“Donin të vinin Enverin kundër Mehmetit”- Nexhmije Hoxha tregon prapaskenat e shkarkimit të Beqir Ballukut: Si e goditi pas shpine Petrit Dume. Takimet e shpeshta në shtëpinë e…

Feb 21, 2020 | 14:31
SHPËRNDAJE

Nexhmije Hoxha ka qenë dëshmitare në shumë ngjarje të mëdha politike që kanë ndodhur, kryesisht gjatë gjysmës së dytë të shek. XX.

dume

Ajo ka ndjekur hap pas hapi të shoqin, diktatorin Enver Hoxha, në të gjitha problemet që ka hasur gjatë drejtimit të partisë-shtet, në dilemat dhe përplasjet që ka pasur, ka marrë pjesë në mbledhje e debate, ku janë vendosur fatet e disa prej krerëve të udhëheqjes komuniste, raporton Panorama.al. Në librin e saj “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, Nexhmije Hoxha ndalet edhe në ngjarjet që ndodhën në Ushtri, që u mbyllën me dënimin e krerëve më të lartë të saj. Ajo tregon se ku konsistonin “Tezat e zeza” të Beqir Ballukut, cili ishte roli i Petrit Dumes dhe qëndrimi i Mehmet Shehut, që pas dorëheqjes së Ballukut mori pozicionin e ministrit të Mbrojtjes.

auto_Enver_and_Nexhmije_Hoxha_in_home_library1504022399

E veja e diktatorit tregon edhe për karakteret e Ballukut e të Dumes dhe mënyrën se si ata e përdornin postin.

VITET 1973-1974. NGJARJET NË USHTRI. MEHMETI EMËROHET MINISTËR I MBROJTJES

Në janarin e vitin 1974, kur u konsiderua e kapërcyer gjendja e rëndë e krizave të zemrës, mjekët i rekomanduan Enverit vetëm 2-3 orë punë në ditë dhe programuan afatin e konvaleshencës deri në vjeshtën e atij viti, për të bërë një pushim të plotë gjatë verës. Vetëm kur Enveri filloi të shkonte përsëri në zyrë, Hysni Kapoja i raportoi për gjendjen në Ministrinë e Mbrojtjes, për grindjen që po ndodhte në kupolën e Ushtrisë mes tre gjeneralëve më kryesorë.

Mosmarrëveshjet mes titullarëve të lartë të këtij dikasteri ishin acaruar shumë. Kjo e shqetësoi Enverin. Meqë këtij, në atë kohë, nuk i lejohej nga mjekët të merrte pjesë nëpër mbledhje, që të mos i prishej ekuilibri i zemrës, ai ngarkoi Mehmet Shehun dhe Hysni Kapon të thërrisnin ministrin e Mbrojtjes, Beqir Ballukun dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dumen, që të jepnin shpjegime për qëndrimet dhe mosmarrëveshjet e tyre.

Nexhmije-HOxha

Pyetjeve të shumta këmbëngulëse që u bënë Mehmetit dhe Hysniu, titullarët e lartë të Ushtrisë nuk dinin si t’u përgjigjeshin. Por, më në fund, Petrit Dumja, për të shpëtuar veten tha: “Me Beqir Ballukun kam kundërshtime parimore”. Vetëm kaq. Beqir Balluku nuk e priste këtë sulm nga krahët, pasi ata të dy kishin qenë në një mendje për t’i hyrë punës për përpunimin e Tezave të Këshillit të Mbrojtjes në një variant të ri (që nuk ishte ai që kërkonte Këshilli i Mbrojtjes, por ai që po konturonin në kokën e tyre), prandaj u revoltua, u hodh përpjetë dhe goditi me grusht në tryezë, duke bërtitur: “Kërkoj që KQ t’i vejë deri në fund kësaj çështjeje”.

Kur i raportuan për shpërthimin që ndodhi mes Ballukut dhe Dumes, Enver Hoxha deshi të sqarohej më mirë: Pse kishin arritur deri në këtë pikë mosmarrëveshjet në krye të Komandës së lartë të Ushtrisë dhe çfarë thuhej në materialet e përgatitura nga Beqir Balluku? Për këtë, ai ngarkoi Hysni Kapon të analizonte këto materiale. Në to shtrohej çështja sikur Tezat e Këshillit të Mbrojtjes nuk përputheshin me kërkesat e parimeve dhe koncepteve themelore të Artit tonë Ushtarak, prandaj dhe propozonin teza të tjera, që të përputheshin me Artin Ushtarak Popullor, të shprehura në fjalimin e Enver Hoxhës në Plenumin e 12-të të KQ (1971).

Nexhmije_Hoxha

Ky formulim i Beqir Ballukut me shokë e revoltoi Enverin, i cili u shpreh: “Mos duan vallë autorët që, duke përdorur thëniet e mia në Plenumin e 12-të të KQ, të maskojnë tezat e tyre të rrezikshme… është kjo një orvatje djallëzore, shprehje e mendimeve armiqësore që kanë për qëllim përçarjen e udhëheqjes së Partisë?”. Kur flet për përçarje, Enveri kishte në mendje synimin e Beqir Ballukut dhe të grupit të punës për ta vënë Enverin kundër Mehmetit, duke u nisur nga fakti që ishte Mehmeti ai që formuloi tezat.

Beqir Balluku në “përpunimin” a korrigjimin” që u bëri atyre, përdorte, si kundërvënie, citatet e Enver Hoxhës, sikur tezat të ishin personale të Mehmet Shehut, kurse ato ishin të Këshillit të Mbrojtjes, që dha orientimin dhe miratimin e tij. Antitezat ose “tezat e zeza” të këtij grupi ishin krejt të gabuara dhe jashtëzakonisht të rrezikshme, sepse në to përjashtohej mbrojtja në front të rregullt… sepse, sipas formulimit të tyre, “armikun nuk e kundërsulmojmë dot, as nuk e ndalim dot”.

enver-hoxha-3-e1525930104324

Në to, strategjia e Partisë dhe e shtetit tonë për mbrojtjen qe përmbysur kokëposhtë: në vend të mbrojtjes dhe rezistencës frontale, rekomandohej “teoria e rrëshqitjes”, sipas së cilës, në rast sulmi masiv të agresorit dhe përballë teknikës së tij të lartë, rekomandohej tërheqja e forcave tona mbrojtëse nga zonat e ulëta bregdetare dhe nga qytetet, në drejtim të maleve dhe këtu të organizonin luftë partizane, si gjatë Luftës Nacionalçlirimtare.

Kjo “logjikë” nuk ishte gjë tjetër veçse një logjikë kapitullimi, sepse, sipas saj, armikut i liheshin hapur rrugët dhe terreni ynë fushor. Dhe këto thuheshin në një kohë kur ne kishim, tashmë, një shtet të konsoliduar, me një Ushtri të organizuar mirë, që ishte e përgatitur për të kryer detyrën e mbrojtjes së atdheut, të çdo pëllëmbë toke, të çdo qyteti e fshati, të njerëzve tanë dhe të pasurive të tyre, familjare e shtetërore. Nuk ishim në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, kur Partisë sonë të re iu desh të organizonte e të udhëhiqte luftën partizane, kur popullit tonë iu desh të dilte e të luftonte malit. Dua të theksoj se, pas shkarkimit të Beqir Ballukut, Enveri emëroi Mehmet Shehun ministër të Mbrojtjes, duke e lënë njëkohësisht Kryeministër.

Përsëri Mehmeti në këmbë! Përsëri Enveri tregon shumë besim tek ai, megjithatë vazhdonte të ndiqte me vigjilencë dhe shqetësim zhvillimet dhe ngjarjet në Ushtri. Për t’u shënuar është edhe fakti që Mehmeti mbajti zëvendës të tij, në ministri, pikërisht dy bashkëpunëtorët e Beqir Ballukut, Petrit Dumen dhe Hito Çakon. Kështu dha përshtypjen se ai i shfajësonte plotësisht ata. Kjo përshtypje u përforcua në një mbrëmje të atyre ditëve, kur bashkë me Enverin po bënim një shëtitje në rrugën para shtëpisë sonë.

beqiri balluku

Tek po ecnim, papritur pamë që nga shtëpia e Mehmetit dolën Petrit Dumja dhe Hito Çakoja. Pak më vonë doli Mehmeti, i cili, sa na pa, u bashkua me ne, siç ndodhte shpesh. Ai na tregoi se kishte biseduar me ta për shëndoshjen e situatës në Ushtri dhe ata i kishin thënë: “Na mbreh, shoku Mehmet, jemi tërësisht të mobilizuar…”. Enveri nuk tha asgjë lidhur me këtë gjatë asaj shëtitjeje, por, kur u kthyem në shtëpi, tha si i menduar: “Po ky?!”.

Unë nuk e ngacmova më tej, sepse e pashë që nuk ishte i qetë dhe po reflektonte me veten e tij, në heshtje. Zakonisht, unë i respektoja këto heshtje reflektimi të tij. Por më pas, Enveri hapte bisedë me mua ose më lexonte diçka, ndonjë dokument a reflektim të tij për ndonjë çështje serioze. Natyrisht, unë e dëgjoja me shumë vëmendje, por edhe i shprehja lirisht ndonjë mendim timin. Por tani them që, ndonjëherë, siç qe dhe rasti lidhur me ngjarjet në Ushtri, ndoshta do të kishte qenë më mirë ta pyesja më thellë, si, për shembull: “Pse e bënte këtë?”, “A dyshonte apo nuk dyshonte për Mehmetin?”, “Pse pikërisht bëri atë ministër të Mbrojtjes, duke e lënë edhe Kryeministër, kur në kabinetin e tij u dënuan dy ministra?” etj./PANORAMA.al

VIJON…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura