Drejtësi për Bosnjën

Dec 10, 2017 | 11:58
SHPËRNDAJE

srdja pavlovicDR. SRDJA PAVLOVIÆ

Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve për ish-Jugosllavinë në Hagë e dënoi komandantin e forcave të së ashtuquajturës Republika Srpska, gjeneralin në pension, Ratko Mladiq, me burgim të përjetshëm për gjenocidin e kryer në Srebrenicë, rrethimin e Sarajevës dhe krime të tjera lufte. Me këtë gjykim u mbyll i fundit gjyq i gjatë në Hagë. Ratko Mladiq do të mbetet në kujtesë si “kasapi i Bosnjës” dhe zbatuesi i zellshëm i pjesës ushtarake të nismës kriminale të përbashkët nga tetori 1991 deri më 30 nëntor 1995: eliminimi i banorëve myslimanë dhe kroatë nga trevat e mëtuara nga serbët në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Është interesante që këshilli gjyqë- sor vendosi se nuk kishte pasur gjenocid në Prijedor dhe pesë komuna të tjera, sepse numri i civilëve të vrarë në to ishte relativisht i vogël në krahasim me atë të Srebrenicës. Ky vendim fut një element të ri në vlerësimin e asaj se çka përbën gjenocid. Konkretisht, krahas elementit themelor në përkufizimin e gjenocidit – vërtetimi i qëllimit për të eliminuar një grup të caktuar – këshilli gjykues futi edhe numrin e viktimave si një tjetër “njësi matëse”.

Zyrtarizimi i numrit të viktimave, si një ndër kriteret, do të mund ta ndërlikonte në të ardhmen përcaktimin e gjenocidit dhe ta reduktonte analizën e motiveve të ndërgjegjes në grindje mbi shifrat. Nëse 1000 viktima është numri magjik, krahas të cilit qëllimi i vërtetuar përbën gjenocid, a do të thotë kjo se 999 viktima duhen trajtuar si pasojë e instinktit të thjeshtë kriminal?

A bëhet, pra, fjalë për krim më pak domethënës? Verdikti ndaj Ratko Mladiqit mbështetet në dy shtylla. E para është numri i provave në mbështetje të akuzës. Dokumente, urdhra, materiale video e ditarë të lënë pas nga vetë Mladiq, si dhe dokumentacioni i strukturës komanduese të ushtrisë së të ashtuquajturës Republika Srpska, e dëftojnë qartë qëllimin për kryerje gjenocidi. Pavarësisht nga orvatja e nacionalistëve të ngatërruar dhe e apologjetëve të krimeve, vlefshmëria e kësi materiali provë nuk mund të hidhet poshtë.

Dëshmitë e të mbijetuarve janë guralecë shtesë në mozaikun kriminal, për plotësimin e të cilit Mladiq punoi me goditje të përqendruar në vitet 1990’. E dyta është fakti se një sërë vartësish të Mladiqit janë dënuar tashmë për gjenocid dhe krime lufte. Zëvendësi i tij, Gjen. Radoslav Krstiq, pastaj Gjen. Zdravko Tolimir dhe oficerët e lartë të Ushtrisë RS Ljubisha Beara, Vujadin Popoviq, Milan Gvero dhe Vinko Pandureviq, u dënuan me burgosje të gjata.

Për më tepër, gjatë gjykimit të tij, Gjen Krstiq akuzoi drejtpërdrejt Ratko Mladiqin dhe pesë oficerë të tjerë të URS se urdhëruan masakrën e civilëve në Srebrenicë. Për shumë serbë anekënd Jugosllavisë dhe botës, Ratko Mladiq do të mbetet hero, patriot e luftëtar i madh, që luftoi për të mbrojtur popullin e tij dhe ortodoksizmin e tij nga “forcat e errë- ta të Islamit”, kroatët katolikë dhe Perëndimi kapitalist pushtues. Për ata, Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në Hagë do të jetë përgjithmonë “gjykatë politike” e themeluar për të “dënuar popullin serb”.

Nuk ka mal me material provash që t’ua lëkundë bindjen për pafajësinë e komandantit luftarak të preferuar të tyre. Vlen të kujtohet historia e së kaluarës së afërt: pasi e mbajti nën vëzhgim Ratko Mladiqin plot 15 vjet, pushteti në Serbi u detyrua ta arrestonte dhe t’ia dorë- zonte Gjykatës së Hagës në maj 2011. Për më tepër, para dhjetë vjetëve, lideri i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri çmos që njëra nga rrugët e Beogradit të merrte emrin e Ratko Mladiqit.

Ata që janë më optimistë mendojnë se në Serbi do të vijë dikur koha për t’u përballur me pasojat e faktit se organet e atjeshme qeveritare, për vite me radhë, e mbrojtën dhe fshehën këtë kriminel të dënuar lufte. Pjesa tjetër e botës, e cila e shqyrton të kaluarën e afërt ballkanike racionalisht, e di se ca gjëra nuk do ndodhin kurrë. Ata prej nesh, të cilët qëndrimin e tyre për ngjarjet e luftës e bazojnë në prova dhe dëshmitë e të mbijetuarve, e shohin Mladiqin si një ndër kriminelët më famëkeq në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.

Vendimi ndaj Ratko Mladiqit nuk do të kontribuojë në procesin e pajtimit në ish-Jugosllavi, në qoftë një proces i tillë ndopak i realizueshëm. Gjyqi ndërkombëtar në Hagë nuk u formua si pjesë e mekanizmit pajtues dhe nuk e pati kurrë atë rol. Kujtimet e serbëve, kroatëve dhe myslimanëve boshnjakë për vitet e luftës dhe vështrimet e tyre mbi përgjegjësitë përkatëse, janë tri vetmi që takohen e preken vetëm në gjykatën e gjyqit ndërkombëtar.

Jashtë kësaj jetohet një shfaqje teatrale e bashkëjetesës, ndërsa elitat politike të ditëve të luftës vazhdojnë të sundojnë. Fatkeqësisht, hijet e këtij dhe kriminelëve të tjerë të luftës nga vitet 1990 do të përvijojnë rajonin tonë. Ratko Mladiq do të mbetet faktor domethënës në ndërtimin e përfytyrimit nacional serb mbi popullin e rrethuar nga armiq për vdekje. Për myslimanët boshnjakë dhe kroatët ai do të mbetet hallkë e rëndësishme në përforcimin e ndërgjegjes mbi viktimizimin e tyre kolektiv dhe fajin kolektiv serb. Llogoret e luftës nuk do të sheshohen dhe të rinjtë do ta vazhdojnë eksodin nga Ballkani në kërkim të jetës normale gjetiu.

Përktheu nga serbishtja: Edin Q. Lohja

Dr. Srgja Pavloviq, Departamenti i Historisë dhe Studimeve Klasike, Universiteti i Albertës, Kanada. Dr Pavlovic kryen kërkime mbi nacionalizmin dhe konstruktimin e identiteteve ndër sllavët e jugut. Është anëtar i bordeve editoriale të revistave shkencore “Nationality Papers” (Columbi Univ. NY) dhe “Treaties and Documents” (Univ. of Maribor, Slovenia)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura