Drita Pelinku, kurora e shfaqjes “Shtrigat e Salemit”

Mar 28, 2011 | 12:08
SHPËRNDAJE
Drita Pelinku dhe Neritan Liçaj në dramën e Arthur Miller-it

Në fund të fundit, emri është ai që mbetet. Të gjithë një ditë do të vdesim, nuk marrim me vete asgjë dhe lëmë pas vetëm një kujtim, të mirë apo të keq, dhe një emër.Pikërisht për atë emër Xhon Proktor zgjodhi litarin. Në kohëra të trazuara, kur gënjeshtra dhe mashtrimi është temë e ditës, Arthur Miller na sjell një mesazh: Jini të ndershëm! Prej mbrëmjes të së enjtes, në skenën “Kadri Roshi” të Teatrit Kombëtar po shfaqet drama “Shtrigat e Salemit”, me regji të Spiro Dunit. Zymtësia e skenës, litari që tundet në një kënd të saj, gati-gati të shkaktojnë të rrëqethura dhe fundi është i qartë. Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe. Në veprën e tij, Milleri i referohet një ngjarjeje të shek. XVII, por që rezonante me kohën e tij, me vitet ’50 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe kushdo, në mënyrën e vet mund të gjejë pikëtakimet e saj me të sotshmen. E nisur në fillim si lojë, hakmarrja e ca vajzave të reja mbi njerëz që nuk i kishin edhe aq qejf, përfundoi në një tragjedi të jashtëzakonshme, me shumë të varur në litar. Vajzat –”shenjtore” arrinin të shihnin se cili nga bashkëqytetarët e tyre kishte bërë pakt me djallin. Përmes vizionesh të rreme, ato arritën t’ua

timo flloko dhe elia zaharia ne dramen “Shtrigat e salemit”

mbushnin mendjen institucioneve ligjvënëse (të cilëve duket se u interesonte kështu) që ato thoshin të vërtetën. Gjithçka e kishte zanafillën në një marrëdhënie të fshehtë dashurie, jashtëmartesore të Xhon Proktorit me Abigeil Uilliamsin, mbesën e priftit Perris. E shoqja, Elisabeta, pasi zbulon tradhtinë e të shoqit me shërbëtoren, e flak atë në rrugë. Kaq është e mjaftueshme që Abigeil të hakmerret. Por, hakmarrja e saj është e verbër dhe nuk bie vetëm mbi Proktorët, por mbi gjithë qytezën e qetë të Salemit, ku pastorë e priftërinj nga ana e anës mblidhen për të larguar demonët. “Shtrigat e Salemit” është një nga kryeveprat e Millerit dhe qysh në zgjedhjen e pjesës, Spiro Duni e kishte të garantuar vëmendjen e publikut, aq më tepër të një publiku të etur si ky yni. Një tjetër zgjedhje e zgjuar e Dunit është stafi i aktorëve. Timo Flloko, Eva Alikaj dhe një numër i madh aktorësh, shumica të Teatrit Kombëtar, si Fatos Sela, Vasjan Lami, Naun Shundi, Mehdi Malkaj, Neritan Liçaj, Sokol Angjeli, etj., por edhe të tjerë të jashtëm si Elia Zaharia, Flaura Kureta, etj. Të gjithë aktorët kanë rolet që u shkojnë. Timo Flloko, në rolin e Xhon Proktorit, burrit që ka tradhtuar të shoqen dhe që e bren ndërgjegjja për këtë. Por, gjithsesi është një qytetar i ndershëm, që nuk shkon në kishë, jo se nuk beson në Zot, por sepse nuk i beson hipokrizisë së rrasos së zezë të priftit Perris. Ajo që e bën tërheqëse lojën e Fllokos, është natyrshmëria. Ai e jeton rolin, nuk lexon një pjesë, si detyrë shtëpie. Proktori ishte një tjetër rol i mirë i Fllokos. Elia Zaharia, në rolin e Abigejlit, duket se ia doli në këtë debutim në skenën e Kombëtarit. Pamja dhe zëri e ndihmojnë Zaharian të luajë rolin e femrës joshëse, në këmbët e së cilës mund të bjerë çdo mashkull, por jo më Xhon Proktor. Eva Alikaj-Elisabet Proktor është bashkëshortja e tradhtuar, që nuk harron. Ndoshta ca më e ftohtë seç duhej (çka ia dikton dhe pamja prej austriakeje e Alikajt), Proktor nuk i lëshohet deri në fund emocionit, çka në fakt duhej të pritej. Një rol të këndshëm solli Naun Shundi si Gil Kori, një njeri i thjeshtë dhe i zgjuar në naivitetin e tij. Flaura Kureta në rolin e skllaves Tituba, apo Vasjan Lami në rolin e pastorit Heill. Veç e veç, pjesës nuk i mungonin karakteret. Ndihej impenjimi i aktorëve për të bërë më të mirën. Por kurora e kësaj shfaqjeje, pa iu futur anës regjisoriale, organizimit të së tërës, fragmentarizmit, e të tjera si këto (këtë le ta bëjnë kritikët), ishte pa dyshim pjesëmarrja e aktores Drita Pelinku në rolin e Rebeka Nërs. Për këtë, Duni meriton një “chapeau”. Edhe sikur të mos nxirrte asnjë fjalë nga goja, prezenca e saj i jepte një tjetër nur skenës. Një emocion që ta japin vetëm aktorët e vërtetë, të prerjes së Pelinkut. “Shtrigat e Salemit” do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar, me skenografi të Bashkim Ahmetaj dhe kostumografi të Anila Zajmi Katanollit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura