Dhe përsëri drogë nga deti

Jul 26, 2017 | 11:30
SHPËRNDAJE

pellumb nakoPËLLUMB NAKO

Në median e shkruar dhe në portalet e shumta elektronike, këto ditë u fol për një ngarkesë të re me drogë të kapur nga ana e autoriteteve të sigurisë italiane në brigjet e vendit të tyre Mediat raportuan se këto autoritete e kishin çmuar sasinë e saj në 1.5 tonë dhe e kishin kapur atë gjatë një patrullimi rutinë në det. Më vonë, lajmi u pasurua me elementë të rinj dhënë nga Policia shqiptare, e cila thoshte se sasia e drogës ishte 1.3 tonë dhe ajo u kap në sajë të bashkëpunimit të saj me Guardia Di Finanzia-n italiane. Por, për më tepër, ajo nuk u shpreh për arsye hetimore.

Faktikisht, në këtë lajm, nga të dyja versionet nuk ka ndonjë të re. Sepse gjatë këtyre dekadave të fundit, Guardia di Finanzia italiane e vetme ka kapur dhjetëra e qindra herë sasi të ndryshme kanabisi me prejardhje nga Shqipëria. Po ashtu, ajo ka kapur edhe me sinjalizimin e apo bashkëpunimin e Policisë shqiptare gjithmonë nëpërmjet nuklit të Guardia di Finanzia-s, që ndodhet në Shqipëri. Histori që përsëritet e përsëritet. U kap apo nuk u kap. Me apo pa ndihmën e italianëve. Njësia e Guardia di Finanza-s italiane, me qendër në Durrës, aktualisht në një formë më të reduktuar, është vendosur në Shqipëri që prej vitit 1997.

Pra, ka plot 20 vjet. Për hir të së vërtetës, gjatë gjithë këtyre viteve ky nukël ka bërë një punë të shkëlqyer në luftën kundër trafiqeve, qoftë duke u angazhuar vetë direkt nëpër patrullime të detit (para dhe pas ndërtimit të flotave të disa institucioneve shqiptare); në ndjekjen e nxehtë të trafikantëve, në shkëmbimin e informacionit, në koordinimin me njësitë e saj homologe në ujërat territoriale të shtetit italian, si dhe në trajnime të ndryshme e të shumta për Policinë shqiptare. Në shumë raste, Guardia di Finanzia në Durrës i ka shpëtuar nderin Policisë shqiptare në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në Shqipëri janë disa institucione, të cilat aktualisht operojnë në det me mjete lundrimi më mision garantimin e sigurisë.

Është Roja Bregdetare e Ministrisë së Mbrojtjes, Policia Kufitare e Ministrisë së Brendshme, Antikontrabanda e Ministrisë së Financave, Kapitaneria e Porteve dhe disa të tjera. Të gjitha këto institucione janë konceptuar të punojnë së bashku dhe koordinohen nga Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare (QNOD). Forcat dhe mjetet e tyre mbështeten nga një sistem i integruar radarësh që kontrollojnë detin, si dhe nga një sistem i quajtur “Blue Box”, për identifikimin e mjeteve të peshkimit dhe anijet tregtare. E megjithatë, në shumicën dërrmuese të rasteve, kapjet bëhen me ndihmën dhe mbështetjen e Guardia di Finanzia-s, si në brigjet tona, edhe në brigjet italiane.

Roja Bregdetare shqiptare ka një potencial të jashtëzakonshëm mjetesh dhe personel të mirëtrajnuar për të garantuar maksimalisht sigurinë në det. Në flotën e saj janë 10 motovedeta të dhuruara nga qeveria amerikane. 5 prej tyre të prodhimit 1974, dhe të dhuruara në vitin 1999. 5 të tjera të tipit “Arch Angel”, të dhuruara në vitin 2012 me vlerë rreth 1 milion dollarë secila.

Katër mjete të klasit STAN PATROL 4207, 42 metra të gjata dhe 7 të gjëra, që në bord mbajnë një gomone, të prodhuara në bashkëpunim me Flotën holandeze në Shqipëri (2011, 2012, 2013), me vlerën totale në 32,8 milionë euro, ku 65% është paguar nga qeveria shqiptare dhe 35% nga ajo holandeze. Po ashtu, qeveria e asaj kohe ka investuar rreth 23 milionë dollarë për të ndërtuar sistemin e integruar të radarëve për vrojtimin në det. Por Roja Bregdetare ka mision të dyfishtë, ushtarak dhe civil.

Pra në kuadrin e Forcave të Armatosura ajo luan rolin e flotës ushtarake dhe në këtë mision ka detyrat dhe detyrimet si brenda vendit, edhe në NATO, kurse në kuadrin e misionit civil, ajo luan rolin e Rojës Bregdetare. Për përmbushjen e të dy misioneve, ajo ka vetëm një buxhet. Aktualisht, që prej muajit nëntor të vitit të kaluar, njëra nga anijet STAN PATROL 4207 është në mision në detin Egje në kuadrin e operacionit të NATO-s, Active Endeavoure. Edhe e vetme, por duke qenë e qartë në prioritetet që duhet të ndjekë për të dyja misionet, me mjetet që zotëron, Roja Bregdetare është në gjendje ta blindojë sigurinë në det.

Pyetja më e thjeshtë që bëhet në këtë rast është: A e ka buxhetin e mjaftueshëm kjo forcë (kryesisht karburant) për të kryer detyrat për të dy misionet? Po ashtu, në det operon edhe Policia Kufitare (me mjete dhe personel më modest), e cila në vitin 2009 është e pajisur me shtatë mjete të shpejta lundrimi me vlerë totale 2 milionë euro, të financuara nga Bashkimi Europian, si dhe shumë gomone e skafe të sekuestruara. Edhe një mjet i njëjtë për antikontrabandën. Bashkimi Europian ka financuar po ashtu në një vlerë prej rreth 2 milionë eurosh edhe sistemin “Blue Box”, për identifikimin e të gjitha mjeteve të lundrimit.

Në total, për këto institucione, janë më shumë se 70 milionë dollarë që qeveritë e mëparshme kanë investuar nga financat e taksapaguesve shqiptarë dhe të atyre europianë e amerikanë për sigurinë detare. Pa llogaritur investime të tjera më të vogla, shpenzimet për shkollime e trajnime jashtë vendit dhe nga ekspertë të huaj në vend. Dhe përsëri në media flitet nëse droga u kap me apo pa Guardia di Finanzia-n. Kur mendon ardhjen e Guardia di Finanzia-s në Shqipëri, në vitin 1997, në kohën që vendi ynë ishte në kushtet që dihen nga të gjithë, është më se normale. Por kur sheh se në vitet e mëvonshme të gjitha institucionet që operojnë në det tashmë kanë mjete dhe personel të mjaftueshëm dhe të mirëtrajnuar; kur investimet në këtë drejtim janë kolosale, duket qartë se vendi ynë i ka kapacitetet për ta garantuar vetë sigurinë e tij detare.

Por Guardia di Finanzia është përsëri aty. Dhe përsëri protagonistja kryesore në kapjen e trafikantëve. Duket paradoks. Por, fakti i tillë është. Përse nuk largohet ajo? Përse gjithë investimi ynë më se i mjaftueshëm kaq pak efikas? Gjithsesi motivi ekziston. Por zgjidhja nuk është largimi i Guardia di Finanzia-s.

Nuk bëhet fjalë. Guardia di Finanzia duhet dhe do të largohet vetë, por pasi të jetë e bindur se autoritetet e institucioneve të sigurisë detare në Shqipëri të kenë seriozitetin dhe besueshmërinë e duhur, aftësinë profesionale planifikuese e koordinuese të nevojshme dhe buxhetin e mjaftueshëm për të garantuar sigurinë detare dhe për të luftuar trafiqet. Asetet aty janë. Më se të bollshme. Për aq kohë sa Guardia di Finanzia do të jetë në Shqipëri, pak rëndësi ka nëse kanabisi u kap me apo pa bashkëpunimin e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura