Ç’do sjellë sot protesta? Flet Nano: Shqiptarët në sëkëlldi të madhe, do zgjedhin mes…

Jan 27, 2018 | 13:25
SHPËRNDAJE

“Në fakt asgjë nuk do të ndryshojë. Pushteti nuk merret duke numëruar protestuesit apo duke demonstratat. Ne jetojmë në një sistem, në të cilin pushteti merret duke numëruar votat”. Keshtu thote analisti Mustafa Nano, teksa komenton ne nje interviste per MAPO protesten e sotme te opozites.

muc nano opinion

Flet për gazetën Mapo, analisti i njohur Mustafa Nano

Është hera e parë pas ikjes së Berishës si kryetar i PD-së dhe Ilir Metës si kryetar i LSI-së, që dy partitë PD-LSI bëhen bashkë në një protestë të madhe. Sa besoni se frymëzojnë Lulzim Basha e Monika Kryemadhi, me këtë protestë?

Njerëzit do dalin në protestë si pasojë e fushatës mobilizuese që është bërë, dhe si pasojë e pakënaqësisë ndaj qeverisë. Por në të njëjtën kohë duhet thënë se opozita kurrë nuk ka patur udhëheqës kaq pak frymëzues. Unë kam përshtypjen se një pjesë njerëzish do donin të shkonin në protestë, por nuk e bëjnë këtë gjë për shkak të Bashës e Kryemadhit. Këta po shkaktojnë një sëkëlldi të madhe publike te një pjesë e madhe shqiptarësh (që për mua janë shumicë) teksa përpiqen të përcjellin mesazhin se në Shqipëri ka dy opsione sot, nga njëra anë është djalli Edi Rama e nga ana tjetër janë dy engjëj, Basha e Kryemadhi.

Fillimisht, opozita e shpalli protestën e 27 majit, për shkeljen e pretenduar të kushtetutës në procesin e zgjedhjes së prokurores së Përgjithshme. Më pas u shtuan argumente të tjerë pse duhet protestuar. Besoni se krijon një farë çoroditje ndryshimi i mesazhit?

Mund të ketë mesazhe të çoroditura gjithë ditën e ditës, por kjo nuk prish asgjë. Kush do dalë në protestë, nuk është se do ta bëjë këtë për shkak të mesazheve të qarta. Kjo është një protestë e opozitës, e në protestë do të dalin njerëzit e opozitës, që janë lodhur larg të mirave që burojnë prej pushtetit.

Protesta e 27 janarit është e dyta e këtij lloji pas asaj të 18 shkurtit të vitit që shkoi, e cila u pasua nga çadra. Çfarë pritet nga opozita pas 27 janarit?

Unë nuk e di se çfarë llogarish kanë bërë. Basha e Kryemadhi kanë krijuar pritmëri të mëdha, a thua se do ndodhë një gjë e madhe, e jashtëzakonshme, e paparë ndonjëherë. Në të vërtetë, do të ndodhë thjesht një protestë. Sado e madhe të jetë protesta, në fund të saj njerëzit do të kthehen në shtëpi me një ndjesi kotësie e zhgënjimi. Sepse janë përgatitur që kjo protestë do të ndryshojë diçka, apo gjithçka, por në fakt asgjë nuk do të ndryshojë. Pushteti nuk merret duke numëruar protestuesit apo duke demonstratat. Ne jetojmë në një sistem, në të cilin pushteti merret duke numëruar votat. Nëse do duan të bëjnë një protestë të dytë, të tretë, të katërt etj., do të ndodhë ajo që pritet: protestuesit do lodhen, për rrjedhojë do të jenë gjithnjë e më pak. E ç’është më e keqja, do të çmobilizohen e shkurajohen edhe si votues, kur të vijë dita e zgjedhjeve administrative pas një viti.

MAPO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura