De Rosi modest: Mora shembull nga Reali, e merituam suksesin ndaj Milanit

Apr 19, 2024 | 12:03
SHPËRNDAJE

Në mëngjes u konfirmua që do të ishte trajneri i Romës dhe për sezonin e ardhshëm. Diçka e tillë i shtoi presionin, por edhe kënaqësinë e skuadrës që nuk humb rast pas deklaruar se sa e lumtur është të luajë nën urdhrat e Daniele de Rosit. I vetëdijshëm për suksesin e arritur mbrëmë, trajneri romanist deklaroi:

de rosi

“Nuk kishte mënyrë më të mirë për të festuar rinovimin. Kisha pak frikë se ky lajm do të prishte pjesën tjetër të ditës dhe kisha frikë se rezultati i sonte do të prishte lajmin e mirë. U shpërblyem me një ndeshje të jashtëzakonshme nga djemtë. Jam krenar që jam trajneri i këtyre djemve”. Më pas, analiza kaloi tek paraqitja për të cilën 40-vjeçari nuk humb rastin pa përmendur sakrificën e skuadrës. “Patëm një fillim të mbarë, duke kërkuar thellësi si në golin e dytë. Shënuam herët dhe kjo na lehtësoi presionin, por më pas kur u desh të luftonim e bëmë. Siç u përpoqëm të bënim edhe kur ngelëm më një lojtar më pak. Luftuam si një ekip i madh duke u frymëzuar nga ajo që Reali bëri të mërkurën duke ne treguar se edhe skuadrat e mëdha vuajnë”, shpjegoi më tej De Rosi.

Filozofia e tij është e qartë edhe pse ka vetëm 17 ndeshje në CVnë e tij si trajner në Serinë A. Roma duhet të luftojë, të fitojë, por sidomos të nderojë fanellën. “Kemi një mënyrë loje të qartë dhe secili e di çfarë të bëjë në varësi të pozicionit ku ndodhet. Diferencën në të tilla nivele e bën dëshira. Askujt nuk i bie kurora nëse bën dy metra më shumë për vete apo për shokun. Goli i Mançinit është shembull i qartë i mënyrë tonë. Uroj vetëm që të ruajmë këtë shpirt sakrifice”, përfundoi fjalën e tij De Rosi.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura