Dirigjenti italian: S’mungon dëshira, por skenat

Aug 31, 2012 | 15:02
SHPËRNDAJE

Opera e Rosinit në skenë nga një kast shqiptaro-italian.

“Berberi i Seviljes” ngjitet fillimisht në skenën e Tiranës e mandej në Amfiteatrin e Apolonisë.

Në kast ai ka shqiptarë, italianë dhe një bullgar. Të gjithë flasin gjuhë të ndryshme (megjithëse të gjithë shqiptarët dinë nga pak italisht), por “opera italiane i bashkon të gjithë”. Kështu thotë dirigjenti Ettore Papadia, i cili ndodhet në Tiranë për operën “Berberi i Seviljes”, i cili do të shfaqet sot e nesër, në kuadër të festivalit të Apolonisë 2012. Kjo nuk është hera e parë për dirigjentin italian që vjen në Shqipëri, ndaj dhe tashmë ia ka marrë dorën me shqiptarët. Papadia tregon për këtë vënie të “Berberit të Seviljes” dhe punën me një kast këngëtarësh nga disa vende të Europës. Opera e famshme e Rosinit shfaqet sot në Qendrën e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe nesër në odeonin e Apolonisë.
Edhe pak ju ndan nga premiera, si kanë ecur punët?
Mirë, shumë mirë. Po punoj me një grup shumë të mirë. Orkestra është shumë e mirë, se përbëhet gjysma nga instrumentistë të Orkestrës së RTSH-së dhe gjysma nga orkestra e operës. Jam i kënaqur, dhe pse nuk kemi shumë salla ku të bëjmë prova, nisëm këtu, por prapë jemi mirë.
Interpretuesit janë nga vende të ndryshme. Si e gjeni gjuhën e përbashkët?
Them se opera italiane i bashkon të gjithë. Është bukur të gjesh së bashku këngëtarë shqiptarë, italianë, si dhe një bullgar. Këngëtarët italianë i njihnin ndërkohë rolet, ndërsa disa nga shqiptarët janë debutues me rolet e tyre si Armando Likaj me Figaron, Ulpiana Aliaj me Rosinën dhe Ogert Islami me Fiorellon.
Veç shfaqjes në një sallë të mbyllur, çka është edhe më e zakonshmja, vepra do ngjitet në Amfiteatrin antik të Apolonisë, si vjen një opera në një ambient të hapur?
Është më e lehtë sesa në një sallë të mbyllur. Zëri vjen i plotë. Për mua, kjo është vepra e tretë që vë në Apoloni. Para pesë vitesh kam drejtuar “La vedova allegra”. Para dy vitesh operën “Silvano” dhe tashmë “Berberin e Seviljes”. Një opera vjen shumë mirë në amfiteatër, sepse pas është skena dhe përballë janë shkallët, që janë të larta dhe zëri shkon siç duhet te spektatorët. Shpresojmë të jetë një kohë e bukur dhe të kemi erën nga ana jonë…
Jeni për të disatën herë tashmë në Shqipëri. Çfarë ju bën të ktheheni sërish këtu?
Më pëlqen të punoj në Shqipëri. Më shpesh kam ardhur për të drejtuar koncertet e Orkestrës Simfonike të RTSH-së. Ndihem mirë, përshtatem, ndoshta dhe për faktin se unë banoj përballë jush, në Puglia. Pra jemi shumë afër.
Duke qenë se jeni kaq afër, si jemi ne shqiptarët si mentalitet pune?
Si ne (qesh). Ka nga ata që duan të punojnë më shumë, ka nga ata që u pëlqen të punojnë më pak. Por shumë i rëndësishëm është fakti që këtu shoh dëshirë të mirë për të bërë gjëra. Shpesh nuk është faji i artistëve, por i strukturave që merren me ta. Në Tiranë ka vetëm një teatër opere, por dëshira për të realizuar vepra të bukura është dhe kjo më ndihmon të punoj.
I jeni paraqitur publikut shqiptar më shumë përmes koncerteve simfonike dhe besoj se një opera ka një përgjegjësi dhe punë më të madhe, apo jo?
Unë në përgjithësi drejtoj opera, kështu që këtu jam në shtëpinë time. Por sigurisht që të drejtosh një opera dhe një koncert simfonik ndryshojnë nga njëra-tjetra. Në një opera duhet të jesh shumë i kujdesshëm ndaj këngëtarëve dhe kërkesave të tyre, kështu që orkestra kthehet në një shoqëruese të këngëtarëve. Ndërsa në një koncert simfonik orkestra është e vetme, kështu që bëhet një punë krejt ndryshe, mendohet për orkestrën. Mendoj se opera   ndryshon shumë në bazë të personazheve që ka, tipit të këngëtarit. Për shembull, unë “Berberin e Seviljes” e kam bërë dhe më parë, por kasti realizues nuk ishte ky, pra dhe tempi dhe shpejtësia e interpretimit të orkestrës ndryshon sipas llojit të zërave që interpretojnë. Gjithsesi jam i qetë, sepse kam parë që regjisori i ka vënë interpretuesit të bëjnë lëvizjet bazë dhe jo shumë gjëra, kështu që mund të përqendrohen lehtë në skenë.
Përmendët regjisorin, sa i rëndësishëm është ai në një vepër operistike?
Në të vërtetë, përgjegjësi për mbarëvajtjen e një opere është dirigjenti. Por bashkëpunohet shumë mes të dyve. Sepse siç e shihni, tashmë këngëtarët po bëjnë një provë në skenë dhe regjisori po u mëson se çfarë duhet të bëjnë. Sigurisht që nëse regjisori bën gjëra që i pengon këngëtarët që të këndojnë mirë, ndërhyn dirigjenti, duke i thënë që “nuk mund të këndohet duke u kthyer nga ajo anë, ose duhet të jetë me shikim tek unë apo jo?”, kështu që në të vërtetë është dirigjenti përgjegjës se si shkojnë gjërat. Pastaj varet dhe nga rëndësia që ka një dirigjent dhe një regjisor. Nëse një dirigjent është në hapat e parë dhe regjisori shumë i rëndësishëm, atëherë ndryshojnë balancat. Por them se me regjisorin e “Berberit … “, Milto Kutalin, punohet shumë mirë. Është një person i përgjegjshëm, kështu që them se gjërat do shkojnë shumë mirë. Për fat të keq kemi shumë pak elementë në kor, por kaq mund të bëjmë, ndërsa orkestra ka mbetur vetëm në elementët e domosdoshëm me 20-22 instrumentistë, por më përgjigjen mirë. Besoj se opera do vijë shumë mirë te publiku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura