Dëmtimi në kala, ministria e heq Sulltan Sulejmanin

Oct 7, 2015 | 7:20
SHPËRNDAJE

Pllakati i Sulltan Sulejmanit që ishte vendosur rreth tri javë më parë në hyrje të Kalasë së Lezhës, është hequr dje.

pllaka

Vendimi është marrë nga Ministria e Kulturës pas dëmtimeve që iu bënë pllakatit dy ditë më parë nga persona ende të paidentifikuar. Kanë qenë specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Shkodër, të cilët ndërhynë duke e hequr pllakatin nga vendi ku ishte vendosur. Është dashur disa orë punë e specialistëve të Monumenteve për ta hequr atë pa e dëmtuar, për shkak të strukturës së fortë të betonit në të cilën ishte vendosur.

Përgjegjësi i Kalasë së Lezhës, Dedë Margjoni, bëri të ditur dje se pllakati është dërguar në laboratorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë.

“Pas një dëmtimi që i ndodhi këtij pllakati nga persona të papërgjegjshëm gjatë mbrëmjes të së dielës, është vendosur ta heqin atë nga vendi ekzistues. Kanë qenë specialistë të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtorisë së Kulturës Kombëtare në Shkodër, të cilët ndërhynë me kujdes duke e hequr këtë pllakat pa e dëmtuar. Ata e kanë marrë nga ky vend dhe e kanë dërguar në laborator të Institutit të Monumenteve në Tiranë, ku do të bëhet edhe riparimi”, u shpreh Ded Margjoni.

Pllakati në osmanisht që tregon se Kalaja e Lezhës është rikonstruktuar nga Sulltan Sulejmani, do të riparohet në pjesët e dëmtuara dhe më pas do të ruhet në muze, atje ku ka qenë edhe më parë. Por sipas burimeve do të bëhet një kopje e këtij pllakati, i cili do të vendoset sërish në hyrje të Kalasë së Lezhës nga Drejtoria e Kulturës Kombëtare në Shkodër.

Banorët e Lezhës paralajmërojnë se do ta dëmtojnë sërish çdo kopje të mundshme të këtij pllakati. Sipas tyre, ky është provokim që po u bëhet, pasi një gur që mund të bëhet kopje e asaj që ishte më parë, nuk ka më as ndonjë vlerë historike. Ky pllakat u vendos në hyrje të kësaj kështjelle më 22 shtator të këtij viti, ndërsa solli debate të ashpra midis historianëve dhe studiuesve në mbarë vendin.

Kundër vendosjes ishin sidomos banorët e Lezhës, të cilët reaguan në rrjetet sociale. Madje, për këtë nuk reaguan vetëm të krishterët e Lezhës, por edhe myslimanët duke e konsideruar Sulltan Sulejmanin si pushtues.

ELVIS HILA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura