Dajt, 1100 ushtarë për të shuar zjarrin

Aug 31, 2012 | 12:47
SHPËRNDAJE

Forcat e Ushtrisë gjatë aksionit në Dajt

Mjegulla e dendur pengon aksionin e helikopterit. Efektivat e Ushtrisë mbërrijnë dhe në zonat veriore.

Luftojnë me flakët e ngritura mbi kryeqytet. As dje nuk u bënë “zap”

Përqendrim maksimal në malin e Dajtit për të shuar zjarret që rëndojnë mbi Tiranë. Rreth 1100 forca të Ushtrisë, 45 makina dhe 4 helikopterë nuk kanë mundur që t’i bëjnë zap flakët në këtë zonë dhe në Qafën e Priskës. Burimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes thanë se që në mëngjes herët të ditës së djeshme u nisën drejt vatrave 800 forca, ndërsa i kanë shoqëruar dhe 16 autoambulanca. Ndërkohë që këto trupa udhëtonin për në malësinë e Tiranës, nga Biza ishin nisur dhe 300 forca të tjera ushtarake dhe po përgatiteshin për fluturim 4 helikopterë të bazës ajrore të Farkës. Por, ndërhyrja nga ajri ka qenë e pamundur për shkak të mjegullës dhe reve të tymit, krijuar nga zjarri disaditor. “Forcat e Armatosura, në bazë të kërkesës së ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe me të gjithë aktorët e tjerë të pushtetit vendor, janë përfshirë në një operacion të gjerë emergjence për kufizimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit që kanë përfshirë zonën e Qafë-Priskës dhe Malin e Dajtit. Forcat dhe mjetet e Ushtrisë në bazë të një plani operacional janë shpërndarë dhe po veprojnë intensivisht në disa drejtime për të bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit që nga Qafë-Priska dhe deri në lartësitë perëndimore të malit të Dajtit”, bëhet e ditur nga burimet e dikasterit të Mbrojtjes për këtë operacion të jashtëzakonshëm, në këto ditë të fatkeqësisë

Pamje nga pyjet e djegura në Lurë

natyrore. Forcat e Ushtrisë kanë vepruar në të dy krahët e ish-Kampit të Punëtorëve në Dajt dhe deri tani kanë arritur të shuajnë mbi 60 vatra zjarri. Një efektiv tjetër prej 150 forcash të kompanisë së tretë të Batalionit të Dytë të Këmbësorisë dhe Batalionit Special, si dhe një skuadër e batalionit “Komando” janë aktualisht duke punuar për hapjen e brezave për ndalimin e avancimit të flakëve të zjarrit. Deri pasdite, ata mundën të hapnin një brez prej më se 2 kilometrash të gjatë dhe me një gjerësi 3 metra në krahun lindor, prapa malit të Dajtit, për të penguar afrimin e zjarrit në bllokun e antenave. Një grup i Batalionit Special ka shkuar me helikopter në zonën e Parkut Kombëtar të Lurës, ndërsa 50 efektiva të tjerë në Pukë, ku shënohen dhe pikat më shqetësuese në vend. Të tjera forca të Ushtrisë janë vënë në dispozicion të Emergjencës Civile të qarkut të Kukësit për shuarjen e zjarrit të rënë në rajonin e komunës Tërthore. Ndërsa një efektiv prej 23 forcash dhe një mjet transporti janë vënë në dispozicion të Emergjencës Civile të qarkut të Korçës për shuarjen e zjarrit, që ka rënë në rajonin e Bozdovecit (Qafa e Ujkut).

Situata e zjarreve
.    Qarku Dibër:
Vatra zjarri në Parkun Kombëtar Lura, Fusha e Pelave, Rrobulli Monument Natyre dhe Liqeni i Bruçit. Në mbrëmje nga Maqedonia në Trebishtë u përcoll një vatër tjetër
.    Qarku Elbasan: Zjarre në fshatin Sopot rrethi Librazhd dhe në rrethin e Gramshit, në fshatin Tashovicë, komuna Pishaj
.    Qarku Korçë: Ka 1 vatër aktive në Parkun Kombëtar të Bozdovecit
. Qarku Kukës: Vijon të jetë tepër aktive vatra e zjarrit në komunën Tërthore, në Bjeshkët e Bardhocit
. Qarku Shkodër: Zjarret vazhdojnë në Ndërhysaj dhe Gimaj të komunës Shalë, në Malësi të Madhe dhe në Pukë në Malin e Krrabit, Orosh dhe vatra në Qafë Sharri
Qarku Lezhë: Në Ndërshen dhe fshati Lari në Mirditë
Qarku Tiranë: 1 vatër aktive, ajo në Malin e Dajtit, në lartësitë e Priskës

Korçë, shtohet sipërfaqja e djegur në Bozdovec
KORÇE – Rritet sipërfaqja e djegur në Bozdovec, ndërsa autoritetet raportojnë situatën nën kontroll. Duket se sipërfaqja e djegur ka arritur në 80 hektarë nga 110 në total të Parkut Kombëtar të Bozdovecit, por flakët janë frenuar disi përmes prerjes së detyruar të pemëve, që ka krijuar edhe hapësira e distanca në disa drejtime që nuk lejojnë hapjen e mëtejshme të zjarrit. Sipas të dhënave, në pyllin e Bozdovecit vijojnë ende të jenë aktive 4 vatra zjarri të cilat, të favorizuara edhe nga era e fortë, janë duke u përhapur me përparësi në drejtim të shtëpive të pushimit në këtë zonë dhe po djegin sipërfaqe të tëra me pisha dhe bredha shekullorë. Prefekti i Korçës, Andrea Mano, në një deklaratë për mediat konfirmoi situatën problematike të zjarrit në Bozdovec, ndërsa tha se gjithçka ka ngelur në varësi të erës, pasi nëse kjo e fundit është e fortë, do të rrezikohet përhapja e flakëve. “Kemi kërkuar ndihmë nga ajri, por ka qenë e pamundur për shkak të mjegullës që ka përfshirë këtë zonë. Në terren ndodhen 120 punonjës të Pyjores dhe 23 forca të Ushtrisë, të cilët janë duke punuar për lokalizimin e flakëve”, tha Mano. Prefekti u shpreh se zjarri në Dardhë është nën kontroll të plotë dhe nuk rrezikon përhapjen e mëtejshme, ndërsa vijon të jetë aktive vatra e zjarrit në malin e Stradobërdës në komunën e Vithkuqit dhe ajo në Malin e Bardhë, në komunën Mollaj.

Banorë për të fikur zjarret
Dibër, rrezikohen 37 shtëpi në Vlashaj

DIBER – Pushteti lokal në rrethet e qarkut të Dibrës ka dalë jashtë loje për sa i përket përballimit të situatave emergjente. Nëse në dimër komunat e bashkitë nuk përballuan dot zhbllokimin e rrugëve rurale, tani nuk kanë as buxhet, as forca dhe as karburant për të përballuar shuarjen e zjarreve. Përgjegjësi i Policisë Pyjore për rrethin e Matit, Nuvruz Kurti, tha se të paktën pesë vatra janë aktive, ndërkaq tri të tjera janë izoluar falë kontributit të banorëve të Ulzës dhe Kurdarisë. Në Lurë, këshilltarët e majtë kanë mobilizuar dje të paktën 30 banorë të fshatit Fushë-Lurë dhe janë ngjitur në masivin pyjor të Parkut Kombëtar, duke u përpjekur të izolojnë vatrat e zjarrit. Ata konfirmuan se kanë izoluar me shumë vështirësi zjarret te Liqeni i Madh, ndërkohë vatrat e tjera vazhdojnë të jenë problematike. Banorët thanë se po dje ka mbërritur në Lurë një helikopter i Ushtrisë, megjithëse situata mbetet e rëndë. Gjendje më kritike në komunën e Lurës është mundësia e zjarreve në fshatin Vlashaj, me 37 shtëpi banimi. Aktualisht zjarri është shumë afër dhe mundësia e përhapjes së tij nga era e fortë ekziston.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura