Çfarë na tha ai, që e njihte Oliver Ivanoviçin

Jan 21, 2018 | 11:54
SHPËRNDAJE

Ylli Polovina

YLLI POLOVINA

Vrasja e Oliver Ivanoviçit me pesë plumba, para selisë së partisë së tij të Iniciativës Qytetare “Serbia, Demokracia, Drejtësia”, krijoi shqetësim edhe mes shqiptarëve, sidomos në Tiranë. Teknika e likuidimit fizik ngjante me atë të një çerekshekulli më parë, të Azem Hajdarit. Për rrjedhojë, të  paktën si perceptim, u krijua fillimisht përshtypja se mund të ndodhnin në Prishtinë ato që ngjanë në kryeqytetin e Shqipërisë: tanke në rrugë, protestues partiakë, që sulmuan Kryeministrinë dhe mitraluan zyrën e kryeqeverisësit, pushtuan radiotelevizionin publik…

Ndërkohë, nuk ishte vetëm ndonjë analist i vetmuar, i cili parashikoi një perimetër më të madh të trazimit: tërë Ballkanin, sidomos hapësirën e ish-Jugosllavisë. Prandaj, në shkrimet e tyre Oliver Ivanoviçit i dhanë fuqi të madhe historike: e bënë me shtatin e Arqidukës Franc Ferdinand, për pasojë edhe siujdhesën tonë, në mos gati tërë kontinentin, të përfshirë në një përplasje të ngjashme me Luftën e Parë Botërore. Por asgjë e tillë nuk po ndodh, duket sheshit.

Çdo lojë propagandistike e qëllimshme apo thjesht e shpikur nga gjithëlogët mediatikë, se në këtë vrasje janë të përzierë shqiptarët (dhe kështu të rindizet kacafytja e tyre me serbët), apo çdo interpretim tjetër bashkëngjitur se është pleksur vetë Beogradi zyrtar apo Moska me plane ende të parealizuar të daljes në detërat e ngrohta të Adriatikut dhe Jon, nuk po mbështetet prej zhvillimeve konkrete. Së fundi, Presidenti serb Vuçiç shkoi në Mitrovicë dhe përsëriti nevojën e miqësisë dhe të zgjidhjes së butë të problemeve me shqiptarët…

Gjithsesi, autori i këtyre radhëve, kur kjo e fundit ende nuk kish ndodhur, por si çdo shqiptar e ballkanas, e ndiqte nga afër këtë zhvillim në pamje të parë tepër drithërues, gjeti të domosdoshme të takojë e bisedojë me një mikun e tij, i cili qe njëkohësisht edhe njohës nga shumë afër i Oliver Jovanoviçit. Ky është shqiptar nga Kosova dhe banon në Tiranë, në Prishtinë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si edhe në Lindjen e Mesme. Jo vetëm për këtë arsye ka tepër informacion.

QUHET NEXHMEDIN SHEHU

Po e tregojmë çfarë në thelb na tha, me besimin se do të ndihmojë sadopak që të krijohet qetësi tek ata që paralajmërojnë kobe. Sipas Nexhmedinit, me Oliverin është njohur nga fare afër qëkur qenë fare të rinj, në Gjakovë. Sepse Nexhmedini dhe Oliveri janë nga ky qytet. Ivanoviç është me origjinë shqiptar nga fisi i madh Kuçi, por nëpër shumë dekada, ndërsa pjesa më e madhe e tij ruajti kombësinë autoktone, një grumbull u bënë malazezë.

Pra, Oliver Ivanoviçi dhe i ati i tij, Bogdani, janë Kuçi, të vendit fqinj. Bogdani qe drejtor shkolle në Gjakovë dhe atje ishte nxënës i tij Nexhmedini. Oliveri qe pak më i vogël. Kur Nexhmedin Shehu u bë (18 vjeçar) mësues në këtë shkollë, filloi jetën e bangave edhe i biri i drejtorit, Oliveri. Ky i fundit bashkë me të vëllanë binin në sy për ashpërsi ndaj shqiptarëve. Edhe nëna e tyre, Ollga, qe e tillë, madje tepër e doktrinuar. Bogdan Ivanoviçi ishte më elastik, por tepër i përputhur me platformën historike të serbëve ndaj çështjes së shqiptarëve.

Kur Bogdani u bë drejtori i Universitetit Punëtor në Gjakovë e ftoi mikun e tij shqiptar Nexhmedin Shehu të bëhej mësues aty, çfarë ndodhi menjëherë. Më 1965 familja Ivanoviç u zhvendos në Mitrovicë. Oliveri këtu nisi të rrisë peshën e tij proserbe si edhe rolin jo miqësor me shqiptarët.

Mes të tjerash, hyri në shërbimin e fshehtë ushtarak, inteligjencë që për traditë në Beograd i kanë dhënë mjaft funksione dhe fuqi. Kështu, prej kohës së titizmit në atë të pas tij, përfshi edhe periudhën tërësisht antishqiptare të Sllobodan Millosheviçit, Oliver e kaloi me aftësinë për të mos u shkëputur prej ideologjisë së maskuar shovene, çfarë e ndryshoi, për t’iu përshtatur, kushteve të reja të ndërhyrjes së NATO-s dhe Kosovës së çliruar.

U bë, para shpalljes së pavarësisë së saj, deri edhe nënkryetar i Parlamentit dhe më pas u mundua të përfaqësojë, me idenë e bashkëjetesës, serbët në Kosovë. Qe një mënyrë e re për të plotësuar pasionin që ai kish për protagonizëm politik si edhe për të mos u mënjanuar nga mundësia për të ushtruar pushtet. Lëvizshmëria e madhe politike dhe konvertimi i papushuar e patën konsumuar dhe ata që shtinë mbi të, të paktën porositësit, e dinin që ai nuk i shkaktonte asnjë minimum tronditjeje Ballkanit. U hoq qafe në pikën më të ulët të forcës së tij ndikuese.

Nexhmedin Shehut i ka mbetur fort e ngulitur në kujtesë një bisedë që ka bërë me Oliver Ivanoviçin në maj 1996, kur vetë qe drejtor i Pallatit të Rinisë në Prishtinë dhe tjetri në krye të Pallatit të Sportit në Mitrovicë. Bashkëpunuan, por me një pengesë të qëllimshme që u vuri Oliver, për mbajtjen aty gjatë dy ditëve të një festivali grupesh muzikore shqiptare. Me këtë rast, në zyrën e njeriut që në origjinën e vet qe nga fisi Kuçi, të dy bënë një bisedë që zgjati plotë pesë orë.

Qe dialog kokëfortë, secili në pozicionet e veta, por pa urrejtje ndaj njëri-tjetrit. E nisën dhe e përfunduan intelektualisht. Oliver i tha se në qoftë se shqiptarët do të ngulnin këmbë për pavarësimin dhe shkëputjen e tyre nga Jugosllavia, ata do t’i vrisnin që të gjithë. Në thelb, Nexhmedin Shehu iu përgjigj se ata e kishin të tërë fuqinë ushtarake për ta bërë këtë, por do të qe një bumerang: do të zgjohej protesta dhe zemërimi i Perëndimit dhe kjo do të binte me ta.

Pastaj qe munduar t’i provonte se me një plan të tillë për katër muaj e patën goditur dhe martirizuar me të gjitha mjetet vrasëse qytetin e Vukovarit në Kroaci dhe patën mundur të vrisnin, prej 60 mijë banorëve, vetëm 4 mijë. Popullin nuk e zhduk dot, i pati thënë. Atëherë Oliver Ivanoviç (Kuçi) qe shprehur se “do t’ju dëbojmë”. Shehu i ishte përgjigjur: “Edhe këtë fuqi e kini, por rikthimi i shqiptarëve do të jetë shumë i shpejtë dhe tepër i furishëm ndaj padrejtësisë së shpërnguljes”.

Ky Oliver u vra para selisë së partisë së vet, sipas një modeli që e kemi parë në Tiranë me jetëmarrjen e Azem Hajdarit. Kishte të drejtën e vet të jetonte dhe të hynte në historinë e Kosovës, ashtu siç qe. Por në të Ballkanit është e pamundur. Që të trazosh këtë siujdhesë dhe të përsëritësh rolin e atentatit në Sarajevë ndaj Arqidukës Franc Ferdinand nevojitet një kompleks i tërë rrethanash, ndërsa aktualisht asnjë prej tyre nuk ekziston. Ballkani po shtyhet në kahje tjetër: drejt miqësimit. Platforma e armiqësimit, hë për hë, nuk ka asnjë shans.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura