Dhjetë gënjeshtrat e Kryeministrit

Dec 30, 2012 | 10:36
SHPËRNDAJE

ILIR BEQJA

Ditën e mërkurë, Kryeministri i vendit mblodhi gazetarë të mediave të ndryshme për t’iu komentuar një raport ndërkombëtar të hartuar nga një grup këshillimor amerikan me seli në Boston. Sipas Kryeministrit, ky raport krahasues për më shumë se 150 vende të botës, tregon se Shqipëria është në pararojë të zhvillimit botëror.  Këtë vend primar në Shqipërisë u përpoq ta ilustrojë me 10 tregues kryesorë që, sipas tij, e përligjin pozicionin e avancuar të vendit tonë. Për fat të keq, tonin më së shumti pa dyshim, të dhëna zyrtare provojnë se Kryeministri nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka GËNJYER, siç bën prej kohësh dhe siç është dëshmuar se është e vetmja gjë që di të bëjë shumë mirë, madje zor se gjen një të dytë si ai.
1. GDP për frymë. Sipas Kryeministrit, shqiptarët kanë 9,300 dollarë për frymë.
Nisur nga kjo shifër, nuk është e vështirë të vlerësosh se sa është GDP e Shqipërisë bazuar në treguesit:
GDP/banor    9,300 dollarë
Banorë    2,820,000
1 dollar     106 lek
GDP        2,780,000 milionë lekë
Por, në dokumentet zyrtare të miratimit të buxhetit të vitit 2013, qeveria thotë se GDP e vitit 2012 do të jetë 1,360,914 milionë lekë. Pra, të ardhurat për frymë të pretenduara nga Kryeministri prodhojnë një GDP rreth 2 herë më të madhe se ajo që vetë Kryeministri ka paraqitur në Kuvend.
Kryeministri na thotë që të ardhurat për frymë janë rritur nga 3,900 në 9,300 në 7 vjet, ose rreth 2,4 herë. Por, të dhënat zyrtare tregojnë se GDP e vitit 2012 (1,360,914 mln lekë) është vetëm 1,67 herë më e madhe se GDP e vitit 2005 (814,797 mln lekë). Që të rriten të ardhurat për frymë 2,4 herë ndërkohë që GDP është rritur nominalisht vetëm 1,67 herë, duhet që popullsia në vend të jetë 2,1 milionë! Ndoshta Saliu ka në plan që të largojë nga Shqipëria edhe rreth 700 mijë shqiptarë të tjerë.
Kryeministri u tregoi gazetarëve se paga mesatare është dyfishuar në periudhën 2005 – 2012. Por edhe këtu gënjen shumë trashë. Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2005, shpenzimet e pagave në buxhetin e shtetit kanë qenë 42,801 mln lekë. Që të dyfishohet paga mesatare është njësoj sikur të thuash është dyfishuar fondi i pagave. Por fondi i pagave në 2012-n është rreth 60,000 mln lekë. Pra rritja është më pak se 50% në 7 vjet. Dhe kjo është rritje nominale. Realisht duhet të flasim se çfarë mund të blihet me këto paga, që edhe janë “ngrënë” nga taksa e sheshtë, edhe duhet të përballojnë fatura uji të pijshëm e energjie elektrike të dyfishuara, edhe duhet të përballojnë ushqime bazë si miell, oriz, sheqer e vaj, po ashtu të dyfishuara.
2.  Punësimi dhe papunësia. Sipas Kryeministrit, Shqipëria jo vetëm që nuk pati papunësi të re, por pati ulje të papunësisë. Shqipëria është i vetmi vend që ulet punësimi dhe paralelisht edhe papunësia, dhe Saliu është i vetmi Kryeministër që jo vetëm e pranon këtë gënjeshtër, por edhe merr guximin ta deklamojë si arritje. Sipas të dhënave zyrtare, të punësuarit në vitin 2005 janë 932 mijë, ndërsa në qershor 2012 janë 923 mijë. Pra të punësuarit janë pakësuar me 9 mijë vets. Ndërsa të papunët e regjistruar si të tillë janë pakësuar me 11 mijë veta. Vetëm një mendje e marrë mund të ketë kurajën t’i deklarojë të dyja së bashku si arritje.
Ka një debat prej disa vitesh për numrin e të papunëve në Shqipëri. Qeveria është fshehur gjithmonë pas asaj vetë ajo e quan papunësi administrative dhe është bazuar gjithmonë tek ata që regjistrohen si të papunë në zyrat shtetërore të punës. Nga ana tjetër, për punësimin në fshat qeveria bazohet te pronësia e tokës për çdo person mbi 18 vjeç. Edhe nëse i kthehemi të dhënave të censusit 2011 rezulton se, zyrtarisht, janë rreth 730 mijë shqiptarë në intervalin 20 – 65 vjeç që nuk janë në punë. Themi zyrtarisht se edhe pse në fshat jetojnë sot vetëm 45% e popullsisë në moshë pune, të punësuarit në fshat, sipas qeverisë, janë 53% e të punësuarve në vend. Zyrtarisht, rezulton se shkalla e punësimit në fshat është 66%, ndërsa në qytet është 47%. A mund të shpjegojë kush se përse njerëzit ikin nga fshati drejt qytetit kur këtu ka shumë më pak shanse për punë?
3. Barazia e të ardhurave. Treguesi më i mirë që prej një shekulli përdoret për të matur (pa)barazinë në shpërndarjen e të ardhurave që krijohen në një vend, është indeksi GINI. Nëse indeksi është 0, kjo do të thotë, teorikisht, se të gjithë anëtarët e një shoqërie kanë të njëjtat të ardhura. Nëse është 1 (ose 100), kjo do të thotë se, teorikisht, vetëm 1 anëtar i një shoqërie ka të gjitha të ardhurat që krijohen në atë vend. Kështu, sa më afër vlerës 0 të jetë indeksi GINI, aq më e barabartë është ajo shoqëri. Sipas raportimeve të Bankës Botërore, indeksi GINI në vitin 2005 ka qenë 33, ndërsa në vitin 2008 ka arritur në 34,5. Pabarazia është thelluar me 4,5% deri në vitin 2008, edhe pse pas atij viti kemi edhe rënie të ardhurash të disponueshme nga vendosja e taksës së sheshtë, edhe rënie të dërgesave të emigrantëve me mbi 30%, edhe dyfishim të artikujve bazë të domosdoshëm.
4. Qëndrueshmëria ekonomike. Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve qeveritare (INSTAT dhe Ministri e Financave), rritja ekonomike mesatare në periudhën 2009 – 2012 është 2,8%, duke arritur në vitin 2012 në rritjen më pak se 1%, që është rritja më e ulët pas vitit të mbrapshtë 1997, ndërsa në periudhën 2000 – 2008 rritja ekonomike mesatare vjetore ka qenë 6,1% me rritjen më të lartë 7,8% në vitin 2001. Këto të dhëna zyrtare provojnë se ritmi mesatar i rritjes ka rënë më shumë se dy herë dhe qëndrueshmëria e rritjes është gënjeshtra e katërt.
5. Shëndetësia. Nëse Kryeministri mburret për aksesin e lartë në shëndetësinë shqiptare, realisht janë më shumë se 1 milion shqiptarë në moshë pune që nuk janë të siguruar sepse nuk kanë punë. Këta janë të përjashtuar nga shërbimi shëndetësor publik dhe janë të detyruar të paguajnë nga xhepi i tyre çdo qindarkë për barna dhe shërbime shëndetësore. Të mos flasim për cilësinë e shërbimit shëndetësor, pasi vetëm vdekjet e fëmijëve të javëve të fundit tregojnë qoftë për mungesë barnash, qoftë për mosrespektim të protokolleve mjekësore. Ndërkohë që qeveria para 10 ditësh pagoi nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave rreth 900 mijë dollarë për llogari të Spitalit Amerikan, edhe pse janë disa qindra milionë dollarë punësh publike të papaguara ende.
6. Arsimi – cilësia dhe qasja në arsim. Propagandohet si arritje numri i lartë i të rejave dhe të rinjve që ndjekin shkollën e lartë. Por, qeveria papunësisë rinore iu përgjigj me shqyerje të dyerve të shkollave të larta. Këto të fundit, jo vetëm që u kthen edhe në trafikuese ndërkombëtare diplomash të shkollës së lartë, por po shërbejnë edhe si subjekte që përligjin të ardhura qindramilionëshe për familjarë të Kryeministrit. Nëse do të flasim për cilësinë, këtë e përgënjeshtrojnë rezultatet në testin PISA, ku 15-vjeçarët shqiptarë janë të pestët nga fundi midis 67 vendeve të zhvilluara apo në zhvillim. Kryeministri thotë që 92% e nxënësve e ndjekin shkollën e mesme. Të dhënat zyrtarre të INSTAT tregojnë se Kryeministri gënjen. E dhëna më e fundit e disponueshme publikisht është se në qershor 2010 e mbaruan shkollën e mesme 34,800 veta. Ndërkohë që në vitin 2006 e kanë mbaruar arsimin e detyrueshëm 58,200 nxënës. Pra, 23,600 veta nuk e mbaruan shkollën e mesme. Dhe këta nuk janë 8% (duhet të ishin 4,600 veta) sa thotë Kryeministri, por 41%. Pra, Kryeministri gënjen me pesëfish.
7. Qeverisja. Që vendi është më i korruptuari në Europë, sapo u deklarua nga raporti i Transparency International. Në mënyrë të përsëritur Bashkimi Europian thekson mbisundimin e kulturës së pandëshkueshmërisë.
8. Mjedisi. Qeveria ka dështuar në administrim e mbetjeve urbane. Ka dështuar në mbrojtjen e tokës nga erozioni. Ka dështuar në ruajtjen e shtretërve të lumenjve. Ka dështuar ruajtjen e vijës bregdetare.
9. Infrastruktura – uji, transporti. Historia e rrugëve është kthyer në histori loje kungulleshkash. Kryeministri, pas çdo deklarimi, i shton kilometrat e rrugëve të ndërtuara, vetëm se në deklarimin e fundit nuk foli për rrugë të ndërtuara, por të asfaltuara. Por, le të ndalemi te uji i pijshëm. Tha të mërkurën se 97% e shqiptarëve marrin ujë rubineti. Censusi 2011 na tregon se nga 710 mijë banesa në të gjithë Shqipërinë, vetëm 470 mijë kanë rrjet ujësjellësi brenda banesës (tabelë 2.5.5 në faqen 160 të raportit). Pra, 1/3 e banesave në vend nuk kanë rrjet ujësjellësi brenda banesës. E vërteta është se 33% nuk kanë ujë në banesë, por Kryeministri e ha një 3 dhe gënjen kur thotë se janë 3%.
10.  Shoqëria civile. Kryeministri mburret për barazinë gjinore, por të dhënat e censusit e kundërshtojnë plotësisht edhe këtë deklarim. Pavarësisht se gratë jetojnë më gjatë dhe pavarësisht se perceptohet se duhet të kenë emigruar më pak se burrat, gratë janë më pak se burrat në Shqipëri. Fakti që për çdo 100 vajza të lindura janë 111 djem të lindur, tregon se sa e mashkullarizuar është shoqëria shqiptare. Fakti që indeksi i pjellorisë ka rënë në 1,8 fëmijë për çdo nënë (në intervalin që quhet i pjellorisë nga mosha 15 në 49 vjeçe) tregon se në radhë të parë gratë ndihen të pasigurta në familjet e tyre. Shembujt tragjikë të vajzave dhe grave të vrara në muajt e fundit janë përgënjeshtrimi më i vërtetë për Kryeministrin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura