Dosja/ “Ia jep dot robit 150 000 euro”- I dërgonin mesazh si “Edi”, si ra 4 herë pre e mashtrimit biznesmeni Salillari nga “personat me pushtet në strukturat e shtetit”!

Jan 24, 2023 | 22:00
SHPËRNDAJE

Biznesmeni Pëllumb Salillari ka rënë katër herë pre e mashtrimit nga persona që hiqeshin si njerëz me pushtet në strukturat e shtetit.

salillari

Tre të akuzuarit, Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç, kanë arritur që të hyjnë në rrjetin Signal dhe i kanë dërguar mesazhe biznesmenit, që i shfaqeshin me emrin e kontaktit “Edi”.

Në dosjen hetimore thuhet se “të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë skemë vjedhjeje përmes mashtrimit, pavarësisht pretendimeve të tyre pa përjashtim, kush më shumë e kush më pak, kush në rolin e organizatorit e ashtu edhe të zbatuesit, për periudha të shkurtra kohore, kanë vjedhur nëpërmjet mashtrimit të paktën në katër raste të provuara.”

 “Nga aktet provohet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se me këto veprime korrekte, të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë skemë vjedhjeje përmes mashtrimit, pavarësisht pretendimeve të tyre, të gjithë pa përjashtim, kush më shumë e kush më pak, kush në rolin e organizatorit e ashtu edhe të zbatuesit, për periudha të shkurtra kohore, kanë vjedhur nëpërmjet mashtrimit të paktën në katër raste të provuara subjektin “Salillari” në Tiranë, duke konsumuar në këtë mënyrë plotësisht, elemente të figurës së veprës penale të ‘Mashtrimit’ në bashkëpunim edhe më shumë se një herë, sipas nenit 143/2 të Kodit Penal ‘Përvetësimi i pasurisë private ose publike, nëpërmjet paraqitjes së fakteve të rreme ose duke fshehur fakte të vërteta, gënjeshtrës ose shpërdorimit të besimit, për vetë ose persona të tjerë”, thuhet në dosjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala.

Ndër të tjera, thuhet gjithashtu se në marrëdhënien e krijuar mes palëve, siç e tregoi edhe koha dhe veprimet e të arrestuarve, ka qenë qëllimi i posaçëm i tyre për të grabitur të dëmtuarin, duke u hequr si dikush tjetër me pushtet.

“Në këtë mënyrë, me dashje të drejtpërdrejtë dhe qëllim fitimi material apo monetar për vete, të lindura këto në momentin kur është realizuar marrja e pasurisë, ose të drejtat mbi të, të arrestuarit me anë të gënjeshtrës dhe shpërdorimit të besimit, në mënyrën dhe mjetet e përcaktuara më herët dhe të sipërpërmendura, kanë përfituar të gjithë”, shkruhet në dosje.

“Ia jep dot robit 150 000 euro”

Mbrëmjen e 5 janarit 2023 rreth orës 22:30 të mbrëmjes në aplikacionin “Signal” në telefonin e biznesmenit Pëllumb Salillari, pronar i kompanisë ndërtuese “Salillari” sh.p.k mbërriti një mesazh nga një kontakt me emrin “Edi”. Sikurse rezulton nga dosja hetimore, Salillari i është përgjigjur pas disa minutash me fjalët “mirë shef si jeni?”, duke treguar se e ka njohur dërguesin e atij mesazhi. Nga ana tjetër, i shkruajnë “doja me të thënë diçka, por po i them dikujt tjetër”.

Sipas dosjes hetimore që e ka bërë publike “Neës 24”, në këtë moment këtu Pëllumb Salillari kupton se ishte ndonjë lojë dhe po e mashtronin. Për këtë arsye, vendosi të njoftonte policinë dhe të rrëfente gjithçka po i ndodhte. Nga hetimi rezultoi se shtetasit Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç, të cilët ndodhen aktualisht nën masën e arrestit me burg, kishin mundur të ndërhynin në rrjetin “Signal” dhe të bënin të mundur që t’i shkruanin biznesmenit të njohur, mesazhe që atij i shfaqeshin me dërgues kontaktin me emrin “Edi”.

Në fakt, bëhej fjalë për një numër anglez që personat e përdornin për të zhvatur para nga biznesmenë të ndryshëm. Policia i kërkoi Sallillarit të vijonte bisedën dhe të linte takim me personat që i shkruanin.

Salillari i shkruan më tej tekstshkruesit: “Më thuaj të lutem pa problem”. Personi i shkruan: “Ia jep dot robit 150 000 euro dhe rregullohemi”.

Për të bërë të mundur arrestimin e mashtruesve Salillari udhëzohet të lërë takim me ta. Me vendim të Prokurorisë, u tërhoq nga llogaria e Ministrisë së Brendshme shuma prej 150 000 eurosh, brenda së cilës u vendos GPS, për ta gjurmuar. Në momentin e takimit, sikurse ishte lënë mes palëve, mbërrin një person në banesën e Salillarit dhe merr lekët. Në momentin kur të dyshuarit po largoheshin policia ndërhyri dhe bëri arrestimin. Më pas gjatë kontrolleve në banesat e tyre u gjetën shuma të konsiderueshme parash mbi 120 000 euro të dyshuarit nuk i justifikojnë dot dhe ka dyshime se këtë aktivitet kriminal e kanë kryer edhe ne raste të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura