“Do të thyejmë traditën e votimit me tifozllëk”/ Gazment Bardhi: Gramshi, bashkia në gjendje më të mjerueshme

Mar 28, 2021 | 17:45
SHPËRNDAJE

gazment bardhiGjatë një takimi me banorë të Gramshit, ku ka prezantuar kandidatin për deputet, mjekun Fadil Mërzhegu, drejtuesi Politik i PD për qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi është shprehur se ky qytet me 25 Prill do të ndryshojë modelin e politikës, duke thyer traditën e keqe 30 vjecare të votimit të një partie që këtë besim nuk e ktheu kurrë në shërbim ndaj njerëzve.

Nëse kanë 30 vjet që i japin besim në shumicë dërrmuese Partisë Socialiste, dhe s’kanë marrë mbrapsht asnjë shërbim, nuk mund të votojnë sërish PS-në thjesht për inerci, se janë socialistë. Se vetëm kur të gjithë ne bashkë ta konsiderojmë politikën llogaridhënie, e shërbim ndaj njerëzve, të jeni të sigurt se do të jemi të gjithë më mirë. Nuk mund të jemi më mirë qoftë se votojmë me tifozllëk. Nuk do jemi kurrë më mirë nëse votojmë për partinë duke mos menduar familjen tonë e fëmijët tanë. Se ju pyeta herës së shkuar, a ka përfituar ndonjëri ndonjë lek nga ato 95 milionë euro që pretendon se ka shpërndarë vitin që shkoi, dhe më thatë që asnjëri prej nesh këtu në fshat, nuk ka marrë qoftë edhe një qindarkë”, tha Bardhi.

Duke u ndalur te skepticizmi i qytetarëve, Bardhi pohoi se përvoja që kanë pasur deri tani i ka bërë me të drejtë gramshiotët të jenë dyshues.

“Deri më sot, me shumë të drejtë ju mund të thoni: S’kemi parë deputetët të na shërbejnë! Duke qenë se përsërisin çdo katër vjet të njëjtat gënjeshtra këtu në Gramsh, edhe pse kanë marrë me vite të tëra besim absolut për Partinë Socialiste.

Tani kanë filluar ta aplikojnë këtë modelin që i ndërrojnë kandidatët çdo katër vjet. Këtë kanë bërë edhe kësaj here! Dhe mendojnë se duke u paraqitur tek ju me fytyrë të re dhe logo të vjetër, do marrin besimin e qytetarëve të Gramshit. Realiteti është që janë po të njëjtët gënjeshtarë, thjesht ndryshojnë fytyrë, se o kanë pasur detyrim për Gramshin, o s’kanë pasur për asnjë bashki tjetër në të gjithë territorin e qarkut të Elbasanit. Dhe kjo braktisje është edhe arsyeja përse unë kam zgjedhur që jo vetëm këtë fushatë, por edhe pas zgjedhjeve, bashkë me Dr. Fadilin, të mbuloj Gramshin.

Kam konstatuar që Gramshi bashkë me fshatrat është bashkia në gjendje më të mjerueshme, krahasuar me të gjithë bashkitë e tjetra të qarkut të Elbasanit. Askund nuk e kam gjetur varfërinë dhe mjerimin në nivele të tilla siç e kam gjetur këtu. Mjerim, mjerim, mjerim!”, deklaroi Bardhi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura