edhe si një emërtim i bukur, madje edhe me ngarkesë poetike. Nga ana tjetër, pse jo në Durrës? Sepse aty është menduar të hidhen miliarda jo për zhvillim po për të krijuar pasuri fantazmagorike me porte jahtesh, me kulla dhe me një qytet të ri, duke harruar apo lënë mënjanë magjinë e pakrahasueshme të historisë. Ne e kemi Durrësin, po kurrë s’e kemi ditur dhe s’e dimë se çfarë perle mbajmë në duar! E si të mos i hedhim këto miliarda për historinë dhe kulturën e lashtë të Durrësit? Me siguri do të kishim turistë nga gjithë bota, shumë më tepër sesa për të parë jahtet dhe kullat…

Njëlloj si me gjuhën shqipe, të cilën kemi dëshirë të themi, madje ngrefosemi mos më keq, se ajo është nga gjuhët më të vjetra në botë… Edhe në arkeologji kështu funksionon. Edhe në histori. Te të dyja, por vetëm kaq. Se, seç heq e vuan e mjera gjuhë dhe arkeologji, kjo s’prish punë, kjo s’i duhet kujt!… Por le të kthehemi tek Durrësi ose Dyrrahu, Epidamni. Na duhet të qëndrojmë mirë këtu. Në fillim do të doja të sillja fjalët e një personaliteti tjetër për Durrësin, piktori i madh shqiptar, Ibrahim Kodra. Ja ç’thotë ai për vitet e formimit fillestar të tij si njeri: “Durrësi ishte qytet i sugjestioneve. Udhës mund të kaloje i përpjesëtuar në kohëra. Njëra këmbë mund të shkelte në të sotmen, ndërsa tjetra në mbi tremijë vjet lashtësi. Dhe kjo sepse rrënojat arkeologjike ishin të shumta, në sipërfaqe. Mund të thoshe se ishte një galeri e artit antik në natyrë. Rrëzë muresh, anës tyre, poshtë mund të shikoje statuja të gjymtuara të Afërditës, sepse në lashtësi qyteti i ishte blatuar kultit të bukurisë. Mund të shikoje një Cezar pa kokë, ose një Zeus të thërrmuar…”.

2

Dhe si ky, një përshkrim i tharmuar në një mënyrë kaq elegante, nuk e ndesh dot gjëkundi. Durrësi sot duhej të ishte një qytet i ndarë horizontalisht më dysh, me xham, si një dimension tjetër. Ndërkaq, ti ecën sipër të djeshmes dhe prek, jeton të sotmen, duke përgatitur të nesërmen, së cilës ia shtron rrugën me një vëmendje të rrallë. Përfytyroj që s’do të mbetej këmbë njeriu pa e vizituar. Edhe sikur vetëm kroçierat! Do të ishte mrekulli… Kështu, or mik, ne ecim mbi Durrës, jo në të ëndërruarin, por në këtë që kemi, duke shpërfillur miliona, florinj, jetë që duket dhe që ti e sheh gjithnjë nën këmbë duke e zotëruar me një fuqi disi të pamend dhe po aq me sinergji të pamendueshme… Poshtë duhej të qe muzeu ku punohet dhe mbrohet ajo kulturë e papërsëritshme. Pse jo edhe festivalet e librit, bibliotekat e rralla në botë, ekspozitat e veprave të artit… Pa fund. S’më bën zemra ta shtyj më tej, kam frikë se do t’më vijë turp prej vetes. Mos harroni atë që ndodhi me Velierën e famshme. “Bomba” që plasi turpërisht, po edhe kaq dhembshurisht. Çfarë tragjedie! Tragjedi e shoqëruar me një dhelpëri që s’ia gjen shoqen. Por, e tmerrshme! Thjesht, për tekë! Edhe kjo, në llojin e vet, e jashtëzakonshme!

Durrësi, qyteti më i vjetër në Shqipëri, jeton me famën e një qendre të madhe historike, prandaj duhej ruajtur si një përrallë në qelq. Se jo shumë kohë më parë, ta ka shkruar Ibrahim Kodra, se ç’ishte në fëmijërinë e tij, në fillim të shekullit të njëzetë. Mendo çfarë personazhesh kanë gëluar aty! Një histori e tërë, një galeri arti e lashtë që e shkelim dhe e shkatërrojmë përditë me pallatet që ngremë, me themelet që hapim, që natyrisht janë edhe më mistikë, ndonëse kam pritur që aty të ndizen vetëm ikona. Sot (s’di si ta them, duke u përmbajtur fort!) dikush mbrohet që e ka ruajtur të vjetrën në katakombet e pallatit që sapo ka ndërtuar, madje pa fare humor ndonëse tingëllon si i tillë, po edhe me një lloj mburrjeje të çuditshme. E pse, mos? Në vend që të mos na e tregonte duhet të vihej pas hekurave, për shkak se prishi si sytë e tij një të djeshme të madhërishme. Do të thuash ti: po ai që e prishi dhe e çoi te mbeturinat, duke ngritur mbi varrin që hapi, të sotmen e një pallati shumëkatësh, si, nuk paska faj? Tmerr. Batërdi! E ku ndryshon kjo nga ajo që ndodhi në Siri, duke shembur edhe atë të dukshmen mbi sipërfaqe, për të mbrojtur gjoja të sotmen si fe! S’mund ta besosh. Krimi është njëlloj, kudo qoftë, edhe kur vjen nga paqja apo përmes luftës, pavarësisht nga interpretimi dhe mënyra, rruga si na shfaqet… E pra, dua, (kam dashur dhe do të dua) t’i them se ky është krim, si dhe Veliera, sepse ka kaq shumë neps një kryetar bashkie dhe një kryeministër, që pikërisht aty, aty ku nuk duhej ndërtuar kurrë, nuk duhej ndërtuar duke prishur diçka madhështore… Thjesht pse i shkrepet! A ka krim më të madh se ky? Kurrë! Sepse ti ke vrarë gjakun tënd, trashëgiminë tënde! Ke flakur tej pasurinë e parrokshme as nëpër mend që posedon! Ajo që ka ndodhur është çmenduri dhe po aq çmendurisht po e humbasim çdo ditë e më tepër, pa përdorur ndonjë gjuhë çmendurake apo duke shfaqur ndonjë filiz interesi apo kuptimi mbi ato që thua e bën. Kaq! Dhe, mos harro, s’mund të jesh gjë tjetër veçse kriminel. Më mirë të ishte para nesh ajo pamje që na sjell në kujtesë Ibrahim Kodra sesa ky makabritet! Ç’të të them. E kaluara e Durrësit është vlerë kombëtare, trashëgimi botërore! Dhe e gjitha art klasik, i madh, tërë personalitet! Me këtë ligjërim s’mund të mbaroj kurrë!..

3

Durrësi! Kjo mrekulli e fshehur nën dhé! Sot duhet të ishte (dhe ende mund të jetë!) i përshtatshëm dhe i mundësuar për t’u vizituar në dy plane, e djeshmja – lashtësia e magjishme nën çelikun e qelqtë e të tejdukshëm nën dhé, ku ende punohet për ta mbrojtur dhe kërkuar me kujdesin e asaj që mund të quhet mikrobiologjia e arkeologjisë, se ato janë qeliza e qytetërimit, magjia e tij e papërsëritshme; dhe e sotmja për t’u mbuluar me turp, po edhe kjo është pjesë e historisë sonë, e fytyrës sonë të pafytyrë, duke e baltosur kaq mos më keq historinë me gjithë personalitetin e saj të jashtëzakonshëm. Nganjëherë them me vete që t’i ndez një qiri qytetit dhe të iki duke shkelur mbi hi. Ç’ta dua kështu? Po Durrësi ynë nuk ‘prishet’ për kaq gjë! Jo, nuk e kam zakon të prish gojën, të shaj, të përbalt punën e njerëzve, jo! Por më vjen keq se dua që arkeologjia patjetër të fitojë personalitet nga njeriu i ditur, i mësuar (dhe nga këta kemi pasur de!) që di ta përcjellë më tej të vjetrën për t’u krenuar me të. E pse jo edhe për t’u pasuruar. Dhe më thoni që nuk prish punë një muzeum lashtësie! Po, edhe këtë e dua, por me të nuk dua të ndihet keq qyteti me gjithë banorët e shumtë dhe të përkohshëm të tij, plazhistët. Edhe vetë deti e ndien këtë. S’ka më kuptimplotë se rënkimi i detit!…

Më thoni, e gjeni dot amfiteatrin, prej të cilit nuk largojnë dot dy shtëpi mu në mes të tij. As kaq fuqi nuk ka njeri. Ia bën muu! Para syve. Të godet! Të vret. Atë kohë, aty afër teje që bën si i xhindosur, kalon aq pranë politika duke të përqeshur! Dhe mos harroni, këtë e them unë që i kam ndotur duart me politikë!… S’më ngroh as ky diell, do të thosha. Politika kthehet në poezi vetëm kur vihet krejt në shërbim të njeriut. Për çdo rast tjetër gënjen veten dhe pa shpikur gjë bëhet ujë prej mbeturinash… Por të mos largohemi. Do të qe interesante, madje edhe e zakonshme, që të kaloje mbi Durrësin antik dhe të ndiheshe mirë, sepse do të shihje mbështetjen e munguar, atë liri që s’ma nxë goja ta them, të shfrenuar, për të prishur themelet e kombit, që është gjithnjë aty: nën këmbët tona (që në të vërtetë është mungesë e hatashme lirie!), për të shkatërruar – sikur të qe ethe instinktive e përçudnuar… Këtu duhej të ishte gjithçka ndryshe. More, për mua do të qe mirë të ruheshin në muze edhe një palë pantallona doku, nga ai demodeja them, të vendosura me merak në muze, si një gjë që s’duhet harruar, me dhe pa humor, dhe… si vlerë. Zot na ruaj, kur mendojmë pak ftohtë, sesi mund të quhet vlerë edhe kjo, por është e domosdoshme, ka qenë pjesë e tragjedisë sonë, e historisë sonë, e personalitetit tonë kombëtar. Kaq e thjeshtë është! Dhe të mos na duket fare e çuditshme, por ja që aty është edhe e mira, edhe e keqja, për të mos e shkatërruar mermerin e katakombeve të tua, artin dhe historinë, për… t’i dhënë vetes karakter dhe personalitet! Duhen pantallonat si për të na kujtuar se e thjeshta quhej ndryshe llosh, për djemtë e vajzat, të gjera, pa intimitet, me rëndomtësi, përplot keqardhje, shoqëruar me një qeshje të kithët estradeske, të përçmuar! Se armiku i klasës, na përgjonte prapa derës ose brenda në shtëpi. Dhe po të bëje të kundërtën e pësoje rëndë, të gjente hataja. Ja për këto e shumë gjëra të tjera! Ti që bën muzeun e gjethes që s’duhet harruar kurrë, natyrisht, mos i lejo vetes luksin e marrë për të prishur Durrësin, portën e qytetërimit shqiptar! Për ta ndrequr këtë gabim trashanik, as sot nuk është vonë, në mënyrë që ngrehinat e reja moderne të mos na shkatërrojnë nëndheun e çmuar, jetën e trashëguar, por, ndryshe, ajo të bëhet zanafilla e munguar e zhvillimit tonë të madh, të kulturuar dhe me një krenari të ligjshme. More, ne mund të ruajmë edhe ngjyrat e shpëlara e të errëta që na shoqëronin dhe në çdo hap, thjesht për të mos rënë në sy, kjo se njeriun e trembte me sa duket bukuria e tij!

Po, atëherë, bukuria e nëndheshme e Durrësit kujt i fshihet? Dhe më e keqja, kujt i vlen dhe përse shkatërrohet? Për portin e jahteve?! Për kullat e reja dhe fytyrën moderne?! Ne sot nuk jemi të pasur, po për më keq, ne na ndodh si dikur te shtëpia e fshatarit të rrethuar me gardh e ferra, ku pulat duke shtruar vezë e për të klloçkuar zogj, u duhej të gërmonin lëmishte, prej së cilës dilte flori! Ne dashkemi që Durrësin ta shohim si viktimë? Po, Durrësi është viktimë e qytetërimit shqiptar të sotëm. Jo se janë ngritur në këmbë të “djeshmit e djeshëm”, si trutharë, për hir të ekzibicionizmit politik e nacionalist, jo, po edhe si therori dhe martirizim donkishotesk do t’ia vlente, por thjesht si një smirë dhe egoizëm i paparë. Për t’u dukur. Jo si dukja e sotme, por përfytyroni në këtë dukje ndërtuesin me “kazmë” në dorë për të prishur nëndheun, varrezë aq elegante të historisë, dëshminë e jashtëzakonshme dhe me aq personalitet të kulturës dhe të qytetërimit shqiptar, që do nxirrte më tepër para sesa jahtet dhe kullat! Durrësi, në dashçi edhe Dyrrahiumi, Epidamni, shënjon me spikamë këtë qytetërim, që nuk është as i asirëve, as i shumerëve, as i ketëve dhe egjiptianëve, por i pellazgëve ilirë. Pjellë e talenteve të shumtë e me aq personalitet, që do ta kthenin botën përmbys për këtë fyerje kaq të marrë! Mirë dje që mbijetuam në një kohë të tmerrshme terrori, po sot? Pse e terrorizojmë këtë nëntokë të çmuar që do ta pranonte me gëzim të paepur ushtrinë pushtuese të arkeologëve të botës… Pse u dashka që njerëzit duhet t’i nxjerrin sytë qytetit të tyre, trashëgimisë aq të pasur, të cilën toka e ka ruajtur me aq dashuri, thjesht për një miliardat e thekura privatisht tani, apo për më keq duke e thurur këtë tragjikomedi me shpifje e vepra spiunësh?

4

I them nganjëherë vetes se mos ka futur hundët “armiku i klasës”… Apo ta mendoj këtë sikur janë shkëndija zemërimi të lartë, që i merr në duar për të ndezur një zjarr. Jo për t’i vënë flakën qytetit, jo! Zot! Edhe kjo na mungon! Por kur mendohesh hollë, thua se kjo edhe mund të jetë. Bëhet më pas histori konspirative dhe shëtit i veshur me rroba të tejdukshme si mbreti lakuriq, shpif e përbalt, ndyn jetën private, blasfemon, shtrihet përdhe e laturiset gjoja për të mirën e kombit, vishet po të duash edhe me poture! Prapëseprapë, Durrësi mbetet viktima më e madhe e ‘qytetërimit’ shqiptar të sotëm! Një maskaradë e mynxyrshme, një mallkim që duket se e ka pranuar flakën, lotin, është bërë për të qarë… Po kush do ta ketë atë fat që ta shohë ndryshe! Dhe ironia therëse shprehet me përcaktimin e zhvillimit të vendit, duke dalë e përdalë edhe nga konteksti i kohës, edhe nga dëshira e përbindshme për ta martirizuar edhe më keq nga ishët e djeshëm me një mosmirënjohje që mund të këtillohet e mahnitshme… Ja aty jepet shfaqja e Festivalit më të ri të Jahteve dhe Kullave…

Si një klan i vendosur për ta hequr qafe fare Durrësin dhe duke e bërë atë qendër zhvillimore moderne, e cila asgjëson gjithçka të vjetër si “kufomën që kutërbon” dynjanë, qëllimisht për të mos u parë më me sy. Kaq të etur janë këta saqë nuk i pengon dot asgjë duke i bërë edhe më të paduruar. Dhe këta gjenì të së keqes synojnë për ironi të fatit sukses të vetëshpallur botëror. Dhe thuhet se Durrësit tonë mund t’i gjejnë dhe një karrocë invalidi, nga ato që shtyhen vetë me dorë. Mendoni se ku përfundon Durrësi! Ku nuk shkon pandehma, pa le e shoqëruar nga ambicia e zilia, që janë sindroma psikopatologjike ngacmuese, pasi gjithkush e përfytyron se ku mund të përfundojë halli sikur qytetet (ata më të rinjtë e që s’kanë lidhje me të vjetrën!) të bëjnë operacione plastike për të dalë sa më të lashtë. Kjo do të thotë se vetë historia, në këtë rast, bëhet lesh arapi, kthehet në legjendë, duke pritur pastaj që kjo të bëhet e të mbetet histori…

5

Por, megjithatë, Durrësi qesh. Nuk qesh me Festivalin e ri të Jahteve dhe Kullave si një projekt multimiliarder, jo! As me shiun që si në ethe ta përqeth shtatin. Shi le të kishte sa më shumë për të mos pasur mbi krye shpatën e Damokleut të rrymës elektrike… Në këto raste, ajo është thjesht e qeshur ironike. Sido keqardhja është e pranishme, edhe pse që në zanafillë e dështuar, por që për çudi marrin krahë, shqyrtojnë emra të huazuar, marrin nëpër gojë gjëra që mendja nuk t’i rrok dot, që ushqehen me lugë zbrazur. Ç’lidhje mund të ketë arkeologjia me zhvillimin e bujshëm të qendrës, portit të jahteve, mureve të prishur, kalasë, kërkimeve, çekuilibrimit dhe prishjes, ku dalin emra çuditërisht të rinj gati përditë, që krahasohen me elegancën, durimin, zhvillimin shumëplanesh, ec e gjeje, përndryshe mbetet që të mbytet arkeologjia më mirë dhe bashkë me të edhe ky Festival jahtesh e kullash moderne, që më vjen shumë keq ta zë ngoje…

Është bërë një mishmash, një çorbë derri, s’e merr vesh i pari të dytin e kjo tollovi të kujton ditën e parë pas lufte. Gjithnjë kështu duket, sikur qëndron pezull, pa frymë. Duket se na ka mbetur vetëm një armë: të bëjmë pyetje si të goditur. Kur të pastrohet e dezinfektohet e reja bashkë me të vjetrën, atëherë do të pastrohet dhe kërkohet tjetërsoj Durrësi! Kurse arkeologjia dhe historia mezi presin të ketë vetëm fonde, që të fitojë dinjitetin e munguar, personalitetin e vërtetë, të ndjehet si një joshje e magjishme dhe, pse jo, edhe tundim delikat! Sepse vetëm duke i kthyer sytë andej ajo do të jetë një mrekulli diskrete për t’u ulur e për të shkruar historinë e lashtë, pa e larguar atë ndrojtjen se mos lëndon plagët e së shkuarës. As që bëhet fjalë ndryshe. Dhe ne kemi për ta gjetur Durrësin e bukur, duke kuptuar sekretin sesi lind dielli, puthja e tij sa kozmike aq edhe njerëzore, madje edhe për të kuptuar sesi rritet niveli i ujit të deteve, ndoshta prej pranverës që i buhit në shpirt.

Dhe ne do të themi: Po, Durrësi e ka fajin! U gjet vegja. Pastaj mbetet që t’i biesh fyellit në një vrimë, për qejf të vet, dhe mjerë mjerimi që s’i shkon pas avazit, kurse e gjora histori dergjet nën dhé! Aq pa dinjitet e kthejnë profesionin dhe e bëjnë pis qytetin! Po prapë fajin e ka historia! Duket se ajo nuk i përfill punët, nuk di të jetë shoqe e mirë, shqiptare safi! E pse (me llafe, kuptohet) nuk e ndan, bie fjala, një pjesë të famës së Durrësit me Tiranën?… Ku e çon mushka këtë, historinë? Nuk mundet kurrë që t’i mbajë të gjitha për një qytet, qoftë ky edhe Durrësi! Ndryshe pastaj do themi se edhe mollët, edhe hardhitë s’bëjnë dot festë pa Diellin, domethënë Durrësin. Pra do të flasim kot. Pse? Pse, o Zot i madh? Dhe kjo na vjen nga individualizmi, siç e ka përcaktuar Konica ynë. Ne nuk e gjejmë me vend kur tjetrit i ecën puna mbarë. “Lumturinë tonë nuk e vëmë re, po lumturia e tjetrit nuk na shpëton”. Kjo, pikërisht kjo ndodh edhe me Durrësin tonë. Keq janë të tjerët? Po. Keq edhe Durrësi, atëherë! Duke harruar mjerisht se ai është i pari! Ai dhe Apolonia, Bylisi, Berati, Shkodra… Mirëpo, ja që s’e çan kokën njeri! I kam dëgjuar me kohë, po i dëgjoj edhe sot të thonë: “Dashka të jetë Durrësi i vetëm, pa të vuajë njëherë edhe ai, ashtu siç vuajtëm dhe vuajmë ne…!”. Pse jo, edhe Durrësi të jetë si të gjithë. Po ja që nuk është se! Aty qielli shkëlqen më shumë dhe dielli djeg bukur dhe unë kurdoherë e shoh sesi ai, Durrësi me nam, zbulohet i tëri, kurdoherë me guxim dhe me eshtrat që vazhdimisht i kërcasin. Dhe këto i ndiejnë fort LIBRAT. Edhe librat e Festivalit të Durrësit, në këto ditë.

Durrësi është shumë aristokratik si një princ dhe i ngjizur me një estetikë të hollë. Po pikërisht kjo s’durohet nga prijësit tanë politikë. E ndiejnë me hundë, që Durrësi s’është nga soji i tyre dhe tërbohen. E keqja hidhet në sulm të verbër, të humbur gjithmonë dhe në çdo rrethanë, po ama kazmat dhe makineria prishëse, ruspat, rrospitë, janë aty, bashkë me krerë aq të dobët dhe pa pikë inteligjence që detyrimisht i çon tek dashakeqësia. Mirëpo, perla është, mbetet t’i zbulohen më tej thellësitë blu që i ruajnë me aq kujdes (i cili nuk është zbuluar ende dhe s’dihet sesi arrijnë ta bëjnë këtë!). Këtë mundohen ta bëjnë fitimtarët dhe jo të mundurit e tmerrshëm.

Asgjë nuk përputhet me iluzionin tim për Durrësin. Ai nuk përton, nuk dëshiron të fshihet, por del krah për krah me thesaret e tij të çmuara. Është aty. Kjo mbetet ende enigmë. Ndoshta më vonë do ta kuptoj dhe këtë hollësi të aristokratizmit dhe estetikës së hollë të këtij qyteti shumë të lashtë, që çdo çast shpërfill qeveritë, Festivalin e Jahteve dhe Kullave moderne, po edhe shiun e fortë e magjiktë që na përmbyt me freski…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura