Dhjetëra familje të evakuuara në Shkodër dhe Lezhë, ministria e Mbrojtjes: Orët janë kritike, u bëjmë thirrje banorëve që…

Nov 21, 2022 | 13:03
SHPËRNDAJE

Reshjet e shiut që kanë rënë dy ditët e fundit kanë shkaktuar problematika të mëdha, kryesisht në zonat veriore. Sipas ministrisë së Mbrojtjes janë angazhuar mbi 250 efektivë të Forcave të Amratosura dhe 25 motomjete, por edhe janë vënë në dispozicion mjete të posaçme për përmbytjet.

permbytje

Ministria në përditësimin e fundit thotë se është bërë evakuimi i 50 familjeve në bashkinë Shkodër dhe 3 familjeve në fshatin Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe. Të evakuuarit janë strehuar në konviktet e shkollave dhe pranë të afërmve të tyre.

Ndërkohë një familje është evakuuar nga fshati Mabe, në Lezhë, të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Ministria u bën thirrje banorëve të zonave më të prekura nga reshjet, “të bëjnë kujdes gjatë këtyre orëve kritike, të kërkojnë ndihmën e autoriteteve në çdo rast dhe pa vonesë”.

Njoftimi i plote

Sipas të dhënave të fundit nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në Agjencinë e Mbrojtjes Civile, situata si pasojë e reshjeve intensive në vend paraqitet problematike veçanërisht në qarqet e Shkodrës dhe Lezhës.

Mbi 240 efektivë të Forcave të Armatosura, me 25 motomjete dhe pajisje të posaçme për përmbytjet janë përqendruar në këto dy qarqe, në ndihmë edhe të forcave të tjera operacionale.

Për shkak të pranisë së ujit në banesa, është bërë evakuimi i 50 familjeve në bashkinë Shkodër dhe 3 familjeve në fshatin Gruemirë, bashkia Malësi e Madhe. Të evakuuarit janë strehuar në konviktet e shkollave dhe pranë të afërmve të tyre.

Një familje është evakuuar nga fshati Mabe, në Lezhë, të cilët janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Pas kërkimeve intensive është bërë e mundur gjetja e trupave të babë e bir, në fshatin Dedaj, të cilët i mori rrjedha e ujit të përroit në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, fshati Bogë, njësia administrative Shkrel,  bashkia Malësie Madhe.

Punonjësit e ARRSH janë gjatë gjithë kohës në terren për të pastruar akset e bllokuara.

Është bërë i mundur kalimi i banorëve të zonave ku ka probleme edhe me rrugë të tjera alternative.

Në aksin rrugor Shkodër- Lezhë, në vendin e quajtur “Harku i Bërdicës”, kalimi bëhet në drejtim të Gurit të Zi.

Po ashtu është normalizuar situata në aksin e vjetër Milot-Burrel, ku pati rënie gurësh.

Furnizimi me energji është i garantuar në pjesën më të madhe të zonave, ku ka patur dëmtime nga reshjet, pas një pune të pandërprerë nga punonjësit e OSHEE në terren.

Situata po ndiqet me vëmendje edhe në bashkitë e tjera të vendit si në atë të Dibrës, Kukësit, Tropojës, Durrësit, Tiranës,etj.

Efektivët e Forcave të Armatosura, nën koordimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, të gjitha kapacitetet e shërbimit zjarrfikës, Policia e Shtetit, strukturat e emergjencave civile, shërbimi mjekësor janë të gjithë të angazhuar në terren në çdo rast nevoje.

U bëjmë thirrje banorëve të zonave më të prekura nga reshjet, të bëjnë kujdes gjatë këtyre orëve kritike, të kërkojnë ndihmën e autoriteteve në çdo rast dhe pa vonesë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura