Dëmtime dhe mungesa, Pakult kërkon kthesën e Kukësit

May 12, 2018 | 21:18
SHPËRNDAJE

Kukësi do të presë nesër në shtëpi Luftëtarin, në një ndeshje ku objektivi i vetëm për verilindorët është fitorja. Por edhe barazimi në një ndeshje të tillë mund të jetë i pranueshëm, duke qenë se sigurohet matematikisht vendi i dytë në kampionat dhe në rast të dënimit përfundimtar të Skënderbeut, atëherë skuadra e Pakultit do të marrë pjesë në Champions Ligë.

Pakult

Me një mendim të tillë po ecin në kampin verilindor, madje po planifikojnë dhe skuadrën e së ardhmes. Paçka projektit të madh që Kukësi mendon, drejtuesit nuk e kanë përtypur humbjen në Durrës dhe kanë kritikuar disa prej lojtarëve titullarë për formën dhe ndeshjen jo të mirë që zhvilluan ndaj Teutës.

Presidenti Gjici, por dhe vartësit e tij, nuk janë të kënaqur me një pjesë të mirë të futbollistëve dhe me mbylljen e sezonit të paktën 5-6 prej tyre do të jenë me valixhe në duar. Megjithatë, trajneri austriak ka kërkuar që disa prej lojtarëve të harrojnë takimin e shkuar dhe të përqendrohen te sfida e radhës në kampionat. Kjo përballje pritet të jetë e luftuar dhe e hapur duke parë përbërjen e dy skuadrave, ndaj Kukësi do të kërkojë revanshin, pasi në dy takimet e fundit me gjirokastritët janë mposhtur.

kukesii

Mungesat – Trajneri Peter Pakult është bërë me dhimbje koke sa i përket organikës. Infermieria e Kukësit është plot, pasi janë tre titullarë që janë të dëmtuar, ku dy prej tyre Albi Alla dhe Stivi Frashëri kanë humbur sezonin, ndërsa Kale nuk është i gatshëm. 25-vjeçari pati pësuar një tërheqje muskulore, e cila erdhi e papritur për mjekët e klubit, për vetë futbollistin dhe drejtuesit. Nga ky dëmtim jo i lehtë pogradecarit do i duhen të paktën 4 javë që të rikuperohet.

PAKULT

Dëmtim të rëndë në dorë pësoi dhe gardiani Stivi Frashëri, i cili ka thyer bazën e gishtit të madh në dorën e majtë mbas një përplasjeje në rastin e golit të tretë të Teutës. Frashërit do i duhet të qëndrojë dhe të paktën 4 javë jashtë fushave, me qëllim që të rikuperohet plotësisht.

Kale është mungesa tjetër e rëndësishme në radhët e ekipit të drejtuar nga Pakult, i cili ka pësuar një dëmtim në sup dhe krah që në takimin e fituar ndaj Skënderbeut në Korçë. Braziliani ka munguar dhe dje në stërvitje. Probleme ka pasur dhe për Dzaria, por mesfushori ia ka dalë për të qenë gati ndaj Luftëtarit.

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura