Bilanci i pabesueshëm i Ronaldos me Portugalinë, ka shënuar 30% të golave të kombëtares

Sep 27, 2022 | 16:38
SHPËRNDAJE

Kristiano Ronaldo është figura qendrore e Portugalisë. Përtej viteve që kalojnë 37-vjeçari pritet të udhëheqë në fushë skuadrën e Fernando Santosit në kërkim të një rezultati historik në Botërorin e Katarit që nis pas dy muajsh.

cristiano-ronaldo-body-1200x800

Ai ka vendosur çdo rekord të mundshëm me Portugalinë, por nuk ka ndër mend të ndalet. Madje, objektivi i tij nuk është vetëm Botërori në Katar, por ai i bën llogaritë të jetë në fushë dhe në Kampionatin Europian në vitin 2024, kur do të jetë 39 vjeç e 4 muaj! Por të qëndrojmë te rekordet e tij me Portugalinë, ku ai ka shënuar as më shumë e as më pak por gati 1/3 e golave të luzitanëve që nga momentin i debutimit 19 vjet më parë.

Që kur Ronaldo bëri debutimin e tij në Kombëtaren A të Portugalisë, në gusht 2003, luzitanët kanë shënuar me të në fushë, qoftë si titullar ose si zëvendësues 387 gola (190 ndeshje), ose mesatarisht 2.03 gola për ndeshje me CR7-ën në fushë. Nga këto 387 gola, 117 mbajnë firmën e kapitenit aktual të Portugalisë. E përkthyer në shifra të tjera, Ronaldo ka shënuar 30.2% të të gjithë golave të Portugalisë kur ai ka qenë në fushë. E thënë më thjeshtë: një në tre gola janë shënuar nga CR7-a.

Për të kuptuar ndikimin e jashtëzakonshëm të tij në kombëtaren portugeze, mjafton të përmendim fatin se për të njëjtën periudhë (gusht 2003 – shtator 2022), Portugalia ka luajtur 54 ndeshje pa Ronaldon në fushë dhe ka shënuar vetëm 54 gola! Ndikimi i Ronaldos në golat e luzitanëve u rrit në shifra stratosferike që nga viti 2011, kur kapiteni ishte 26 vjeç. Ai ka pasur një periudhë shumë të mirë, mes tetorit 2006 dhe tetorit 2007, me më shumë se 35 për qind të golave të kombëtares. Ishte koha kur Portugalia drejtohej nga Luiz Felipe Skolari.

ronaldo

Megjithatë, dhjetë vitet midis qershorit 2012 dhe shtatorit 2021 ishin të shkëlqyera për sulmuesin aktual të Mançester Junajtidit në Premier. Në këtë dekadë ai arriti të shënonte 79 nga 183 golat e Portugalisë në të gjithë kompeticionet, miqësore apo zyrtare. Domethënë 43% të golave të shënuar nga Portugalia në këtë periudhë.

Periudha më e shkëlqyer e tij në ekipin kombëtar, për sa i përket golave, erdhi midis qershorit 2018 dhe shtatorit 2019, kur ai shënoi 12 nga 20 golat e skuadrës (60%): tre kundër Spanjës, një kundër Marokut, tre ndaj Zvicrës, një në Serbi dhe katër në Lituani. Dhe ai nuk ka ndër mend të ndalet.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura