Del dokumenti kur Enveri vlerësonte ballistët: Haki Blloshmin nuk e zinte rob një kalama

Mar 23, 2018 | 8:00
SHPËRNDAJE

Trimërinë e Blloshmëve nuk e mohonte as Enver Hoxha. Në një mbledhje të sekretarëve të KQPPSH-së, të vitit 1979, diktatori shfaqet shumë i shqetësuar nga mënyra se si po shkruhej historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Nxitje ishte bërë një artikull, në të cilin flitej për betejën e Dunicës dhe ku autori nënvizon se partizanët luftuan kundër 500 ballistëve, 430 prej të cilëve u kapën rob. Ndërsa nga radhët e partizanëve u vranë vetëm 2. Enver Hoxha, me ironi, e quan qesharake, shtrembërim të së vërtetës, ulje të Luftës dhe të kundërshtarit.

Ai ua njeh vlerat kundërshtarëve të udhëhequr nga Haki Blloshmi. “Edhe me Haki Blloshmin kemi luftuar, por ai nuk ishte i tillë, sa ta zinte rob një kalama”, thotë ai. Enver Hoxha ia njeh meritat Haki Blloshmit. I arsimuar në Boston të SHBA-ve, Haki Blloshmi u kthye në atdhe dhe u punësua në MInistrinë e Punëve të Brendshme. Iu bashkua Partisë së Ballit Kombëtar, që në themelimin e saj, si udhëheqës i Librazhdit dhe Qukësit. U kap dhe u pushkatua bashkë me 4 Blloshmë të tjerë pas betejës së Dunicës në mars të vitit 1944. Dokumenti i më- poshtëm është paraqitur në librin “Saga e Blloshmëve nën terrorin komunist”, me autor Bedri Blloshmi.  

vilson e lume blloshmi
vilson e lume blloshmi

Partia e Punës e Shqipërisë

Komiteti Qendror

-Sektori i përgjithshëm

Sekret 

Takim ditor i sekretarëve të Komitetit Qendror të Partisë

E mërkurë, 7 mars 1979

Marrin pjesë shokët Enver Hoxha, Hysni Kapo, Ramiz Alia, Hekuran Isai dhe Prokop Murra

Shoku Enver Hoxha …

Kur faktet mbulohen me lustër. Sa më mirë të ma paraqesin diçka që nuk vete, aq më i shqetësuar jam. Jam i shqetësuar jo se nuk i besoj, por se më vjen keq kur më shkruhet për disa gjëra sikur unë të isha i ri për to dhe të mos i dija. Si vajtkan punët “shkëlqyer” dhe pa asnjë të metë! … Sot lexova një artikull, që flitet për Brigadën I Sulmuese. Kam mendimin se për çdo brigadë duhet të flitet me vend dhe të mos dalë sikur çdo gjë e ka bërë Brigada I, kurse të tjerat kanë qenë anësore, se nuk është ky realiteti i luftës sonë.

Nuk kam asgjë subjektive as për brigadën e parë, as për të katërtën, as për të tetën, se për të tjerat nuk flitet fare, por shqetësohem për ruajtjen e përmasave dhe të objektivitetit shkencor. Brigada I Sulmuese, thuhet në artikull, vjen nga Qafa e Dervenit, nga Qafa e Gjarprit nëpër borë, nëpër shi, nëpër tufan, nëpër këto e ato kushte, hyn këtej e del andej dhe paska marrë vesh nga batalioni “Reshit Çollaku” (kjo gjë nuk ka shumë rëndësi) që në Dunicë ishin mbledhur, hanin pula e pinin raki 500 ballistë!

Shoku Hysni Kapo e Ramiz Alia: Po, po e lexuam. Shoku Enver Hoxha: E, që thoni ju, nga këta 500 ballistë, 475 na qenkan zënë rob, 70 veta qenkan vrarë! Unë e di luftën e Dunicës, di forcat e Haki Blloshmit dhe të beut të këtij fshati që është në Mokër, nuk më kujtohet emri tashti, di gjithashtu se forcat e tyre nuk mund të shkonin më tepër nga 30 apo 40 vetë.

Kur qenkan grumbulluar këta “500 veta” që flinin në Dunicë? Forcat e armikut në Dunicë, ishte batalioni ai që i rrethoi dhe i mundi. Komandanti i atyre “500 ballistëve”, që u zunë rob dhe u vranë, sipas atij që shkruan artikullin, qenka zënë në një ferrë nga një kalama i vogël, i cili e paska vënë përpara! Një çunak i vogël partizan e vë përpara komandantin e ballistëve! E po kjo ç’është! Të shkruash kështu për këto gjëra, nuk vete. Do të lëmë ne njëfarë Isak Mërtiri që ta shkruajë në këtë mënyrë historinë e Luftës Nacionalçlirimtare?! Unë nuk jam dakord të veprohet kështu.

enver-hoxha

Shoku Enver Hoxha: Nuk lejohet të dalin artikuj kështu, ato që shkruhen duhen vërtetuar, duke u ruajtur edhe përmasat. Unë nuk jam dakord me mënyrën si po veprohet tani. Në qoftë se ti lufton me 500 ballistë dhe të vriten vetëm 2 partizanë, kjo tregon se ke përpara një armik jashtëzakonisht të dobët, ke një kope përpara dhe, në qoftë se lufton me këtë kope, ti nuk ke treguar ndonjë trimëri. Kështu ne i japim Luftës Nacionalçlirimtare një pamje që nuk e meriton. Shkruhet në një vend se një ballist hipi mbi xhami dhe si pa gjë të keqe ngriti flamurin e bardhë! Në këtë mënyrë, duke dashur ta demaskojë armikun si frikacak, e tepron aq fort sa ulim luftën heroike dhe përpjekjet e njësiteve tona partizane në luftë me armiqtë.

Shoku Enver Hoxha: Po, po, për asnjë të metë nuk na ka informuar ai, që unë të fle, po unë nuk fle. Duke konkluduar kështu, duke lëmuar “qoshet” dhe rrumbullakosur punët, do të flenë të gjithë oficerët dhe ushtarët. Por kur të vijë momenti i rrezikshëm, atëherë Atdheut do t’i kanoset katastrofa, po të veprohet kështu.

Haki Blloshmi
Haki Blloshmi

Prandaj, duhet të jemi shumë të shtrënguar në kërkesat, të jemi dakord me ato që janë të vërteta e të drejta, por edhe të qëndrojmë në opozitë kur nuk janë të tilla si në rastin e luftës me ballistët në Dunicë.

Shoku Hysni Kapo: Ne kemi luftuar me ballistë, ka raste që edhe nuk i kemi vrarë dot, sepse edhe ata dinin të luftonin e të mbroheshin.

Shoku Enver Hoxha: Edhe me Haki Blloshmin kemi luftuar, por ai nuk ishte i tillë, sa ta zinte rob një kalama. Fakt është se në Dunicë luftuan partizanët, por nuk është e vërtetë që armiku kishte në radhët e tij atje 500 veta, nga të cilët u vranë shumë, kurse nga tanët mbetën të vrarë vetëm dy partizanë.

Shoku Ramiz Alia: Domethënë, del se ata nuk kanë qëlluar fare.

Shoku Enver Hoxha: Më përpara i lëvonte mitralozi në betejë, bile lëvonin dhe sinjalet e kuqe të armikut. A kishit ju, Hysni, raketa në brigadë? (A.Q.SH. F. 14/Apo v, v. 1979, D. 46, fl. 21, 22, 24, 25)

faksimile blloshmi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura