DETAJET/ Si u lirua i kërkuari për drogë që u fsheh në mjetin e Frrokut

Nov 26, 2015 | 23:35
SHPËRNDAJE

Një nga personat e akuzuar nga Prokuroria në çështjen “Laguna e Vilunit” nuk i kishte shpëtuar policisë për herë të parë, kur u pretendua se ishte fshehur në makinën e Mark Frrokut. Shtetasi Bardhok Planaj ishte shoqëruar në Policinë e Shkodrës një natë para se të konstatohej nga policia në makinën e Mark Frrokut në Tiranë.

mark-frroku3_0Pavarësisht shoqërimit të tij në Policinë e Shkodrës, Planaj është lënë i lirë. Pak ditë para nisjes së procesit në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj shtatë të akuzuarve për dosjen “Laguna e Vilunit”, ku nuk rezulton Bardhok Planaj, bëhet me dije se Policia e Shkodrës e kishte lënë të lirë atë.

Sipas dokumenteve të dosjes së dorëzuar në Gjykatë nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, thuhet se “në një dalje të Velipojës, shërbimet e policisë kontrolluan edhe automjetin furgon ‘Ford’ Tranzit, me targë 03 D 26665, drejtuar prej Gj. Ç., bashkë me të cilin udhëtonin edhe Përparim Rr. e Bardhok Planaj”.

Siç përshkruhet më tej në dokumente, nga kontrolli i automjetit dyshemeja ishte me pluhur rëre, në gomën rezervë u gjetën e kqyrën 4 rrota natribani të pahapura, dy të tjera të përdoruara, dhe pesë palë doreza, tre tuba qeseje të tejdukshme për paketime, si dhe në xhep të derës u gjetën edhe tri palë doreza.

LIRIMI NË SHKODËR

Më tej, në dokumente theksohet se më datë 29 shtator 2014, të gjithë personat e gjetur në furgonin në fjalë u shoqëruan në policinë vendore (Shkodër), ku u morën në pyetje dhe deklaruan se u gjendën në atë vend e në atë orë, pasi e kishin lënë të takoheshin për punë të tyre personale.

“Në këto rrethana, në pamundësi objektive të gjetjes, verifikimit e sekuestrimit të provës materiale (sasisë së narkotikut) të gjithë të shoqëruarit u lanë të lirë (përfshirë edhe Bardhok Pllanajn)”, thuhet më tej në dosjen, e cila ndodhet në Gjykatë.

Sipas dokumenteve, veprimet e personave edhe pas lënies së lirë nga Policia Shkodër, vazhduan të ndiqeshin nga shërbimet e Policisë Gjyqësore, të autorizuara për këtë qëllim…”.

Sipas një dokumenti të mbajtur nga oficerë të Policisë në Tiranë, pretendohet se Bardhok Planaj është konstatuar nga policia në makinën “Audi” të Mark Frrokut mbrëmjen e 30 shtatorit 2014 në Tiranë.

Makina është ndjekur nga policia për arsye që nuk janë të qarta, kur një natë më parë personi që ndiqej, Bardhok Planaj, ishte liruar nga Policia e Shkodrës.

Nga të dhënat në dosje nuk gjendet ndonjë shpjegim në lidhje me faktin se përse ndiqej më pas, një person që ishte lënë i lirë nga Policia e Shkodrës një ditë më parë. Ky fakt, mesa duket, do të zbardhet gjatë gjykimit të çështjes te Krimet e Rënda, ku pritet të nisë procesi brenda pak ditësh.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura