Carlo Bruni: “Romeo dhe Zhulieta”, sipas kushteve shqiptare

Apr 12, 2011 | 11:38
SHPËRNDAJE
Carlo Bruni

Për të, “Romeo dhe Zhulieta” nuk është thjeshtë ajo historia e famshme e Shekspirit. Është diçka më shumë, që na përket të gjithëve, që na flet të gjithëve.Prej muajit dhjetor regjisori italian, Carlo Bruni, ka ardhur disa herë në Tiranë. Në fillim njohja, pastaj përzgjedhja e aktorëve e tani provat. Thotë se po shkon gjithçka në rregull e në fund të muajit prill premiera do të jetë gati. Veçse, “Romeo dhe Zhulieta” e Carlo Brunit nuk do të jetë një vënie klasike. Nuk ka Tibald, nuk ka Kapuletë e Montegë… Janë vetëm 10 personazhe nga gati 20 që janë në pjesën e Shekspirit. Nga ata, 5 janë tërësisht të panjohur. Studentë, apo të sapo diplomuar. Bruni thotë se do të sjellë një tekst të ripunuar të Shekspirit, një tjetër koncept që rreket të analizojë raportin prindër –fëmijë, por edhe me veten. Por thotë gjithashtu se të gjitha këto ia përshtat kushteve në Shqipëri, qofshin ato financiare, të kohës, vendit…
Si lindi bashkëpunimi juaj me Teatrin Kombëtar?
Kam ardhur në Shqipëri në fund të viteve ’90, kam njohur drejtorin aktual Kristaq Skrami, me të cilin kemi bërë disa projekte. Në Itali kam organizuar një festival dedikuar Shqipërisë dhe së fundi jam marrë edhe me organizimin e një pëkujtimoreje në Brindizi mbi eksodin e 1991-shit. Në vitin 2000 kam njohur Shqipërinë, e cila më është dukur një tokë interesante, me të cilën ishte e pamundur të mos kishe një raport. Kam ardhur disa herë për projekte të ndryshme dhe, prej kohësh, Skrami më kishte kërkuar të realizonim një spektakël dhe më në fund gjetëm kohën e duhur.
Tanimë jeni ulur në tavolinë, si po shkojnë provat?
Po shkon gjithçka në rregull. Muaji i parë shërbeu për t’u njohur. Kam ardhur disa herë deri tani. Herën e parë, në dhjetor dhe sërish në janar. Në dhjetor zhvilluam audicionet dhe në janar krijuam skuadrën e aktorëve. Jam rikthyer për përkthimin e tekstit, në mesin e marsit dhe prej 1 prillit kemi filluar provat, një rrugëtim që them se po shkon mirë.
Hasët vështirësi në gjetjen e aktorëve?
Gjetja e aktorëve është një miks i kërkimit teknik dhe atij rastësor. Ka qenë e vështirë vetëm për faktin se në Teatrin Kombëtar kishte shumë aktorë të mirë dhe ishte e vështirë që të mos i pranoje. Kam kërkuar shumë në Akademi dhe të rinjtë e përzgjedhur ose studiojnë, ose kanë studiuar në Akademi dhe unë besoj shumë në entuziazmin e tyre.
Përse “Romeo dhe Zhulieta”?
“Romeo dhe Zhulieta”, ashtu si të gjitha veprat e mëdha, përfaqëson një lloj ure. Kur përballesh me një kulturë dhe një gjuhë tjetër, e rëndësishme është të kesh një terren të përbashkët ku të mbjellësh një rrënjë dhe kjo është së pari “Romeo dhe Zhulieta”. Por ka edhe dy arsye të tjera. Në këto kohë ka shumë nevojë për dashuri, aq sa në Tiranë ka pasur edhe dy vënie të tjera të tragjedisë dhe këtu na intereson shumë edhe tema që trajton, përballja mes dy brezave, ajo e prindërve dhe e fëmijëve. Baballarët shumë të përqendruar në çështjet e pushtetit, aq sa janë të shpërqendruar nga lumturia e fëmijëve. Besoj se ia vlen që të sinjalizosh publikun, i cili përbëhet nga fëmijë, por më së shumti nga baballarë, mbi këtë problem.
Si do të vijë kjo tragjedi e famshme në këndvështrimin tuaj?
Teatri ndërtohet mbi bazën e asaj që ke, teksti është vetëm njëra anë, por nga ana tjetër është edhe konteksti në të cilin ti punon, qyteti, aktorët, kushtet materiale, koha. Të gjitha këto ne na shtynë që të mos punonim mbi tekstin e “Romeo dhe Zhulietës”, por të rishkruanim atë nisur nga historia dhe fjalët e Shekspirit, duke dalë në një formulë më të gjetur për momentin. Janë vetëm 10 aktorë ose më mirë 9, plus një fëmijë dhe duhet të zgjidhnim nga cila anë do të ishim. Kjo është një pjesë ku armiqtë jemi ne. Nuk ka nevojë për Tebaldin. Prindërit përfaqësohen vetëm nga një nënë, ndërsa armiqtë janë brenda nesh. Kur fillon pjesa, Benvolio lufton kundër vetes. Unë jam për një teatër popullor, të qartë që kushdo që ta shohë të gjejë veten dhe të provojë emocione. Kështu që, “Romeo dhe Zhulieta” jonë është shumë e qartë dhe e thjeshtë.
Nuk do të ketë ballkone, fustane të gjata..?
Kemi vendosur të luajmë në një teatër të zhveshur me qëllim që spektatori të jetë pjesëmarrës me ne në spektakël. Shfrytëzimi i hapësirës është i veçantë, kështu që publiku do të jetë i rrethuar nga spektakli. Ballkone do të ketë, teatri është plot me të tillë, ndërsa veshjet e gjata janë detyrim i elegancës.
Atëherë Romeo dhe Zhulieta janë dy të rinj të kohës sonë, shqiptarë ndoshta?
Nuk do t’i specifikoja. Ata janë dy persona që quhen Romeo dhe Zhulieta, por janë njëkohësisht dy njerëz që mbartin eksperiencën, historinë dhe gjuhën e tyre, madje edhe theksin. Romeo dhe Zhulieta vijnë nga Veriu. Teatri është një vend, ku ne mund të eksplorojmë veten, kështu që jemi personazhe, por jemi dhe vetvetja.
“Roemo dhe Zhulieta” vjen pas më shumë se 20 vjetësh në Teatrin Kombëtar, nuk do të kishte qenë më mirë një vënie klasike?
Nuk kam bërë një hierarki nëse kjo është më mirë se një klasike, por ka shumë gjëra që të kushtëzojnë. Që të bësh një “Romeo dhe Zhulieta” të duhen 20 aktorë apo të duhet shumë kohë për të punuar. Në këto raste lind alternativa. Është si në jetë, apo jo?! Njëherë e pyeta një fëmijë se si qëndronin yjet në qiell dhe në mënyrë të habitshme ajo më tha: Për shkak të miteve. E pyes se ç’janë mitet dhe ajo ma kthen: Një lloj ngjitësi. Kështu që në rastin tonë, “Romeo dhe Zhulieta” është një mit, një lloj ngjitësi, që na ndihmon të afrohemi. Ky është qëllimi i spektaklit, të flasim për diçka që na përket, që na prek personalisht dhe që mund ta ndajmë me spektatorin. Dhe kjo vepër klasike na ndihmon për këtë. Sa herë që flasim për dashurinë, na vjen në mendje Romeo dhe Zhulieta.
Thatë që e keni rishkruar tekstin, po “formulat” e njohura të dashurisë (Ah, Romeo, Romeo, përse je ti…), do t’i dëgjojmë në pjesën tuaj?
Fjalët e Shekspirit janë respektuar. Në disa raste historia është si të na drejtohej neve vetë. Janë dy personazhe shtesë që spektatori do t’i zbulojë duke ardhur në teatër. Janë dy personazhe që nuk janë në veprën e Shekspirit, por fjalët më të rëndësishme në tekstin e tij kanë mbetur.
Siç e përmendët edhe ju, brenda një kohe të shkurtër, në Tiranë janë vendosur edhe dy “Romeo dhe Zhulieta” të tjera, një në Teatrin e Metropolit dhe një në Teatrin e Operës. I keni parë, ju kanë pëlqyer?
I pashë të dyja. Fatmirësisht janë tri gjera të ndryshme dhe kjo është e bukura e teatrit. Në të dyja kishte kuptim, ishin të respektueshme. Ti mund të bësh një shfaqje shumë të bukur e nuk ta sheh njeri. Këtu nuk ekziston teatri. Teatër do të thotë takim dhe në të dyja shfaqjet, si ai në Metropolitan edhe në Opera, ky takim ishte. Pastaj unë kam një këndvështrim të ndryshëm, punoj në një tjetër perspektivë. Por them që është një koiçidencë e bukur, sepse publiku që ndoshta ka pasur mundësi t’i shohë të tria veprat, mund të zbulojë se sa e njëjta histori, apo të njëjtat fjalë, mund të thonë gjëra të ndryshme. Mua nuk më pëlqen ajo sjellja e artistëve si të jenë unikë, të vetmit absolutë. Jo. Aq më tepër që “Romeo dhe Zhulieta” është interpretuar nga shumë e shumë artistë të mëdhenj. “Romeo dhe Zhulieta” jonë nuk është ajo e faqeve të Shekspirit. Është ajo, por edhe çfarë vjen më pas. Kur takova këta të rinj, këtu mendova si mund të rrijë kjo vepër brenda tyre, sepse të punosh në Shqipëri është më e ndërlikuar se të punosh ndoshta në Itali. Besoj se vështirësitë janë një komponent i rëndësishëm i krijimit.

Shfaqja

Vepra: “Romeo dhe Zhulieta”
Regjisori: Carlo Bruni
As/regjisor: Elis Mataj
Kostumografia: Anila Zajmi Katanolli
Interpretojnë: Andi Begolli- Romeo, Erieta Cufaj-Zhulieta, Florand Veizi – Benvolio, Kamber Mici – Merkicio, Elia Zaharia- Rozalinda, Yllka Mujo-Vaja, Olta Daku-shërbëtorja, Dritan Boriçi-prifti, Monika Lubonja-mamaja, Ervis Fjora-Destini
Premiera: 29 prill

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura