Çështja e vulës dhe logos së PD në Apel, Sefa: Partia Demokratike do pranojë çdo vendim të dhënë nga Gjykata

Mar 28, 2024 | 11:52
SHPËRNDAJE

Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa, ka depozituar në Gjykatën e Apelit një kërkesë për nxitjen e shqyrtimit të çështjes që lidhet me vulën e kësaj partie.

indrit sefa

Në një komunikim për mediat, Sefa u shpreh se PD do pranojë çdo vendim të dhënë nga Gjykata e Apelit, lidhur me vulën e Partisë.

“Në emër të PD, po bëj publik qëndrimin tonë, do të pranojmë çdo vendimmarrje të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”, tha ai.

Ndër të tjera, Sefa bëri thirrje Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, trupës gjykuese, që në një kohë sa më të shkurtër të gjykoj këtë kërkesë civile në Gjykatën e Apelit dhe t’i japi zgjidhje përfundimtare të gjithë problematikës gjyqësore që ka PD.

 

“Gjithashtu i bëjmë thirrje të gjithë palëve të përfshira, të gjithë elementit opozitar, të gjithë opinionit publik, të gjithë personave që kanë zë në këtë çështje t’i bëjnë thirrje Gjykatës së Apelit të shqyrtojë çështjen në mënyrë sa më të shpejtë dhe t’i japin zgjidhjen përfundimtare kësaj”, deklaroi ai.

Pjesë nga deklarata: 

Partia Demokratike në vazhdim të të gjithë kërkesave të saj publike për përshpejtimin e çështjes në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, ka ndjekur dhe rrugën ligjore dhe ato që duhet të ndiqen proceduralisht të gjitha hapat për përshpejtimin e gjykimit. Dhe kërkojmë dhe i bëjmë thirrje Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, trupës gjykuese në një kohë sa më të shkurtër të gjykoj këtë kërkesë civile në Gjykatën e Apelit dhe t’i japi zgjidhje përfundimtare të gjithë problematikës gjyqësore që ka PD tash e 2 vite.

Gjithashtu i bëjmë thirrje të gjithë palëve të përfshira, të gjithë elementit opozitar, të gjithë opinionit publik, të gjithë personave që kanë zë në këtë çështje t’i bëjnë thirrje Gjykatës së Apelit të shqyrtojë çështjen në mënyrë sa më të shpejtë dhe t’i japin zgjidhjen përfundimtare kësaj.

Gjithashtu kërkoj të them dy fjalë për ndërhyrjen e palogjikshme, e paligjore, një ndërhyrje që nuk është në frymën e respektimit të institucioneve të pavarur të drejtësisë, ku si nënkryetar i Kuvendit i drejtohet gjykatës duke treguar se cilat janë shumicat dhe se si duhet gjykata të marri vendimmarrje. Dua t’i bëj thirrje nënkryetarit të Parlamentit, që ligjshmëria përcaktohet nga rregullat, legjitimiteti është përcaktuar tash e 200 vite më parë si pasojë e të gjithë praktikave ligjore.

Legjitimiteti bazohet mbi rregulla dhe rregullat duhet të justifikohen në bazë të ligjeve. Ndaj, drejtësia popullore, ploretare, me numra me shumica ka sot në Republikën Popullore të Kinës, në Republikën e Koresë së Veriut të cilat janë republika Putiniste e cila ka qenë dhe Shqipëria gjatë komunizmit. Reminishencat e së kaluarës, unë e kuptoj që i ka lënë këta njerëz të merren dhe të artikulojnë të gjithë logjikën e të kaluarës dhe mënyrën se si bëhej drejtësia proletare në atë kohë. Ndërkohë i bëjmë thirrje të gjitha palëve të ndjekin rrugën proceduriale, të ndjekin rrugën ligjore për t’iu drejtuar gjykatës për të bërë thirrje sa më parë që kjo çështje të gjykohet në një kohë sa më të shkurtër.

Gjithashtu i bëj thirrje Gjykatës të marrë një vendim të drejtë, të pavarur dhe të pa ndikuar nga asnjë faktor politik. Gjithashtu i bëj thirrje komisionit të Rithemelimit i cili publikisht të shprehet që çdo vendimarrje të Gjykatës të Juridiksionit të Përgjithshëm do të pranohet dhe do të respektohet. Partia Demokratike e ka bërë të qartë që në krye të herrës, çdo vendimmarrje të Gjykatës do të respektohet. Dhe nga ana jonë kemi një kërkesë për palën tjetër, të dalin publikisht dhe të thonë që do të respektojnë vendimmarrjen e Gjykatës. Kjo është kultura juridike, kjo është kultura demokratike të cilën shqiptarët duan të dëgjojnë e të shikojnë nga ana e opozitë.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë zbardhi më 18 mars arsyet që prishën vendimin e Gjykatës së Apelit për vulën e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Gjyqtarët që do të shqyrtojnë çështjen për vulën e Partisë Demokratike, janë Alma Ahmeti, Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerësoi se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, përmban shkaqe, të cilat e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Tre muaj më parë Gjykata e Lartë vendosi të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës, me argumentin se “ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj”.

Në vendimin prej 36 faqesh, Kolegji i Gjykatës së Lartë vlerëson se rekursi i paraqitur nga pala kërkuese në këtë gjykim, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit përmban shkaqe të cilat, e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Sipas Gjykatës së Lartë, çështja duhet rigjykuar në Apel nga një trupë tjetër. Zbardhja e vendimit i hap rrugën nisjes së procesit në Gjykatën e Apelit. Kolegji thekson se vendimi i dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit është rrjedhojë e moskuptimit dhe mosidentifikimit të qartë të natyrës së mosmarrëveshjes, ndërkohë që gjykimi i zhvilluar për shqyrtimin e saj është rrjedhojë e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, si dhe i interpretimit të gabuar të normave të ligjit procedural.

Gjithashtu, Kolegji vlerëson se arsyetimi i vendimit nga Gjykata e Apelit nuk plotëson standardet e arsyetimit të një vendimi gjyqësor, të përcaktuar tashmë nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Gjykata e Lartë vlerëson se në rastin kur padia apo kërkesa paraqitet nga një person që i mungon zotësia për të vepruar, Gjykata e Apelit vendos mospranimin e gjykimit të padisë, ose pushimin e gjykimit të padisë.

Në vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë rreth vulës së Partisë Demokratike, Kolegji thekson se Gjykata e Apelit, përpara se të kalonte në fazën e shqyrtimit të çështjes dhe të merrte në shqyrtim vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, duhet t’i kishte dhënë përgjigje faktit nëse, vendimi i marrë sipas një gjykimi gracioz, a mund të ankimohet në një shkallë më të lartë gjykimi nga një palë, e cila nuk ka qenë e legjitimuar as nga pikëpamja formale dhe as nga pikëpamja procedurale si palë ndërgjyqëse në procesin gjyqësor të zhvilluar në Shkallë të Parë.

LEXO EDHE: Vula e PD-së, Gjykata e Lartë zbardh vendimin! Çështja do të rigjykohet nga Apeli me një trupë tjetër, ja shkeljet e kryera

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura