Durrës, e dashura xheloze i djeg makinën e shtëpinë 32-vjeçarit

Aug 31, 2012 | 14:07
SHPËRNDAJE

DURRES – Një femër xheloze për të dashurin i ka djegur atij shtëpinë dhe makinën në Durrës. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Nr. 4 të qytetit bregdetar në banesën e shtetasit A. Çopa, ndërsa Policia tashmë ka vënë në pranga të dashurën e tij, 31-vjeçaren A. Pilinci, banore po në këtë lagje. Sipas Policisë, ngjarja në fjalë është regjistruar rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 21.08.2012 në lagjen Nr.4 të qytetit bregdetar, ndërsa arrestimi i “piromanes” është bërë dje pas një urdhri të Prokurorisë. Burime të Policisë bënë të ditur se dy të rinjtë ishin të lidhur për një kohe relativisht të gjatë, ndërsa debatet e shpeshta mes çiftit lidhen me xhelozinë që vajza kishte shfaqur kundrejt 32-vjeçarit. Dy të rinjtë, përkatësisht të së njëjtës moshë, kohët e fundit kishin pasur mosmarrëveshje mes tyre dhe zënka të njëpasnjëshme, deri sa përfunduan në ndarje. Mesa duket, 31-vjeçarja nuk e ka kapërdirë dot dhe ka vendosur të hakmerret ndaj A. Çopës, duke i djegur atij shtëpinë dhe mjetin. Pas konfliktit të fundit, duke qenë se dispononte një kopje të çelësave të banesës së 32-vjeçarit, vajza ka shkuar te shtëpia e këtij të fundit dhe i ka vënë zjarrin, ndërkohë në ikje e sipër i ka vënë zjarrin edhe automjetit në posedim të këtij shtetasi, të tipit “Benz” me targë AA882AR. Në një konferencë për shtyp, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka sqaruar se 31-vjeçarja A. Pilinci, banore e lagjes Nr.4, duke disponuar një kopje të çelësave të banesës së shtetasit A. Çopa, ka hyrë brenda dhe ka ndezur qymyrin që kishte marrë për këtë qëllim. “Më datë 30.08.2012, ora 01:30, u bë ekzekutimi i urdhrit për ndalim datë 29.08.2012 për shtetasen A. Pilinci, 31 vjeçe, lindur e banuese në lagjen Nr.4 Durrës, me arsim të lartë. Ndalimi i kësaj shtetaseje u bë, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se pas një konflikti për motive të dobëta, ka tentuar të djegë banesën e shtetasit A. Çopa, 32 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Durrës, duke i shkaktuar dëmtime në orendi të ndryshme shtëpiake, po kështu kjo shtetase në po të njëjtën datë ka tentuar t’i djegë dhe automjetin në posedim të këtij shtetasi. “Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të zjarrfikëseve, është bërë e mundur shuarja në kohë e zjarrit, duke evituar djegien e plotë të orendive shtëpiake”, deklaroi Policia. Ngjarja në fjalë ka ndodhur një javë më parë, ndërkohë që pas denoncimit që ka bërë 32-vjeçari A.Çopa, policia ka arrestuar të njohurën e tij. Burimet policore nuk kanë dhënë më shumë detaje se përse shtetasja A. Pilinci ka tentuar të djegë banesën dhe autoveturën e të njohurit të saj, duke thënë se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta. Ajo akuzohet tashmë për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”, si dhe “shkatërrim prone me zjarr, mbetur në tentativë”.          l.m

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura