Deputeti i PS rrëfen takimin me Shullazin: I thashë se do të zbatoja ligjin

Jul 20, 2017 | 9:23
SHPËRNDAJE

Jurgis Çyrbja, deputet i zgjedhur më 25 qershor në listën e Partisë Socialiste, dëshmoi dje në procesin gjyqësor ndaj Emiliano Shullazit dhe katër të bashkëpandehurve të tij.

Emiljano Shullazi
Emiljano Shullazi

Deputeti Çyrbja rrëfeu para togave të zeza të Krimeve të Rënda për takimet që kishte pasur me të pandehurin Shullazi gjatë vitit 2014 dhe mohoi që të jetë kërcënuar ndonjëherë prej tij, shkruan “Panorama”.

Sipas dëshmitarit, kontaktet e tij me të pandehurin Shullazi dhe Gilmando Dani kishin qenë për shkak të funksionit të tij si drejtues i Hipotekës së Durrësit. Ai tha se ishte angazhuar në regjistrimin e pronës ish-hotel “Vollga”.

shullazi-cyrbja

Deputeti i zgjedhur tregoi me detaje për takimin e tij me Shullazin në një lokal në zonën e Shijakut, si dhe telefonatat që kishte marrë më pas nga ana e Gilmando Danit, i cili e pyeste se përse nuk po regjistrohej prona.

jurgis cyrbja
Jurgis Cyrbja

DËSHMIA

Pasi iu përgjigj me “betohem” formulës së lexuar nga sekretarja gjyqësore për t’i qëndruar besnik të vërtetës, dëshmitari Besnik Çyrbja iu përgjigj pyetjeve të palëve në proces.

Ai tha se, në vitin 2014, teksa ushtronte funksionin e drejtuesit të Hipotekës së Durrësit, ishte kontaktuar nga biznesmeni Ylvi Beqja për regjistrimin e një prone.

“Kisha vetëm pak ditë që kisha marrë detyrën e drejtorit të Hipotekës, kur Ylvi Beqja ka ardhur në zyrën time. Ai më kërkoi të regjistroja një pronë të tij, në zbatim të një vendimi gjykate”, tha dëshmitari.

Në vijim, Çyrbja saktësoi se për regjistrimin e kësaj prone, ish-hotel “Volla”, kishte marrë miratim edhe nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë.

“Për regjistrimin e pronës jam konsultuar edhe me zyrën qendrore në Tiranë dhe regjistrimi u bë me urdhër të saj”, vijoi ai.

TAKIMI ME SHULLAZIN

Gjatë dëshmisë së tij, Çyrbja rrëfeu se ishte takuar me të pandehurin Emiliano Shullazi gjatë procedurës për regjistrimin e kësaj prone.

“Fillimisht më erdhi një urdhër për regjistrimin e pronës, por më pas erdhi një urdhër i dytë për kufizim veprimesh në lidhje me këtë pronë. Përpara mbylljes së procedurës, Ylvi Beqja më kërkoi të takoja edhe bashkëpronarin e kësaj prone. Ylvi Beqja më pas më mori në telefon dhe më tha ‘do të prezantoj edhe pronarin tjetër’. Jemi takuar në një lokal në zonën e Shijakut, pranë shtëpisë sime. Ai ishte Emiliano Shullazi. Ky person më pyeti nëse do ta regjistroja pronën me urdhër të zyrës qendrore të Hipotekës. I thashë se do të zbatoja ligjin”, tha dëshmitari.

Gjatë kohës kur regjistrimi i pronës ka qenë i pezulluar, dëshmitari saktësoi se ishte kontaktuar në telefon nga ana e të pandehurit Gilmando Dani. Sipas dëshmitarit, Dani i kishte thënë se përse nuk po bëhej regjistrimi i saj, pasi të gjitha dokumentet ishin në rregull.

“Nuk më ka marrë njeri tjetër. Ka ardhur Ylvi Beqja, i cili interesohej, pasi erdhi shkresa për ‘kufizim prone’. Jam takuar edhe me Ilirian Muhon për këtë punë”, u shpreh dëshmitari.

KËRCËNIMET

Nga tavolina e dëshmitarit, Çyrbja i është përgjigjur me “jo” pyetjes së Prokurorisë nëse ka qenë ndonjëherë i kërcënuar. “Absolutisht nuk kam pasur asnjëherë kërcënime nga Emiliano Shullazi apo të pandehur të tjerë”.

Në vijim, ai ka sqaruar se nuk ka marrë kërcënime nga Emiliano Shullazi, apo të bashkëpandehurit e tij, por nga një tjetër person, pa dhënë detaje të mëtejshme.

ARMAND BAJRAMI/PANORAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura