Doshi dhe Frroku në qeli të ndara, pa shtretër. Ja si e kaluan natën e parë pa liri dy deputetët. Refuzuan ushqimin e mensës së policisë

Mar 27, 2015 | 18:50
SHPËRNDAJE

Pasi janë ndaluar nga forcat e rendit, dy deputetët e Shkodrës, Tom Doshi dhe Mark Frroku, kanë qëndruar në dhomat e shoqërimit veç njëri–tjetrit.

Mark Frroku gjatë arrestimit

“Panorama” duke iu referuar burimeve policore shkruan sot se Doshi ka qenë shumë i qetë gjatë gjithë kohës, ndërsa Frroku është parë i shqetësuar, madje ka pirë disa cigare rresht.

Më pas, rreth orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme, janë kryer veprimet standarde për personat e arrestuar. Doshit dhe Frrokut, njëri pas tjetrit, u janë marrë gjurmët e gishtave.

U janë hequr lidhëset e këpucëve dhe rripat e pantallonave, si dhe u janë marrë me procesverbal sendet personale që ata kishin me vete. Më pas janë dërguar në dy qeli të zakonshme, por pa persona të tjerë të ndaluar brenda.

Dy deputetët e kaluan natën në dy qeli normale paraburgimi, veç njëri-tjetrit, në katin e parë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, qeli që mësohet se janë larg njëra-tjetrës, duke mos krijuar asnjë mundësi komunikimi, as në distancë.

Burimet thanë se Doshi dhe Frroku kanë refuzuar të konsumojnë vaktin e darkës, nga ushqimi që shërben mensa e Policisë së Tiranës.

Ndërsa më vonë, familjarët janë lejuar që t’u fusin brenda veshje dhe ushqime të ndryshme. Mësohet se deputeti Tom Doshi ka pasur probleme të lehta shëndetësore, si pasojë e tensionit të lartë dhe ka konsumuar ilaçet e zakonshme. Por, sipas burimeve, nuk ka pasur asnjë pretendim, duke thënë se një shqetësim i tillë është i zakonshëm për të.

Ndryshe nga çfarë mund të pretendohej, se deputetët do të izoloheshin në një qeli VIP, siç ndodhi në rastin e ish-guvernatorit Ardian Fullani, ata kanë qëndruar në qeli të zakonshme, por pa pasur shoqërinë e ndonjë të ndaluari tjetër, apo të njëri-tjetrit. Mësohet se në dhomat ku ata qëndrojnë nuk ka shtretër, por vetëm stol për t’u ulur.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura