Del dokumenti/ Përpunimi i kontejnerëve në portin e Durrësit i jepet me koncesion kompanisë malteze, 30 milionë euro për 5 vjet

Jan 6, 2021 | 15:03
SHPËRNDAJE

Durres-porti-1-737x450

Një kompani malteze që ka lidhje të forta me një kompani shqiptare ka siguruar koncesionin mjaft fitimprurës të përpunimit të kontejnerëve në kalatën 6 të portit të Durrësit. Në ditën e parë të nisjes së punës zyrtarisht për 2021 autoriteti portual Durrës i drejtuar nga Pirro Vengu ka shpallur si fituese të koncesionit kompaninë ‘Hili COMPANY LIMITED, e cila për 5 vjet do të marrë 30 milionë dollarë për Shërbimin e menaxhimit dhe Operimit të terminalit të kontejnerëve në portin më të madh në vend, që është njëkohësisht nyja kryesore tregtare në vend.

Kompania malteze ka 14 aksionerë dhe sipas dokumenteve të siguruara nga News24 rezulton se kompania që Autoriteti Portual Durrës ka shpallur fitues është me seli në Maltë dhe drejtohet nga tre shtetas malteze. Ajo ndërkohë është gjithashtu aksionere e degës CMA-CGM në Maltë, kompani që merret me transportin e kontejnerëve. Dhe përmes kësaj shoqërie bëhet lidhja me kompaninë shqiptare të transportit te mallrave Pelikan, pasi të dy këto kompani figurojnë aksionere të degës në Shqipëri CMA CMG.

Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit aksionere e CMA-CGM në Shqipëri rezulton kompania e transportit PELIKANI SHPK e cila zotëron 40% të aksioneve të filialit shqiptar CMA-CGM SHPK.

 

 

Tenderi Porti

Në kontratën e mëparshme koncesionari paguante 2% të xhiros vjetore si tarifë ndaj Autoritetit Portual Durrës, ndërsa në shpalljen e koncesionit e ri dihet vetëm që porti i Durrësit do të paguajë rreth 30 milion dollarë për 5 vite për koncesionarin dhe nuk përcaktohet se sa te ardhura do të futen në arkën e shtetit nga ky shërbim. Koncesionarit madje i është garantuar edhe një inventar i madh me mjete përpunuese, si vinça, pirunë kontejnerësh apo makineri të rënda të tjera, disa prej të cilave edhe prodhim i viteve të fundit.

Terminali i kontejnerëve përfshin kalatën 6, me një gjatësi prej 300 metrash linear dhe një sipërfaqe depozitimi 65 mijë m2. Kapaciteti depozitues i Terminalit të kontejnerëve është 3 mijë njësi, ndërsa për të gjithë vitin përpunohen rreth 150 mijë kontejnerë./Balkanweb

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura