Çka po mos t’ishin partizanët e Fadil Hoxhës?

May 1, 2016 | 12:18
SHPËRNDAJE

Nexh.Spahiu_651953023NGA NEXHMEDIN SPAHIU

Nëse nuk do të ekzistonin ai grusht partizanësh në krye me Fadil Hoxhën, çfarë do të ndodhte me kosovarët? Përgjigjja është e thjeshtë: Asgjë më keq se sa ka ndodhur. Shqiptarët, kroatët, boshnjakët, bullgarët e Maqedonisë (maqedonët e sotëm), italianët e Istres e Dalmacisë, e gjermanët e hungarezët e Vojvodinës janë trajtuar si popuj të mundur.

Fadil Hoxha nuk arriti t’i shpëtonte kosovarët nga hakmarrja e fituesve (serbëve). Tek e fundit, as Llazar Kolishevski nuk arriti t’i mbronte bullgarët (maqedonët) nga hakmarrja serbe, e madje as Tito kroatët (30.000 kroatë janë ekzekutuar brenda disa ditëve nga partizanët më 1945).

Te serbët, si popull fitimtar nga Lufta e Dytë Botërore, nuk pati ekzekutime masive. Vërtetë që Drazha Mihajlloviqi, Nikolla Kallabiqi, e disa udhëheqës çetnikë u dënuan me vdekje, por kjo mund të konsiderohet eliminim politikanësh për pushtet, siç pati edhe në shekullin XIX mes politikanëve serbë, por partizanët serbë nuk e masakruan popullin e vet.

Nëse kosovarët shpëtuan më mirë se gjermanët e Vojvodinës, kosovarët duhet të jenë falënderues ndaj Cubrilloviqit e Andriqit, të cilët në elaboratin e tyre të dytë, hartuar për udhëheqësit komunistë të Jugosllavisë më 1944, me titull “Zgjidhja e problemit të pakicave etnike në Jugosllavi”, prioritet i dhanë dëbimit të gjermanëve dhe italianëve, sepse, sipas tyre, vendet e tyre amë mund të këndellen shpejt dhe dëbimi i tyre të pamundë- sohet, ndërsa për shqiptarët, sipas tyre, ka kohë, sepse nuk ka gjasa që shteti i tyre amë, Shqipëria, të konsolidohet.

Dhe faktori i dytë, që i bëri kosovarët të shpëtojnë më mirë se gjermanët, kroatët, bullgarët (maqedonët), është fakti se shqiptarët të udhëhequr nga NDSH rezistuan deri më 1947-n. Kur u thye rezistenca, tashmë kishte veç 2vite që kishte përfunduar Lufta e Dytë Botërore dhe masakrat e deportimet në kohë paqeje janë më të vështira, për shkak të reagimit të opinionit publik ndërkombëtar. Kështu që kosovarët nga deportimi i shpëtoi rezistenca e NDSH-së e jo ekzistenca e partizanëve të Fadil Hoxhës.

Argumentim të ngjashëm me këtë që dha Azem Vllasi për Fadil Hoxhën e partizanët e tij përdorin edhe socialistët në Shqipëri. Ata thonë se po mos t’ishte Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e partizanëve shqiptarë, Shqipëria nuk do të radhitej me fitimtarët dhe rrjedhimisht do të pësonte keq.

Po çfarë të këqijash mund të pësonte Shqipëria më shumë se sa komunizmin stalinist? Harrohet një fakt, nga Lufta e Parë Botërore. E gjithë klasa politike e Shqipërisë ishte e radhitur me humbësit (Austro-Hungarinë e Gjermaninë).

I vetmi politikan shqiptar që ishte radhitur me fituesit (serbët e francezët) ishte Esad Pashë Toptani (1863-1920). Edhe atë e vrau qeveria e Tiranës me Kryeministër Sylejman Delvinën (1871-1933) përmes vrasësit me pagesë, Avni Rustemi (1895-1924). Por Shqipërinë nuk e gjeti ndonjë e keqe më e madhe seç do ta gjente me Esad Pashë Toptanin.

Tani me çfarë kriteri Esad Pashë Toptani na qenka tradhtar e partizanët shqiptarë na qenkan patriotë pse paskëshin qenë të vetmit shqiptarë që qenkan radhitur me shtetet fituese të Luftës së Dytë Botërore?

Natyrisht, përderisa periudha e Luftës së Dyte Botërore, i njëjtëson Enver Hoxhën (1908-1985) e Fadil Hoxhën (1916-2001), periudha e pasluftës i përdallon ata. Derisa krimet e luftës së Enver Hoxhës vijojnë duke u bërë edhe më monstruoze pasluftës deri në vdekjen e tij, karriera politike e Fadil Hoxhës vjen duke u moderuar.

Në fund të fundit, edhe serbët e konsideruan si një luftëtar që bënte kompromise me nacionalistët shqiptarë. Derisa Enver Hoxha, pasi vret nacionalistët shqiptarë, fillon t’i vrasë edhe shokët e tij më të ngushtë, Fadil Hoxha nuk ka vrarë asnjë shok të vetin të luftës, përkundrazi, me kalimin e kohës e ndan pushtetin apo i akomodon në shoqërinë kosovare edhe me familjarët e atyre që i kishte vrarë më 1944, 1945, 1946 e 1947.

Gjithë këto fakte bëjnë atë që Fadil Hoxha të mos hidhet në “pleh të historisë”, vend të cilin e meriton Enver Hoxha, por edhe nuk mund të konsiderohet “yndyrë e historisë” ku bënë pjesë, ta zëmë, Shaban Polluzha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura