Cila është Amerika?

Jan 9, 2021 | 10:01
SHPËRNDAJE

myslim-pashaMYSLIM PASHA

Këtë pyetje e bëra qysh në mëngjes, teksa fëmijët vunë maskat dhe dolën për të parë shëmbëllimin e kohës, për t’u takuar me ajrin e botës dhe harruan se ç’kish ndodhur mbrëmjes që shkoi. Kurrkush nuk e kishte mendjen te pandemia.

ISHIN HEQUR MASKAT…

Dhe unë dua të bëj pyetjen që më është ngulur në tru: Cila është Amerika?

Është koha e dilemës dhe dyshimit, është koha e maskës. Po turma nuk ka maskë. Prandaj, unë shkoj atje dhe… humbas në vete. Me përmend zëri i vajzës: “Si mund ta marrësh vesh kur sapo je bërë me ‘Green Card’, dhe po gërhet me të madhe ‘cila është Amerika?’”. “Ja, kjo është Amerika! Sapo kam mbërritur nga Shqipëria! Isha në turmë, ika sërish dhe rashë në turmë!”.

MIJËRA QYTETARË! NGA CILI CIVILIZIM, KU E QYSH?

Ngjiteshin në Kapitol, jo për t’i puthur gurët dhe lartësitë, po për t’i përdhosur dhe shkulur nga vendi. A do të shihni filma në natyrë me njerëz realë që vijnë prej kohërash surreale, ata që në botën tonë tani Ivanka i quan “patriotë”. Ata vijnë prej arketipave të tyre të së shkuarës. Ata që thonë se denbabaden janë këtu, të bardhë, të rënë nga qielli dhe pastaj këtu kanë mbirë. “Amerika është e gjatë dhe e gjerë, po aq e thellë! Nuk e kupton dot!”.

Shikojmë njëri-tjetrin dhe duam që të orientohemi, po s’mundemi dot!

CILA ËSHTË AMERIKA?

Kush e drejton këtë turmë të prishë mbrothësinë dhe demokracinë që e kish thënë Linkolni, i cili tani zvarritet i rrënuar në Kapitol? Është kryeturma njerëzore. Ajo po i ngjitej Amerikës mbrëmë, ajo që vjen nga Kaosi, dhe Kaosin e kërkon Njeriu Modern, i cili nuk rri dot pa instinktet e tij, për të cilat sapo folën në miting Donald Tramp dhe Rudi Zhuliani dhe Trumpi Junior, “biri i Mbretit”. Eh!

Po godiste egërsia e njeriut me lashtësinë e urrejtjes. Presidenti qeshte me lojën e njeriut, që vjen nga kohë-hapësirat, ku hapen dhe mbyllen dyer, shqyhen dikund tjetër, vriten njerëz nga shpata e nga plumba që s’dihet se nga vijnë. Vret vetvetja e njeriut. Janë aty, njerëzit që morën Kapitolin, se ata duket sikur kanë mësyrë te një kala, të cilën sapo e kanë marrë. Mbreti-President bën kryengritje ndaj vetes së tij.

Njeriu vërshon ndaj vetvetes!

E shihja një njeri në krye të kullës së lirisë, si triumf grotesk. Pastaj, një tjetër kish gjetur vendin e kreut në një poltronë të epërm. Ndihej sipër, kryenjeri! M’u kujtua ai personazhi në Shqipërinë time, në krevatin e Perandorit që e shkroi Dritëroi. Pastaj zbriti dhe donte të fliste, po fjala nuk i dilte.

Ishte FJALA dhe FRONI.

E para ishte “Fjala”, thotë Bibla. Kurse Froni kërkonte të zotëronte Turmën. Po a ka zot nëne të mbajë nën hudut Turmën! Kështu, nis te vritem me veten dhe nuk gjej dot derman. Kaq i pazoti, siç u ndjeva, thashë të ngrihem në këmbë e t’ia bëj edhe unë fora, të afrohesha më këndej Down Town, afër Kapitolit, ku po bëhej inventari. Ulem të lidh lidhëset e këpucëve se po më bien branë dhe mund të thyej hundët me veten. Kur, në çast, duke bërë të njëjtën pyetje “cila është Amerika?”, vajza me lot në sy m’u gjegj: “Sapo na vodhën makinën, harruam çelësat dhe … na e morën!”.

Ndërkaq u dha kumti se Joe Biden u certifikua. Kurse Tramp po i qahej demokracisë së paarrirë amerikane, që kish gjetur mënyrën t’ia bllokonte “Facebook” dhe “Twitter”, ndërkohë që ishin vrarë njerëz dhe ai nuk e komandonte dot turmën e instinkteve të tij.

Sakaq, ai që u thirri turmave të mësynin Kapitolin, u zgjua nga hija e arketipit të tij dhe u kujtua se ata “të mishit për top”, që s’i njihte, s’i kish komanduar kurrë, do ta paguanin shtrenjtë se ç’kishin bërë!”. Ja ky është njeriu! Jo vetëm Trump!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura