Denoncimi/ “3 mijë tonë hashash gati për t’u trafikuar në Itali, Tahiri garant”

Feb 6, 2016 | 13:15
SHPËRNDAJE

noka tahuiri

Partia Demokratike, përmes deputetit Flamur Noka ka akuzuar ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për trafikun e drogës drejt Italisë. Në një deklaratë për mediat, Noka duke u nisur nga sasia e drogës e sekuestruar dje nga policia italiane, në një gomone që hodhi 500 kg drogë në det dhe u largua.

Por Noka tha se janë 3 mijë tonë hashash gati për t’u trafikuar nga Vlora në Itali dhe që ruhet nga policë.

Deklarata e plotë e deputetit të PD Flamur Noka

Gomonia me drogë e nisur nga Vlora  është vetëm një fragment i një trafiku të mirëorganizuar të tonelatave me hashash, ku janë të përfshirë Habilajt e Llanajt , drejtori i policisë Vlore, dhe sigurisht gjithçka bëhet me mbikqyrjen e Saimir Tahirit. Sasi të mëdha droge qëndrojnë në pritje për tu nisur drejt Italisë, në zonën e Çoles, në Dhërmi dhe në grykderdhjen e Vjosës. Furgona të ngarkuar dhe garazhe e magazina ne Çole dhe perreth, kanë gati mallin për skafin ose gomonen e radhës. Të paktën 3 mijë ton hashash gjendet gati për tu trafikuar, dhe ruhet me policët besnik të Drejtorit të Vlorës, i cili është pika kyçe e Habilajve dhe Tahirit. Një biznes prej qindra milionë euro që ka nisur dhe është konsoliduar ditë pas dite qysh se ministër i brendshëm u bë Saimir Tahiri.

Një ditë përpara se gomonja me drogë të pikasej nga policitë fqinje në det, ne e paralajmëruam, unë e denoncova në Parlament. Sigurisht, Tahiri që është krenaria e Ramës heshti, nuk reagoi. Të nesërmen, megjithë këtë denoncim publik në parlament, në prani të medias kombëtare, sërish gomonia e ngarkuar me hashash doli në det dhe u nis për në Itali. Ky është pra shteti kriminal, grupimi mafioz me Tahirin e bandat e tij, që kontrollojnë drogën, që nga mbjellja, rritja, paketimi, magazinimi e deri tek trasnporti i saj. Miliona euro çdo muaj që ndahen mes banditëve e trafikantëve, Tahirit e shefit të tij. Ky shtet kriminal i zhytur në drogë po pasurohet me miliona euro të pista, teksa vendi po rrënohet, shqiptarët po varfërohen çdo ditë. Shqiptarët nuk mund ta pranojnë këtë shtet kriminal. Eshtë në dorën e qytetarëve të bashkohen, e ti hapin vendit një rrugë të re,  larg sundimit të krimit të veshur me pushtet e pushtetit të veshur me krim.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura