DIALOGU/ Eksodi i shqiptarëve, ja pyetjet që u bëjnë policët udhëtarëve në kufij

Apr 20, 2015 | 8:00
SHPËRNDAJE

Policia kufitare e Durrësit ka shtrënguar masat dhe çdo ditë kthen për arsye të ndryshme me dhjetëra qytetarë që tentojnë të udhëtojnë drejt Italisë.

Katër herë radhazi është kthyer nga ana e autoriteteve 21-vjeçari Egzon Muja, me argumentin se ka mungesë në dokumentacion. Por i riu nga Kukësi shprehet se kjo masë ndaj tij është diskriminuese për shkak të vendlindjes së tij. Kukësi është një ndër zonat ku ka pasur më së shumti dyndje këto ditë nga banorët që nisen për të kërkuar azil në Gjermani, por ai shprehet se nuk ka qëllim ikjen me qëllime azili.

Garancia e 21-vjeçarit

Nga një vëzhgim në pikën kufitare të Durrësit, vihet re se kontrollorët më së shumti kthejnë ata që nuk kanë pamjen e “turistit”. Për këtë shkak, dhjetëra të kthyer, kryesisht nga zona të thella e të varfra të vendit thonë se po diskriminohen e kthehen. Dy ditë më parë, Policia kufitare e Durrësit ktheu 70 persona.

Ndërsa në 10 ditët e fundit janë kthyer mbrapsht 1 mijë veta. “Shteti shqiptar ka rikthyer regjimin e vizave për qytetarët e vet, duke i izoluar ata sikurse të jemi në diktaturë”, shprehet mjaft i irrituar 21-vjeçari nga Kukësi.

Egzon, kontrollori sapo ju ktheu mbrapsht. Pse nuk lejoi kalimin?

Nuk e kuptoj se përse më kthyen. Unë i kisha të gjitha dokumentet e nevojshme, por sërish Policia më refuzoi duke më kthyer. Kjo është e disata herë që Policia nuk më lejon të shkoj tek im vëlla në Itali, ndonëse i plotësoj të gjitha kriteret. Nuk e kuptoj pse po pengohem. Nuk e kam për herë të parë që dal jashtë shtetit, kam qenë edhe më herët në Itali dhe jam kthyer brenda afateve të përcaktuara nga autoritetet.

Çfarë ju thanë te sporteli? Me çfarë pretendimi ju kthyen?

Polici i kufirit, i cili mori nën shqyrtim dokumentacionin tim, më bëri një sërë pyetjesh të ndryshme shumë provokuese. Ku punoj, nga jam, ku do shkoj, sa do rri, cili është motivi që do shkoj në Itali etj. Pavarësisht se u dhashë informacionin që më kërkuan, sërish më kthyen. Nxori justifikimin se nuk mund të kaloj, pasi garancia duhet të jetë origjinale dhe jo fotokopje.

Më herët ju thatë se kjo është hera e katërt që nuk u kanë lejuar të kaloni kufirin. Me të njëjtin pretendim ju kthyen, apo keni pasur probleme të tjera siç është mungesa e parave që çdokush duhet t’i ketë me vete në momentin që tenton të kalojë kufirin?

Jo. Herën e parë që më kanë kthyer ka qenë për shkak të mungesës së vulës së komunës e prefekturës në letërgarancinë që më dërgoi vëllai. Ndërsa herën e dytë, ashtu sikurse edhe në të tretën, ishte shuma monetare e pamjaftueshme sipas tyre. Këtë radhë, edhe pse i kam të dyja, edhe dokumentet edhe paratë e mjaftueshme, ata kërkojnë që ky dokument të jetë origjinal dhe jo fotokopje.

Mendoni se jeni penalizuar për faktin se bashkëqytetarët tuaj po largohen në masë, më qëllim përfitimin e azilit në zonën “Shengen”?

Mendoj se po. Që në momentin që panë vendlindjen në pasaportë, nisin pyetjet provokuese. Ndihem shumë i diskriminuar nga shteti im. Më mbajtën shumë gjatë duke më pyetur për gjëra të ndryshme që nuk i hyjnë në punë askujt, si e si të kapeshin diku për të më mos lejuar të kaloja. Te sporteli i shikojnë njerëzit nga veshja, paraqitja apo vendlindja. Ndonëse jam nga Kukësi, unë nuk kam lidhje me azilkërkuesit.

Sa ju ka kushtuar bileta?

Kjo ka kosto se do paguash biletën e tragetit, por edhe udhëtimin katër herë nga Kukësi në Durrës. Vetëm bileta trageti kam prerë katër me nga 60 euro secilën që bëjnë 240 euro, shto edhe shpenzimet e tjera, katër herë vajtjeardhje Kukës-Durrës. Janë para djerse të shpenzuara kot. Si unë janë me dhjetëra qytetarë. Një familje me pesë anëtar që iu refuzua kalimi pak më parë kanë shpenzuar më shumë se 500 euro vetëm për biletat. Shteti shqiptar ka rikthyer regjimin e vizave për qytetarët e vet, duke i izoluar ata sikurse të jemi ende në diktaturë. Bllokimi që na bëhet për lëvizjen e lirë në vendet e zonës “Shengen”, nuk është aspak normale. Për mua nuk është hera e parë që do të shkoja në Itali, duke kaluar nga Porti i Durrësit, por këtë radhë po pengohemi pa asnjë lloj arsyeje edhe pse i kam respektuar të gjitha rregullat.

Dialogu në kufi, Kontrollori: S’ma mbush mendjen se kthehesh

Mjafton që origjina e qytetarëve që tentojnë të kalojnë nëpërmjet pikës kufitare të Portit të Durrësit të jetë nga vende të tilla si Kukësi, Berati, Elbasani e zona të tjera të thella, kontrollori vendos ta kthejë mbrapsht. Seanca e marrjes në pyetje nga ana e autoriteteve kufitare zgjat disa minuta, më pas kontrollori në sajë të “bindjes” personale vendos nëse do ta lejojë kalimin ose jo. Gjatë një vëzhgimi në pikën kufitare të Portit të Durrësit, gazeta arriti të regjistronte dialogun mes udhëtarit nga Kukësi, Egzon Muja dhe kontrollorit.

Egzon Muja, kuksiani i kthyer në Portin e Durrësit

Udhëtari: Mirëmbrëma

Kontrollori: Pasaportën ju lutem.

Udhëtari: Urdhëroni!

Kontrollori (pasi hap pasaportën): Nga Kukësi qenke
ti? Ku do shkosh?

Udhëtari: Po, nga Kukësi jam. Do të shkoj në Bari tek im
vëlla.

Kontrollori: Në Bari? Çdo në Bari ti? (qesh). Lëri këto t’i, po
hë…

Udhëtari: Në Bari do iki. Aty e kam vëllain që më pret.

Kontrollori: Ma jep pak letërgarancinë (kontrollon letrën dhe shef nga koka te këmbët qytetarin). Nuk mund të kalosh me këtë letërgaranci se duhet origjinali dhe jo e printuar nga adresa e e-mailit…

Udhëtari: Si nuk mund të kaloj…?

Kontrollori: Ça a punë bën?

Udhëtari: Nuk punoj se nuk kam gjetur dot punë.

Kontrollori: Sa para ke me vete?

Udhëtari: Kam mjaftueshëm për nevojat personale, 400 euro.

Kontrollori: Sa ditë ke ndërmend të shtysh me 400 euro ti?

Udhëtari: Po kam edhe vëllain atje… dhe më jep të tjera ai nëse do më nevojiten.

Kontrollori: E para nuk ma mbush mendjen që do shkosh në Bari dhe e dyta nuk mund të kalosh se të mungon letërgarancia origjinale. Pa atë, nuk lejohet kalimi i kufirit. 

Udhëtari: Po unë kam kaluar edhe pa të më herët. Kjo është hera e katërt që më refuzoni dhe çdo herë nga një pretekst. Një herë se garancia nuk është me vulë komune e prefekture, herën tjetër nxirrni shkak tjetër. Tani thoni duhet origjinali. Unë kam qenë edhe herë të tjera në Itali dhe jam kthyer në afat.

Kontrollori: Më vjen keq, nuk mund të kalosh…

Udhëtari: Jam qytetar i rregullt, pse nuk mund të kaloj?

Kontrollori: Të lutem liro radhën. Tjetri, pasaportën.

Udhëtari: Shefi një sekondë…

Kontrollori: Merr origjinalen dhe hajde të kalosh.

Leonidha Musaj 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura