Bienalja e Venecias, emigracioni mes urbanizimit e polifonisë

May 24, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

“Kur mbërrita, për detyrën time të parë në terren, në qytetinport të Vlorës në Shqipërinë jugore, më këshilluan të përmbahesha e të mos haja peshk të freskët.

grupi bilbiliPeshku, me sa thonin vendasit, mund të qe ushqyer me mbetjet e shqiptarëve të mbytur në përpjekje për të mbërritur Italinë duke kaluar Ngushticën e Otrantos.

Përplasja e një anijeje të tejmbushur me një fregatë të marinës italiane më 28 mars 1997, e njohur si ‘Tragjedia e Otrantos’, la të vdekur nga 57 deri në 85 emigrantë; një fatkeqësi e përmasave antike.

Por Otranto ishte vetëm maja e një ajsbergu të frikshëm statistikash nga demografë, ekonomistë dhe politikanë, të cilët u gjendën përballë një shpërnguljeje njerëzore të pashoqe.

Studiuesit e emigracionit u magjepsën para këtij ‘laboratori të mërgimit’, ku mund të vrojtohej me lupë dhe me xhirim të shpejtë se si një regjim i izoluar komunist, me liri rreptë- sisht të kufizuar lëvizjeje, kthehej në një vend me kufij të hapur”, shkruan Eckehard Pistrick, etnomuzikolog në Martin-Luther-Universität Halle-Wittenberg, autor i Performing Nostalgia: Migration Culture and Creativity in South Albania (2015).

Eseja e tij “Ngushëllimi i zërit në një botë të munguarish/Arkitektura e zhvendosjes”, shoqëron konceptin e pavijonit shqiptar në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, e cila hapet këto ditë.

“Ju kam lënë malin”, kështu e kanë titulluar temën me të cilën paraqitet Shqipëria, kuratorët Simon Battisti, Leah Whitman-Salkin, Åbäke. Një kërkim që i përgjigjet temës së përgjithshme të këtij edicioni: “Raportim nga Fronti” të kuratorit të Bienales Alejandro Aravena.

KONCEPTI

“Të kam lënë malin” hap bisedën lidhur me urbanizimin e emigrimit. Ndërrimi i sistemeve politike solli ndryshime të jashtëzakonshme në Shqipëri.

Ishin të shumtë ata që kaluan detin, për t’u hedhur në bregun tjetër, ku i priste “Perëndimi”, të tjerë kaluan malet më këmbë për t’u hedhur në Greqi, ca të tjerë mërguan brenda vendit, lanë malet dhe zbritën në fushë apo lanë provincat në drejtim të qendrave e më së shumti kryeqendrave. Të gjitha këto do të linin vulën e vet në urbanistikë.

Me paratë e emigracionit do të ndërtoheshin me shpejtësi ndërtesa dykatëshe, trekatëshe…, të cilat mbinë shëmtuar ngado, duke shkatërruar tokën e bukës e duke populluar zona të tëra, pa asnjë rregull urbanistik.

Shumë syresh do të mbesnin të papërfunduara si cungje të prera pemësh. U betonuan qytete bregdetare, u prenë pyje, u ngushtuan hapësirat publike… ndërsa në tabela dyqanesh, baresh e restorantesh vërshoi Parisi, Oslo, Brukseli, Vjena, Kievi…

“Ka një paradoks ironik në këtë bindje: çfarë është ndërtuar në komunizëm është një kujtesë e padëshiruar e së shkuarës për këdo, por në të njëjtën kohë, qytetet janë rrënuar pakthyeshëm nga e reja.

Nga ky këndvështrim, mund të kuptohet në tërë thellësinë e saj ndjesia e zhgënjimit dhe klaustrofobisë, me të cilën shqiptarët përshkruajnë hapësirën e tyre urbane”, shprehet kuratori Simon Battisti.

Por, nëse emigracioni do të jepte kontributin e vet në sulmin ndërtimor, e lidhur historikisht me emigracionin është kënga. Janë të njohura në Shqipëri këngët e kurbetit. Këto elemente: emigrimin, urbanizimin dhe këngën kanë shfrytëzuar kuratorët e pavijonit të Shqipërisë, për të sjellë një fenomen ngushtësisht shqiptar.

TEKSTET

Kuratorët e kanë ndërtuar konceptin e tyre mbi tekste rreth arkitekturës së zhvendosjes, shkruar posaçërisht për këtë ngjarje, nga shkrimtarë, poetë e krijues të skenës ndërkombëtare.

Kush më shumë e kush më pak ka provuar ndjesinë e mërgimit apo të qenët i huaj në një vend tjetër.

Ata janë poeti Etel Adnan, poeti Mourid Barghouti, shkrimtari Michel Butor, artistja Claire Fontaine, arkitektja Yona Friedman, artisti Anri Sala, antropologu Michael Taussig, ekonomisti Yanis Varoufakis, shkrimtarja Ornela Vorpsi dhe urbanisti Finn Williams.

Këto tekste janë shndërruar në këngë, që interpretohen nga katër grupe të isopolifonisë. Këngët do të dëgjohen në pllaka gramafoni 30 cm gjatë gjithë kohëzgjatjes së Bienales së Venecias si një instalim tetëkanalësh.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura