Supersfida Juventus-Milan do të flasë 103 “gjuhë”, e gjitha bota me sytë në Torino

Apr 27, 2024 | 12:36
SHPËRNDAJE

“Allianz Stadium” do të jetë i mbushur në kapacitetin e tij maksimal për Juventus-Milan. E bukura e mbrëmjes së sotme do të jetë se në 42 mijë vendet e impiantit bardhezi do të ulet e gjithë bota, duke e bërë vërtet speciale supersfidën e 34-t të Serisë A.

milan juve

Në stadium do të jenë të pranishme 103 kombësi të ndryshme, kjo duke qenë se 25 për qind e biletave për duelin e sotëm janë shitur jashtë kufijve italianë. Dhe normalisht që kjo është një gjetje marketingu nga ana e klubit të Juventusit, duke qenë se përpara sfidës, tifozët e pranishëm nga i gjithë globi kanë prenotuar mbi 3000 bileta për të vizituar muzeun e Juventusit, por në të njëjtën kohë do të prekin pak a shumë edhe çdo ambient tjetër që ofron struktura sportive e “Zonjës së Vjetër”.

Sigurisht që në një Juventus-Milan, duke parë edhe afërsinë dhe lirshmërinë tashmë për të lëvizur, nuk do të mungojë Shqipëria, ndonëse harta e shpërndarjes së tifozëve të pranishëm është vërtet mahnitëse. Nga informacionet që ka lëshuar vetë klubi bardhezi, shtete e tjera më përfaqësuese në këtë sfidë do të jenë Franca, Gjermania, Belgjika dhe Polonia. Por në të njëjtën kohë do të ketë “gjurmë” edhe nga Afrika e Jugut, Indonezia, Peruja, Nikaragua, Zelanda e Re, Senegali, Etiopia, Kuba dhe Republika Dominikane.

Arritja e gjetjes së këtyre biletave është bërë e mundur nëpërmjet fanklubeve të Juventusit në të gjithë botën. Interesi mbi ndeshjen në fjalë tregon sesa e gjerë është dashuria për këtë sport dhe sesa lehtë dhe shkurt lidh futbolli popujt në të gjithë globin. Por mbi të gjitha ky është një tjetër sinjal për ata që nënvizojnë se futbolli italian ka humbur pikë në botë dhe konfirmimin do e japë shumë qartë Juventus-Milan, një sfidë legjendare dhe e gjitha për t’u shijuar…

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura