Beteja e Sinecit

Aug 6, 2021 | 8:28
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO

PËLLUMB NAKO

Në vitin 2016 Partia So cialiste kishte tashmë tri vite në pushtet. Iluzionet e ethshme për shtet të së drejtës, për progres modern, ishin ende të ndezura në mendjen dhe në shpirtin e të gjithë atyre që besonin se ndryshimi do të vinte cilësisht më i mirë dhe në hapa më të shpejtë.

Askujt nuk i shkonte ndërmend që gjithë ai numër i madh dokumentesh strategjike të hartuara dhe të publikuara nga qeveria për të bombarduar opinionin publik me prova se kishte të bënte me një qeveri largpamëse, vizionare dhe që seriozisht kishte marrë në dorë zhvillimin ritmik të vendit, pak vite më pas do të rezultonin vetëm propagandë. Gjithë dokumentet në fjalë, jo vetëm që nuk do të zbatoheshin, por do të bëhej edhe e kundërta e tyre. Idealizmi dukej sikur sapo ishte shpikur dhe ulur në një kolltuk mbretëror për të orientuar çdo qelizë të qeverisë. Në sipërfaqen e akteve të saj ende nuk kishte dalë asgjë nga lajtmotivi i qeverisjes që sapo ishte instaluar se “ende nuk keni parë gjë”.

Vitet kanë kaluar tashmë dhe gjërat kanë ndryshuar dhe shumë. Ai idealizëm i shfaqur fillimisht mbeti në embrion dhe u bë shkrumb e hi, duke i lënë vendin një arrogance të materializuar nga një grykësi e frikshme që sa vjen e shtohet për të gllabëruar gjithçka që del para dhe perceptohet si fitimprurëse. Pa asnjë skrupull shkelet çdo vlerë e çdo parim i shenjtëruar vetëm pak vite më parë. Po ashtu, gjithë dokumentet strategjike të hartuara mirë e bukur shkelen brutalisht sikur t’i kishte hartuar dikush i huaj për vendin. Vazhdimësia mbetet fjalë dhe koncept pa kuptim. Kalimi nga një ministër në tjetrin apo nga një kryetar bashkie në tjetrin, megjithëse të së njëjtës forcë politike, duket si kalim nga para erës sonë, në erën tonë.

Në të njëjtat ujëra notonte në ato vite edhe Bashkia e Kuçovës e administruar prej dekadash nga e njëjta forcë politike e majtë si qeverisja qendrore. Bashki kjo e cila ka nën administrimin e saj edhe fshatin Sinec të Komunës së Lumasit, i cili do të mbetej anonim dhe askush nuk do ta njihte, nëse prej disa muajve banorët e tij nuk do të përplaseshin si me Bashkinë e Kuçovës, edhe me Policinë e Shtetit, duke bërë të flitet gjerësisht për ta dhe për çështjen e tyre. Ata nuk duan që një burim ujor në atë vend, me vlera natyrore të vlefshme të njohura më parë si nga pushteti qendror dhe ai lokal, jo vetëm për atë zonë, por për gjithë vendin, të futet nëpër disa tuba të cilat bashkia thotë se është ujësjellës dhe banorët vjedhje, një projekt korruptiv.

Si zakonisht në të tilla raste, në mesin e konfliktit qëndron Policia e Shtetit dhe po si zakonisht, kundër popullatës dhe në mbrojtje të qeverisjes. Madje sipas disa mediave, banorët kanë kallëzuar Policinë e Shtetit sepse për të mbytur rezistencën e banorëve ka marrë makina me qira, por me qira të lartë. Përplasja ndërmjet banorëve dhe Policisë së Shtetit ka muaj që vazhdon. Madje banorët kanë rritur rezistencën e tyre duke ndjekur edhe rrugën ligjore në kundërshtim të projektit të bashkisë. Kjo e fundit duket se ka ringjallur veset e vjetra të antimitingjeve, duke mobilizuar militantë për t’iu kundërvënë banorëve protestues para dyerve të saj.

Ajo që po ndodh në fshatin Sinec është vërtet një betejë ndërmjet banorëve dhe pabesisë së pushtetit. Dhe si zakonisht në të tilla raste, qeverisja me propagandë evidenton zhvillimin që do t’i japë ujësjellësi që do të marrë ujë në Sinec, mbarë krahinës, duke i kundërvënë komunitetit që e kundërshton forcën policore “sepse ky komunitet po pengon zhvillimin e zonës”. Në fakt, si edhe në rastin e Teatrit Kombëtar, duket që ne jemi i vetmi vend në botë ku zhvillimi imponohet me forca policore, duke zhdëpur në dru protestuesit.

Por a mund të quhet kurruptiv projekti i Bashkisë Kuçovë në raport me burimin e Sinecit? Sigurisht, janë organet ligjore ato që e përcaktojnë ligjërisht. Por nëse u referohemi disa dokumenteve publike, të paktën do të kuptonim se Bashkia Kuçovë shkel ndyrasi mbi gjithçka që vite më parë e ka shenjtëruar. Sapo ndjen erën e parasë, Bashkia Kuçovë nuk e ka problem të shkatërrojë atë që vetë më parë e kishte marrë përsipër ta mbronte. Në mos korrupsioni me para, korrupsioni me shitje të shpirtit, aty është i dukshëm. Jo më kot përmendëm vitin 2016.

Në shtator të vitit 2016 Bashkia Kuçovë ka publikuar një dokument me titull “Dokumenti i raportit përfundimtar të vlerësimit strategjik mjedisor”. Bëhet falë për një dokument të hartuar nga specialistë të mjedisit. Në dokument zë vend edhe një pikë e cila përbën shkakun e betejës së Sinecit. Konkretisht:

“Masa për menaxhimin e Zonave të Mbrojtura:

– Krijimi i një parku natyror të përbashkët ndërmjet Bashkive Kuçovë dhe Gramsh, ku të përfshihen vendburimi i Sinecit së bashku me shpellën e Xhixhilesë dhe zona të tjera piktoreske. Një gjë e tillë mundëson ruajtjen e këtij burimi dhe kanioneve të tij, si dhe shfrytëzimin e tij si një pasuri kombëtare dhe vendore për zhvillimin e turizmit”.

Çfarë ndodhi sot pas pesë vitesh, që Bashkia të ndryshojë qëndrim dhe të kalojë tërësisht në ekstremin tjetër, duke e shkatërruar këtë pasuri kombëtare sipas fjalëve të përdorura po prej saj? Nuk janë të njëjtët individë? Po kjo nuk ka rëndësi, ndërkohë që për më tepër është e njëjta forcë politike që drejton këtë bashki? Minimalisht nga e gjithë kjo rezulton se dokumentet strategjike apo studimet mbeten në sirtarë dhe nuk ka asnjë lloj vështirësie për t’i shkelur me këmbë sapo rasti paraqitet për interesa më konkrete dhe të dyshimta. Kurse maksimalisht kemi të bëjmë me një pushtet lokal bastard që çfarë thotë sot, nuk thotë nesër.

Në dokumentin e mësipërm Bashkia parashikon madje “promovimin e vendburimit të kanioneve të Sinecit si zonë turistike që ofron mundësi argëtimi dhe çlodhjeje”. Kurse pesë vite më pas promovohet shkatërrimi i tij. Sigurisht, në emër të progresit, pa llogaritur këtu se sa ka kushtuar ky studim.

Por ajo që të dhemb më shumë dhe që dëshmon pafytyrësinë e pushtetit ku qytetari i thjeshtë ndodhet para alternativës “hip se të vrava, zbrit se të vrava” mbetet pika kur në dokument parashikohet “hartimi i një programi për ndërgjegjësimin e popullsisë së zonës rreth mbrojtjes së Kanionit të Sinecit e pasurive të tjera natyrore”.

Pra disa vite më parë hartohet një program se si të ndërgjegjësohet popullsia rreth kanionit, si ta mbrojë atë, kurse sot po kjo popullsi merret me dru nga Policia vetëm sepse kërkon të mbrojë pikërisht të njëjtën gjë, ndërkohë që pushteti lokal ka ndërruar mendje. Pra, Policia shkon në Sinec për të rrahuar popullsinë dhe jo në kuadrin e pikës së mëposhtme të dokumentit që parashikon se “zbatimi i shkallës së mbrojtjes për kanionin e Sinecit me cilësinë e monumentit të natyrës, shkalla e mbrojtjes me ligj është shkalla e parë”.

Prandaj, Sineci mbetet betejë. Mbetet betejë kundër arrogancës së një pushteti që dje kishte nevojë për komunitetin dhe kërkonte ndihmën e tij në ruajtjen e pasurive të natyrës, sot që në mes futet paraja, jo vetëm e shkatërron, por edhe i merr me dru ata që e mbrojnë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura