Dorian Gjoni: Nis gara e “Top Fest 8”, vetëm 16 në finale

Apr 18, 2011 | 11:28
SHPËRNDAJE

Pak këngë rock e balada, dhe shumë Hip-Hop e RnB. Emra të njohur dhe të panjohur këngëtarësh në një festival modern që tashmë nuk mund të quhet më vetëm i të rinjve.Ka përfunduar kështu një maratonë prezantimesh, dhe tashmë nis gara e çmimeve. “Top Fest 8” mbërrin në fazën e etheve, ku konkurrenca bëhet më e fortë. Nga 128 pjesëmarrës, në gjysmëfinale do të garojnë vetëm 33, për  t’u përzgjedhur prej tyre 16 këngët e natës finale më 22 maj. Udhëheqësi artistik i Festivalit, Dorian Gjoni, zbulon strategjinë e përzgjedhjes së këngëve gjysmëfinaliste, dhe 16 këngët që do të mund arrijnë të shkojnë në finale.
Sapo ka përfunduar prezantimi i këngëve konkurrente të “Top Fest 8”, si do ta kishe përshkruar këtë maratonë me këngë të reja?
Çdo vit artistët shqiptarë përmirësohen edhe më shumë në krijimtarinë e tyre, në mentalitetin muzikor, performimin skenik etj. Ky vit ka pasur një numër shumë të madh prurjesh me këngë të bukura, me stile të ndryshme e tematikë me vlerë. Ka pasur prurje në artistë me karrierë të gjatë dhe artistë të rinj. Kjo maratonë është një tregues i qartë që në Shqipëri, nuk mungon dëshira për të shprehur botën e brendshme shpirtërore. Në të njëjtën kohë, nëpërmjet kësaj maratone ne kuptojmë që niveli i mendimit artistik dhe mënyrat e shprehjes artistike nëpërmjet muzikës janë në një ritëm shumë pozitiv.
Tashmë si do të procedohet më tej, si janë konceptuar netët gjysmëfinale dhe si pritet të jetë nata finale më 22 maj?
Në këtë edicion të “Top Fest 8” janë paraqitur 128 artistë. 64 prej tyre kaluan në fazën çerekfinale, duke u bërë pjesë edhe show-t më të ri televiziv “Rewind”. Faza e tretë është ajo e gjysmëfinaleve, që këtë sezon do të ndahen në tri puntata dhe ku do prezantohen gjithsej 33 artistë.
Kur do të publikohen emrat e 33 gjysmëfinalistëve dhe mbi ç’kritere është bërë përzgjedhja e tyre?
Lista e 33 artistëve gjysmëfinalistëve pothuajse ka përfunduar, ndërkohë, është menduar që emrat të jenë surprizë dhe të shfaqen gjatë çdo jave. Përzgjedhjet janë bërë nga bordi artistik i televizionit dhe janë marrë si kritere: krijimtaria, tematika, kualitetet e interpretimit (këngëtare apo grupe), performanca skenike, kërkesat e publikut, veçori specifike si motivet muzikore, stili muzikor, tendenca etj.
Sa këngëtarë do të përfundojnë në natën finale, dhe a do të ketë ndryshime në vlerën e çmimit të madh?
Në natën finale do të kalojnë rreth 16 artistë, të cilët do të jenë zgjedhur në një mënyrë tërësisht të re dhe shumë interesante. Vlera e çmimit të madh mendohet të mos ndryshohet, por gjithsesi mbetet të shikojmë ritmin e mbarëvajtjes së eventit.
Në pozicionin e drejtuesit artistik, a sheh këtë vit një konkurrencë të fortë mes këngëtarëve?
Edhe pse “Top Fest” është një festival, me thelb konkurrimin, kjo për arsye të rritjes së kërkesës personale të artistëve për të sjellë produksione sa më të mira, unë përsëri mund të them që ky festival fuqinë e tij e ka në lançimin e shumë artistëve, rrymave muzikore në formatin e tij modern dhe së fundmi në risjelljen e interpretimit “live” në skenën shqiptare, duke i dhënë një mundësi të madhe artistëve për të marrë dhe për të dhuruar emocione të mëdha tek publiku. Aktualisht, duket sikur shumë këngë janë në të njëjtin nivel dhe me siguri do të duhet pak kohë që të shohim edhe reflektimin e publikut për të arritur në një analizë sa më korrekte rreth nivelit të këngëve dhe atyre që do të jenë pretendente për të qenë fituesit e çmimeve të këtij festivali.
Cila është rryma muzikore që ka mbizotëruar në këtë festival të muzikës moderne, dhe cila rrymë ka qenë në minorancë?
Në këtë edicion vërehet një prurje e madhe e këngëve me karakter balade dhe në minorancë vërehen grupet muzikës rock dhe më shumë ata të Hip-Hop & RnB.
Duket sikur është rritur mosha mesatare e këngëtarëve pjesëmarrës në “Top Fest”. Kemi të bëjmë me një raport të përmbysur tashmë, duke pasur parasysh që ky festival ka nisur si festivali i të rinjve…
Këtë vit ka pasur disa artistë, të cilët mund t’i quajmë si artistë jo të rinj, por përsëri ky target artistësh është në minorancë të madhe. “Top Fest” i ka fillimet e tij bashkë me fillimin e muzikës moderne shqiptare dhe si rrjedhim, kuptohet që me kalimin e kohës përqindja e artistëve të rinj nuk do të jetë aq e madhe sa në edicionet e para të këtij eventi. Ndërkohë, me futjen e sistemit “live” edhe kërkesa e artistëve me karrierë është rritur, pasi edhe ata e ndiejnë veten të përshtatshëm me formatin e këtij festivali, i cili në fakt është promotor i artistëve dhe rrymave të reja muzikore, por ndërkohe po përshtatet edhe me këto breza artistësh.
Ju vetë do të kishit veçuar këngë si më të preferuarat, që mendoni se kanë qenë vërtet të bukura?
Sigurisht, ka shumë këngë që mua më pëlqejnë, madje mund të them se shumica e këngëve të këtij edicioni janë mjaft të bukura. Të gjitha këngët kanë bukurinë e tyre dhe sjellin emocione të ndryshme dhe unë nuk mund t’i ndaj.
Ky është edicioni i dytë ku artistët këndojnë “live”, si ka rezultuar kjo përballje reale e këngëtareve me publikun?
Mendoj që ky është një ndër hapat më novativë të këtyre viteve të fundit që “Top Channel” dhe artistët shqiptarë kanë ndërmarrë së bashku. Në këtë edicion kam kuptuar që artistët shqiptarë janë në gjendje të këndojnë dhe të interpretojnë “live”, madje mund të them që në shumicën e rasteve cilësia dhe emocioni i këngëve në këtë version është shumë më i madh, sesa ai i versioneve të studiove.
Cilët nga këngëtarët shqiptarë do i kishe telefonuar me qejf për t’i pasur në këtë garë?
Është kënaqësi shumë e madhe të punosh me artistë të rinj e të vjetër. Unë jam shumë i kënaqur me të gjithë artistët që kanë marrë pjesë në të gjitha edicionet e “Top Fest”. Artistët kanë një aftësi për të sjellë emocione të veçanta nëpërmjet artit të tyre dhe për këtë nuk mund t’i ndaj, pasi të gjithë kanë diçka të veçantë në artin e tyre.
Duke iu referuar vitit të kaluar, ka pasur disa këngëtarë që kanë mbetur të pakënaqur, kanë pasur pretendime për çmim dhe ndonjë është tërhequr para kohe. Po këtë vit ka pasur raste të tilla?
Vlerësimi i vërtetë për një këngë jepet nga publiku, i cili e pëlqen këngën dhe e shijon atë. Muzika është një gjuhë e veçantë, e cila në shumicën e rasteve i flet botës së brendshme shpirtërore. Mendoj se çmimet dhe vlerësimet publike janë një ndihmë për t’u dhënë shtysë artistëve që të vazhdojnë të investojnë në krijimtarinë e tyre. Artistët nuk duhet të shqetësohen për çmimet, sepse ato harrohen shpejt, por duhet të kujdesen për muzikën e tyre, për ngritjen e aftësive personale që t’i shërbejnë sa më shumë publikut, i cili është i vetmi vlerësues i vërtetë. Nga ky përfundim, mund të them se të gjithë artistët janë të fituar dhe fitorja më e madhe është mundësia që u është dhënë për të shprehur artin e tyre tek publiku shqiptar.

 

KLOTILDA HARKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura