Debati/ ‘Ministri jot kundër ministrit tim’, plas sherri për pronën e Balilit

Mar 22, 2017 | 14:20
SHPËRNDAJE

Prona në administrim të vëllait të Klement Balilit ka çuar në përplasje institucionale dy ministritë e PS-së dhe LSI-së. Bëhet fjalë për një godinë dhe një sipërfaqe toke në lagunën e Vivarit në Butrint, që administrohet prej 5 vitesh nga kompania “Balili Security Shpk”, më pronësi të shtetasit Hektor Balili, raporton “Panorama”. 

Me një vendim të Ministrisë së Mjedisit në 2012 dhe autorizim të Ministrisë së Ekonomisë, kjo sipërfaqe i ka kaluar me kontratë qiraje 10-vjeçare kompanisë së Balilit, me qëllim ushtrimin e aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës. Sipas dokumentacionit, subjekti juridik “Balili Security Shpk”, me numër NIPTI: L17224501 G, ka lidhur kontratë për shfrytëzim deri në vitin 2022.

Mesditën e djeshme, forca të shumta policore të pajisura me skafandra, armë dhe veshje antiplumb zbarkuan në pikën e aktivitetit të peshkimit për të larguar pronarët që kanë aktualisht me kontratë qiraje ushtrimin e aktivitetit.

Në momentin e mbërritjes së tyre, veç peshkatarëve që janë të punësuar, në vend ndodhej edhe Ervin Kajo, drejtor i Përgjithshëm i Inspektoratit të Ujërave në Ministrinë e Bujqësisë. Bashkë me policinë ishte edhe drejtori i Shërbimeve Juridike në Ministrinë e Ekonomisë, Fatmir Hoxha.

Pas prezantimit, ky i fundit i kërkoi përfaqësuesit të Ministrisë së Bujqësisë, Ervin Kajo, të dorëzonte objektin, sipas tij pronë e Ministrisë së Ekonomisë. Por ky ka qenë vetëm fillimi i një debati, që ka zgjatur rreth dy orë mes tyre. Të dyja palët pretenduan se ishin pronarë dhe se ishin dërguar në vend nga ministrat e tyre.

Në fund të debatit, vetëm sa u nënshkrua një procesverbal për qëndrimin e të dyja palëve në këtë proces, por që nuk pati një zgjidhjes mes palëve. Përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë ka këmbëngulur që prishja e kontratës bëhet vetëm me vendim gjykate dhe ekzekutimi kryhet përmes përmbarimit.

Ervin Kajo, nga Ministria e Bujqësisë: Shiheni pak këtë dokumentin që më ka dhënë sekretari i Përgjithshëm mua.

Fatmir Hoxha, nga Ministria e Ekonomisë: Ore, nuk më intereson mua ajo gjë, more shoku. Unë kam ardhur në zbatim të vendimit të gjykatës, me ty nuk kam punë fare unë. As nuk të njoh fare.

Ervin Kajo: Ti je pala humbëse në gjykatë.

Fatmir Hoxha: Atë e di unë.

Ervin Kajo: Po s’e di ti, se ti je pala humbëse.

Fatmir Hoxha: Atë e di, jam humbës apo fitues.

Ervin Kajo: Ore, ti je drejtor.

Fatmir Hoxha: Ore, ç’punë kam me ty?

Ervin Kajo: Po unë jam pronari. Unë jam ai që kam dhënë kontratën e qirasë.

Fatmir Hoxha: Absolutisht e ke dhënë gabim!

Ervin Kajo: Ku e ke përmbaruesin?

Fatmir Hoxha: Nuk ka punë përmbaruesi këtu.

Ervin Kajo: Si nuk ka punë përmbaruesi? Njihu ore me ligjet se je drejtor juridik, nuk je analfabet.

Fatmir Hoxha: Ti nuk më mëson dot mua se kam 20 vjet që merrem me këtë punë.

Ervin Kajo: Ti mund të kesh 20 vjet dhe ia ka futur kot 20 vjet.

Fatmir Hoxha: Ti nuk hyn fare këtu. Nuk ke asnjë dokument.

Ervin Kajo: Nuk hyj se ti nuk ke vendim gjykate dhe nuk mund të më marrësh pronën mua.

Fatmir Hoxha: Ti nuk je asnjë gjë në raport me pronën. Ti mund të jesh shumë i rëndësishëm, mund të jesh gjithçka, por në raport me këtë pronë nuk ke punë fare. Nuk të njeh ligji si pronar.

Ervin Kajo: Unë kam autorizimin këtu, ministri jot kundër ministrit tim, shteti shqiptar kundër shtetit shqiptar.

Fatmir Hoxha: Ore ti zotëri, unë nuk e di këtë konflikt midis ministrave. Nuk më ka thënë njeri mua. Unë kam një vendim që Ministria e Ekonomisë e ka lidhur kontratën.

Ervin Kajo: As unë nuk e di. Edhe nëse e ka lidhur kontratën dhe ka mbaruar në 2016.

Fatmir Hoxha: Po ju kush jeni, sepse nuk kuptoj?…

Ervin Kajo: Pse nuk lexon autorizimin?

Fatmir Hoxha: Çfarë lidhje keni ju me pronën, lëre autorizimin.

Ervin Kajo: Si nuk kam lidhje me pronën? Unë jam i dërguari i Ministrisë së Bujqësisë.

Fatmir Hoxha: Cila Ministri e Bujqësisë? Ç’punë ka ministria me këtë pronë, je në vete apo jo?

Ervin Kajo: Si nuk ka punë ministria me këtë pronë? Je mirë nga mendtë e kokës, se je edhe drejtor juridik ore dhe është turp të bëjmë debat, një ministri kundër ministrisë.

Fatmir Hoxha: Po pronar është qeveria, o zotëri… Së pari duhet të ndërpresësh këtë?

Ervin Kajo: Të ndërpresësh këtë?

Fatmir Hoxha: Atë e zgjidh ti që e ke lidhur. Ti e ke lidhur gabim, zgjidhe vetë. Është puna jote.

Ervin Kajo: Unë jam pronar i objektit. Ma ke dhënë në administrim objektin mua.

Fatmir Hoxha: Kujt ia kam dhënë?

Ervin Kajo: Ia ka dhënë Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Mjedisit në atë kohë dhe administrimit të ujërave…

Fatmir Hoxha: Ti ke një autorizim që s’dihet se çfarë thotë. Ke dhënë një objekt që s’ta ka thënë njeri.

Ervin Kajo: Drejtori juridik e di shumë mirë se çfarë domethënë kontratë, por nuk do ta marrë vesh.

Fatmir Hoxha: Çfarë është kjo kontratë që rrjedh nga një autorizim i paqenë.

Ervin Kajo: Kjo është firmosur nga dy ministra. Kush je ti që nuk njeh firmat e dy ministrave?

Fatmir Hoxha: Ajo është kontratë që nuk është firmosur para noterit publik. Unë kam ardhur këtu me urdhër të ministrit.

Ervin Kajo: Edhe unë ashtu kam ardhur.

Fatmir Hoxha: Nuk e di unë. Kjo është puna juaj. Ju nuk keni asnjë lidhje me këtë pronë. Pronari do destinacionin e pronës.

Ervin Kajo: Pronari e di destinacionin e pronës. Pronari tani ka humbur gjyqin. Pronari duhet të zgjidhë konfliktin me Ministrinë e Bujqësisë.

Fatmir Hoxha: Nuk ka punë pronari. Pronari i jep nga të dojë vetë destinacion pronës.

Ervin Kajo: Po e ke dhënë një herë. Ministri jot atëherë ia ka dhënë Ministrisë së Mjedisit. Kam vënë në dispozicion dokumentacionin.

Fatmir Hoxha: Nuk e lexoj fare, nuk kam punë.

Ervin Kajo: Po ti nuk je Zoti, more burrë i dheut!

Fatmir Kajo: Mua s’më intereson.

Ervin Kajo: Takohemi në prokurori atëherë.

Fatmir Hoxha: Në prokurori s’kam punë.

Ervin Kajo: Në prokurori pas dhjetë minutash do të shkoj unë të bëj kallëzim për ty.

Fatmir Hoxha: Për mua?…

Ervin Kajo: Po, po, për ty si drejtor juridik i Ministrisë së Ekonomisë. Ti po bën veprime arbitrare. Ligji për përmbarimin privat ty nuk të lejon të vish të marrësh objektin.

Fatmir Hoxha: Më ka urdhëruar ministri.

Ervin Kajo: Ministri nuk është përmbarues. Kjo nuk zgjidhet këtu një dhe e dyta jam fuqiplotë të përfaqësoj ministrinë.

SHPRESA DINE/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura