“Cana 200”, FC Nantes nderon kapitenin tonë të kombëtares

Nov 29, 2015 | 12:27
SHPËRNDAJE

FC Nantes ka luajtur mbrëmë ndeshjen e radhës në “Ligue 1”, duke barazuar në shtëpi, pa gola, me SC Bastia. Vlen të përmendet fakti se të dy lojtarët kuqezinj, pjesë e kësaj skuadre franceze, kanë qenë në fushën e lojës me kohë të plotë, ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, 103-vjetorit të saj. Nëse kapiteni ynë i kombëtares ka qenë titullar që ditën e parë në këtë “stacion” të karrierës, nuk mund të thuhet kështu për Lenjanin.

cana 200

Sidoqoftë, ai dje është rikthyer dhe ka luajtur 90 minuta. Cana mori edhe një karton të verdhë në minutën e 14-të të ndeshjes. Para se të niste ky ballafaqim, është zhvilluar një ceremoni e thjeshtë në nderim të Lorik Canës, i cili ndeshjen pararendëse kishte rrumbullakosur plot 200 sfida në “Ligue 1”. Përfaqësues të FC Nantes kishin përgatitur në një kornizë xhami një fanellë të tij me skuadrën ku luan aktualisht, në të cilën ishte stampuar numri 200 dhe “Cana”.

Ky numër ndeshjesh u plotësua një javë më parë, në duelin me Monakon. Një “markë” në nivelin më të lartë e mbrojtësit të FC Nantes dhe kapitenit të kombëtares shqiptare. Në moshën 32-vjeçare, Lorik Cana luajti ndeshjen e tij të 200-të në nivelin më të lartë të futbollit francez. Lojtari që e nisi karrierën duke u trajnuar te Paris SG, shqiptari ndërkombëtar, ka luajtur 200 ndeshje (pa llogaritur të mbrëmshmen, ndaj SC Bastia) në tri klube franceze: 69 ndeshje me Paris SG, 122 ndeshje me Olimpikun e Marsejës dhe 9 (+1) ndeshje me FC Nantes. Këto shifra nuk marrin parasysh ndeshjet e tij me Sunderland, Gallatasaraji dhe Lacio.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura